Çmimin “Jakov Xoxa” – i cili që në vitin e tretë e ka arritur peshën e vet në skenën mbarëshqiptare – sivjet e ka marrë shkrimtari e studiuesi Gëzim Aliu, dhe për të është edhe më domethënës pasi kryesues jurie ka qenë akademik Rexhep Qosja. Është vlerësuar për pasurimin e diskursit letrar dhe ndikimin në zhvillimin e mendimit kritik në kulturën shqiptare, në një kohë kur, siç e përshkruan vetë Aliu, “ka kërkesë për gjëra të lehta, gjëra tepër të thjeshtuara” e letërsia s’është e tillë
Me arsyetimin se me krijimtari origjinale dhe angazhim të qëndrueshëm shkencor e ka pasuruar diskursin letrar dhe ka ndikuar në zhvillimin e mendimit kritik në kulturën shqiptare, çmimi “Jakov Xoxa” për letërsi i është ndarë Gëzim Aliut. Për shkrimtarin e studiuesin, ky çmim ka qenë veçanërisht domethënës – ngase juria vlerësuese kryesohej nga akademiku i ndjerë Rexhep Qosja, mik e bashkëpunëtor i tij për 15 vjet.
Të enjten mbrëma në qendrën “Sotir Kolea” në Tiranë, ngjarja nisi me një homazh për akademikun Rexhep Qosja, ndarja nga jeta e të cilit konsiderohet të ketë lënë boshllëk në botën akademike dhe letrare shqiptare. Prania e tij si anëtar jurie e këtij çmimi i ka dhënë edhe më peshë simbolike këtij vlerësimi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDimensioni emocional i këtij çmimi është edhe më i thellë për laureatin e tij. Aliu është shprehur se për të, çmimi është edhe më domethënës, e edhe më emocional.
“Është dyfish emocional, sepse profesorin Rexhep Qosja e kam pasur profesor studimi, edhe koleg në punë qe pesëmbëdhjetë vjet që jam në Institut. Ai deri vonë ka ardhë në punë, deri kohëve të fundit. Kështu që është dyfish emocional për mua kur jurisë i ka prirë një emër i madh si akademik Rexhep Qosja. Natyrisht do të doja të ishte në jetë, që ta merrja nga ai, por kjo është tashmë e pamundur, po sidoqoftë jam i nderuar me çmimin që mban në emrin e njërit prej shkrimtarëve më të mirë, më të mëdhenj shqiptar, Jakov Xoxës”, është shprehur Aliu në një bisedë me KOHËN, të premten.
Të nominuar për këtë çmim mbarëkombëtar ishin edhe Arian Leka, Adil Olluri, Andreas Dushi dhe Selajdin Salihu. Kryesuar nga akademik Rexhep Qosja i cili vdiq të enjten e 23 prillit, anëtarë jurie ishin edhe akademikët Ali Aliu, Shaban Sinani e Xhevahir Spahiu, Bardhosh Gaçe, poetja Natasha Lako, gazetari e publicisti Aleksandër Çipa e të tjerë.
Për studiuesin e shkrimtarin Gëzim Aliu, vlerësimi vjen nga një juri me emra të mëdhenj.
“Meqë çmimi është mbarëkombëtar, ashtu siç është themeluar, e vlerësoj, e çmoj, si vlerësim të punës sime edhe pse është çmim për krijimtarinë letrare prej një jurie të dinjitetshme, me emra të mëdhenj që e kanë vlerësuar krijimtarinë e dhjetëra autorëve tjerë, pastaj kanë vendosur një finale”, është shprehur ai.
Çmimi “Jakov Xoxa” vjen si vlerësim që nuk buron nga konkurrimi i drejtpërdrejtë, por nga njohja e veprës nga komuniteti letrar. Siç thekson vetë Aliu: “Është vlerësim jo përmes konkurrimit, por përmes nominimit të të tjerëve që e njohin veprën tënde”.
Fituesi i edicionit të tretë të çmimit për vitin 2025-2026 nëpërmjet çmimit do të gëzojë një shumë monetare dhe botimi i një vepre të pabotuar.
E Aliu ka thënë se ka dorëshkrime të gatshme të cilat nevojiten të rishikohen e të dërgohen për botim.
“Kam dorëshkrime, por i lë goxha shumë të pushojnë, i rishikoj e i rishikoj. Kam dorëshkrime, por duhet ta shohim si e kanë menduar ata. Kam një dorëshkrim me tregime, kam edhe një dorëshkrim të romanit. Dorëshkrimin me tregime besoj, sepse është i viteve të fundit që e kam nëpër duar, por duhet plotësuar, unë e quaj, duhet lëmuar, që të vijë në gjendjen që unë mendoj se gati për botim. Po e përsëris, sepse kam thënë edhe më herët, që nuk botoj diçka nëse nuk e dëgjoj melodinë e gjuhës. Ka disa vjet që e kam këtë dorëshkrim. E mbaj në sirtar”, ka thënë shkrimtari, studiuesi i letërsisë, eseisti, doktor i shkencave në letërsi. Është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka diplomuar dhe magjistruar në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Një kohë ka punuar mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe letërsisë, pastaj gazetar dhe redaktor i revistës “Albanica”. Është autori i dhjetëra shkrimeve shkencore, publicistike, recensione dhe kolumne kulturore të botuara në revista e gazeta. Përveç shkrimeve studimore dhe publicistike, Aliu merret edhe me përkthime nga disa gjuhë të huaja. Në periudhën 2010-2012 ka qenë redaktor përgjegjës i revistës letrare “Jeta e Re”.

Kohëve të fundit është konsideruar se ka një kontekst të ndërlikuar në ndarjen e çmimeve për autorë të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas. Se nuk ka një skenë të unifikuar të letërsisë. Por Aliu ka kujtuar se çmimin me të njëjtin titull e ka fituar studiuesi e shkrimtari Sabri Hamiti në edicionin e parë të mbajtur më 2023.
“Çmime letrare për autorët e Kosovës janë dhënë, por kryesisht janë dhënë çmime letrare për emra që kanë qenë pothuajse në fund karrierës dhe i kanë disa dekada karrierë, si për shembull, herën e parë këtë çmim e ka marrë Sabri Hamiti. Letërsia shqipe është një, është letërsi shqipe”, është shprehur Aliu.
Sipas tij, është e natyrshme që në Kosovë të ndahen më shumë çmime për autorë nga Shqipëria.
“Vërtet në Kosovë jepen më shpesh çmime për autorë të Shqipërisë, por kjo është normale sepse edhe gravitimi, edhe aktiviteti letrar, edhe numri i prozatorëve është ndoshta më i madh në Shqipëri. Ndërkohë, kanë filluar të kalohen edhe këto pengesa të vogla dhe kohëve të fundit po jepen edhe çmime për autorët e Kosovës. Kjo është dëshmi që nuk qëndrojnë ato pakënaqësi të shprehura më herët, po unë nuk u besoj këtyre dallimeve, këtyre ndarjeve”, ka thënë ai.
Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, çmimi “Jakov Xoxa" për veprën më të mirë studimore, akorduar në fundprill të 2023-s për nder të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Xoxa, i ishte dhënë akademik Hamitit për veprën e tij “Stilografia”. Në edicionin e kaluar ai iu ndaj Majlinda Ramës.
Të enjten në ceremoni, fjalë përshëndetëse kanë mbajtur drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Arta Marku, akademik Ali Aliu, shkrimtarja Diana Çuli, i biri i Jakov Xoxës, Agron Xoxa si edhe botuesit Abdullah dhe Edon Zeneli. Aktorët Vasjan Lami dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të zgjedhura nga veprat konkurruese të pesë finalistëve ndërsa mbrëmja u moderua nga aktori Mevlan Shanaj.
Çmimi “Jakov Xoxa”, siç shkruhet, ka qëllim nxitjen, inkurajimin dhe promovimin e krijuesve letrarë të brezit të ri dhe bashkëkohor të fundshekullit të 20-të dhe fillimshekullit të 21-të. Është projekt i iniciuar nga familja Xoxa, miq dhe dashamirës të shkrimtarit, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e asaj të Kosovës, Qeverisë së Kosovës e të tjerë. Shkruhet se objekti kryesor i titullit Çmimi “Jakov Xoxa” është stimulimi i brezave të rinj letrarë, të cilët filluan aktivitetin krijues pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Gjykimi dhe vlerësimi i krijuesve mbarëshqiptarë letrarë është bazuar mbi kriterin e integritetit të veprës së autorëve ndër vite. Për këtë edicion është vlerësuar vepra e mbi 35 krijuesve shqiptarë.
Për Aliun, çmimi është domethënës duke qenë se vlerëson veprimtarinë krijuese në një periudhë jo të lehtë për të shkruar.
“Sidomos në vitet ‘90 nuk kanë qenë fare lehtë të shkruhet. Por edhe pas luftës ka qenë ndoshta edhe më e vështirë. Kjo ka sigurisht vlerë për shkak të këtij vlerësimi, sepse me të vërtetë të shkruash në këtë kohë dhe të vlerësohesh nuk është edhe aq e lehtë, sepse dihet gjendja e krijimtarisë letrare, e lexueshmërisë në një shoqëri ku ende pa u stabilizuar të lexuarit, të shkruarit dhe sidomos të lexuarit, vijnë rrjetet sociale, tash edhe Inteligjenca Artificiale. Një autor si unë, ose autorë të tjerë, ndeshen me vështirësi të shumta, në radhë të parë për shkak të mungesës së lexuesit”, ka thënë Gëzim Aliu.
As sot nuk është e lehtë, sipas tij, veçmas për të shkruarit e letërsisë serioze, ngase siç shprehet, “po preferohen format që gëlltiten lehtë nga publiku, pra videot e shkurtra, poezitë që prekin emocione, proza shumë më pak, filmat ose produktet të tjera të ngjashme”.
“Ka kërkesë për gjëra të lehta, gjëra tepër të thjeshtuara. E letërsia dihet që nuk është e lehtë, sepse nuk duhet të jetë e thjeshtuar. Dhe ky çmim, normalisht që është stimulim i mirë, është përpjekje që tërheq vëmendjen tek autorët që, megjithatë shkruajnë”, është shprehur ai.
Sipas Aliut, autori i mirëfilltë po rrallohet, por po shumohen shkruesit.
“...kjo sepse, mjetet ekologjike të shprehjes ose të arritjes së publikut janë më të lehta: rrjetet sociale, botimi i lehtë përmes shumë shtëpive botuese, por kualiteti ka rënë. Filtrat nuk ekzistojnë, redaktorët nuk ekzistojnë. Nëse dikush e dërgon një dorëshkrim diku, shtëpitë botuese, shumica e tyre, jo të gjithë, nuk kanë as korrektorë, as redaktorë. Secili që mund ta ketë një dorëshkrim ose ia merr mendja që mund të botojë diçka, edhe boton, dhe kjo pastaj po krijon konfuzion. Por lexuesit e mirëfilltë, sadopak që janë, i gjejnë autorët”, ka thënë Aliu.
Çmimi “Jakov Xoxa” është i hapur për autorët shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe diaspora, duke ofruar një platformë për shkrimtarët e rinj të ndajnë zërin e tyre dhe të kontribuojnë në pasurimin e letërsisë shqipe bashkëkohore. Sipas organizatorëve, ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes janë: origjinaliteti i veprës, qëndrueshmëria në tematikë dhe stil, shprehja e thellë e humanizmit dhe paraqitja e pasqyrimit realist të shoqërisë shqiptare me të mirat dhe sfidat e saj.
Për Aliun, çmimi tërheq vëmendjen te librat e mirëfilltë.
“Ky çmim që më është dhënë dhe çmimet e tilla tërheqin sigurisht vëmendjen te librat e mirëfilltë. Prandaj, në këtë kontekst, po e shoh që në këtë kohë nuk është preferuar shumë të shkruhet se është koha e vështirë, por megjithatë, autorët shkrimtarë do të shkruajnë sepse, po flas për vete, dhe besoj edhe për autorë të tjerë – nuk mund të mos shkruajmë letërsi”, është shprehur ai.
Çmimi “Jakov Xoxa” konsiderohet edhe si pikë në promovimin e letërsisë së re shqipe dhe si njohje për veprën e Jakov Xoxës.