Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Inva Mula pushton Kalanë e Ulqinit me frymën e skenave botërore

Midis objekteve ku dëshmitë historike janë të prekshme dhe vizitorët përballen me rrëfimet e qytetit të vjetër, që nisin këtu e dy mijë vjet më parë, një tjetër ngjarje e madhe është vulosur për të parën herë.

Përderisa ata që ia mësyjnë Kalasë së Ulqinit, pos tjerash mësojnë se këto anë janë mbrojtur edhe nga një mbretëreshë ilire, siç ishte Teuta, të dielën mbrëma, ata kanë pasur rastin që të shohin nga afër një mbretëreshë të skenave operistike, Inva Mulën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ambienti i hapur i Muzeut të qytetit, që gjendet në Kala, ka nisur të mbushet qysh një orë para se të niste koncerti. Vendas e të huaj kanë zënë karriget e shtrira përballë e krahas skenës.

Të shumtë kanë qenë ata që kanë qëndruar në këmbë, për të qenë dëshmitarë se artistë të skenave botërore, si Inva Mula e pianisti Genc Tukiçi, do ta shndërronin hapësirën në një vend të niveleve globale sa i përket muzikës klasike. Kur në Ulqin ka rënë terri, Kalaja është zbardhur sapo në skenë ka dalë Inva Mula.

E veshur me një fustan, ku e zeza dhe e arta kombinohen me elegancë, Mula nuk ka dashur të flasë shumë. Menjëherë ka nisur ta bëjë atë që di më së miri: të këndojë. Artistët të shoqëruar edhe nga një erë e lehtë kanë nisur që të marrin publikun me vete në një udhëtim tingujsh.

Image

Aria “O mio babbino caro” e Giacomo Puccinit ka hapur rrugëtim, që për një orë publikun e ka çuar në një tjetër dimension. Ariet “Parla piu pianon” e Nino Rotas dhe “Caruso” e Lucio Dallas i kanë dhënë jehonë Kalasë, duke bërë që publiku qysh në intron e një rrugëtimi të tillë të shpërthejë në ovacione të njëpasnjëshme. Me një performancë sa të hapur aq edhe intime, Mula ka shkëlqyer në skenë. Për pak skenën ia ka lënë vetëm Tukiçit, që në një interpretim solo me “Marche”, t’i bëjë “konkurrencë” vetëm era.

Edhe “Alamar” në Prishtinë me univers tingujsh të yllit kuban Kulturë 3 muaj më parë “Alamar” në Prishtinë me univers tingujsh të yllit kuban

“Më duket se është erë Shqipërie”, ka thënë ai sa për të shtuar disponimin e banorëve të qytetit bregdetar. Kthimi në skenë i Inva Mulës, në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Belcanto Dolcinio”, ka shënuar fillimin e një tjetër epoke të vogël arti.

Por maratona e muzikës klasike në Ulqin që është mbyllur me Mulën, ka nisur qysh të premten. Janë bërë bashkë gjenerata të ndryshme artistësh, vendorë e ndërkombëtarë. Sopranot Gjylie Pelingu, Fatime Buzuku, ajo nga ShBA-ja, Eleanor Valkenburg e Natasha Mitroviq në piano nëpërmjet veprave shqiptare e ndërkombëtare kanë hapur edicionin e tretë të festivalit. Kitaristët malazez, Darko Nikçeviq dhe Srgjan Bullatoviq, kanë performuar në natën e parë dhe të dytën... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)