EXPRESS

Zëri i botës, Ramë Lahaj, në Ulqin për festë e mesazhe

Ulqini merr hov në fundpranverë e fillim të verës. Se qyteti po ngjallet, fillimisht merret vesh te pjesa e vjetër, Kalaja. Por sivjet hapja e sezonit turistik ka pasur krejt tjetër atmosferë. Në Molën e Madhe rrëzë Kalasë – monument që identifikon qytetin bregdetar – ka ditë që është punuar për të akomoduar një koncert jo të zakonshëm. Skena e ngritur aty, veç si pamje, ka dëshmuar se qyteti do të jetë nikoqir i një ngjarjeje të madhe.

Qysh pasditen e së premtes, kur orkestra simfonike “Ramë Lahaj” është ngjitur për prova në skenë, është vërejtur se mbrëmja do të ketë të tjera ngjyra: ato të muzikës. Ramë Lahaj, tenori i skenave më të mëdha botërore prej Sydneyt, në Los Angeles e gjithandej ka testuar veten dhe Orkestrën për gati një orë. Bashkë me dirigjentin orkestruesin e pjesës më të madhe të programit, Gridi Kraja, janë tërhequr për t’u bërë gati për koncert, pasi janë siguruar se gjithçka është gati.

Por siç ndodh në Ballkan, aty ku pritet politika, gjithnjë ka çalime. Me pjesën e publikut plot, Orkestra bashkë me kryefjalën e mbrëmjes Ramë Lahaj e interpretuesit e tjerë, kanë pritur gati një orë për t’ia nisur mbrëmjes. Fiks me 40 minuta vonesë plotësuar edhe radha e parë e karrigeve me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama e atë të Shkodrës, Benet Beci.

Por muzika klasike bashkë me perlat shqiptare e kanë një veti: kur nis mbrëmja bëjnë që të harrohet ajo çfarë ka ndodhur paraprakisht. Kur janë ndezur dritat e qytetit bashkë me ato të skenës dhe Gridi Kraja i ka dhënë sinjal Orkestrës që të nisë interpretimi, pjesa e vjetër e qytetit bashkë me publikun kanë hyrë në tjetër botë.

E ngjitja në skenë e Ramë Lahajt i ka dhënë tjetër ritëm krejt mbrëmjes. Virtuoziteti i tij është i njohur gjithandej botës.

Sopranoja malaziase, Olivera Tiçeviq, është kombinuar me Lahajn duke sjellë arie e këngë tradicionale malazeze. Por për publikun, që në shumicë qe shqiptar, koncerti ka marrë tjetër ritëm kur orkestra ka nisur të interpretojë meloditë e këngëve shqiptare. “Pranvera filloj me ardhë” nën interpretimin e Egzona Salajt ka hapur një tjetër kapitull. Ndërsa këngët si “Kroi i fshatit tonë”, “Po ti çka i ke thanë dikuj” e “M’ka shku menia” me u fejue” të interpretuara nga Ramë Lahaj kanë çuar atmosferën në tjetër nivel.

Për Lahajn, interpretimi në Ulqin shkon përtej një performance. Viteve të fundit i ka vënë vetes synim që përvojën e tij në skenë ndërkombëtare ta shfaqë edhe në skenat e popullit të vet.

Ramë Lahaj paraprakisht është pritur edhe nga kryetari i Ulqinit, Omer Bajraktari. Ai ka thënë se qyteti bregdetar është vend i gërshetimit të kulturave e i lidhjes me botën. Sipas Bajraktarit, gjithçka në Ulqin pulson si Mesdheu.

Komuna në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë të Ulqinit, Qeverinë e Malit të Zi dhe me Organizatën Turistike të Ulqinit, që udhëhiqet nga drejtori Qazim Hoxhiq, kanë pasur për synim që sivjet hapja e sezonit të jetë tjetër.

“Moj e bukura Arbëri” interpretuar nga Adhurim Grezda, sikur ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh midis shqiptarëve. Kurse qytetit të kapedanëve, Grezda ia ka kënduar edhe këngën “Kapedan o djal i ri”. Pavarësisht që bëhet fjalë për koncert të muzikës klasike, atmosfera i ka kaluar kufijtë.

“Bishtalecat palë, palë”, interpretuar nga Ramë Lahaj, e ka efektin e një feste. Bash ashtu siç e përjeton Ulqini sezonin turistik. Virtuoziteti i Lahajt jep tjetër efekt energjie për publikun. Shpesh të pranishmit i janë bashkuar si kor, përderisa duartrokitjet qenë dëshmi e përjetimeve nga të pranishmit. Lahaj ka vendosur që bashkë me Grezdën koncertin ta mbyllin me këngën “Mallëngjimi” e njohur edhe si “Vendi im”, kënduar dikur nga Muharrem Qena. Dyshja këtë këngë nuk e ka interpretuar thjesht për efekt arti. Në njëfarë forme edhe u është bërë thirrje të pranishmëve – midis të cilëve shumica e udhëheqësve të shqiptarëve në përjashtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti – që të punojnë më seriozisht për vendet e tyre.