Kulturë

Gala-mbrëmje midis Prishtinës, “Ramë Lahaj & Friends” në magjinë e operës

Koncerti “Ramë Lahaj & Friends” në kryeqytet ka qenë ashtu siç është paralajmëruar: një gala-mbrëmje me yjet e operës. Të dielën mbrëma, rreth tre mijë veta në sheshin “Skënderbeu”, sipas llogaritjeve të organizatorëve, kanë pasur rastin të rrugëtojnë me interpretimet mjeshtërore të disa prej veprave të shquara të repertorit klasik.

Tenorit nga Kosova me famë botërore, Ramë Lahaj, i janë bashkuar në skenën madhështore emrat e shquar si tenori Alessandro Safina, baritoni Massimo Cavalletti nga Italia e sopranoja ukrainase Yulia Suleimanova.

Ky ka qenë koncerti i parë i edicionit të tretë të festivalit ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”.

Filharmonia e Kosovës ka hapur koncertin me prelud nga “Carmeni” i G. Bizet. Pas saj Lahaj është shfaqur në skenë për të përshëndetur publikun.

“Mirëmbrëma Prishtinë, mirëmbrëma miq e dashamirë të artit. Kjo ishte Filharmonia e Kosovës që na ka besuar që nga viti 2019. Faleminderit Filharmonia e Kosovës!”, ka thënë Lahaj. Ka falënderuar institucionet dhe publikun për përkrahjen për të vazhduar me “La tebernera del Puerto” të Sorozbalit, interpretuar nga vetë tenori që e organizon festivalin, e që tash e tre vjet i sjell kryeqytetit magjinë e skenave botërore.

Orkestra është dirigjuar nga maestroja italian Pier Giorgio Morandi.

Para nisjes së koncertit është parë rend i gjatë në hyrje.

“Koncerti ka një kosto biletash pasi të gjitha mjetet shkojnë për fondacionin që përkrah artistët e rinj”, ka shpjeguar Lahaj.

“Opera për liri”, është motoja e edicionit të sivjetmë të “Ramë Lahaj International Opera Festival” që vjen me pesë koncerte. Gala-mbrëmja ka qenë vetëm fillimi.

Pjesa qendrore e koncertit ka pasur kryefjalë pjesë kryeveprash. Fill pas Lahajt, në skenë janë ngjitur edhe dy solistët e tjerë të mbrëmjes. Baritoni Massimo Cavalletti ka interpretuar arien “Argo al factotum” nga “Berberi i Sevljës” të Rossinit e sopranoja Yulia Suleimanova ka sjellë “Il Bacio” të Luigi Arditit. Treshja ka sjellë edhe të tjera vepra.

Krahas veprave botërore, në repertor ka qenë edhe muzika shqipe. Ka qenë një kolazh me “Kroi i fshatit tonë”, “Po ti ç’a i ke thanë dikuje” (në video) e “M’ka shku menia me u feju”, të cilat i ka sjellë mjeshtërisht tenori Lahaj, pas pjesëve të Rossinit, Puccinit e Verdit nga ai, Suleimanova e Cavalletti.

Ylli tjetër i koncertit, tanori italian Alessandro Safina, ka dalë në skenë me “Parla Più Piano” të famshmen kolonë zanore të “The Godfather” për të vazhduar me “Bésame Mucho” që ka qenë më romantike. Në anën e majtë ka pasur broshin në formën e hartës së Kosovës.

Duartrokitje të shumta kanë nisur para se të përfundonte pjesën. E ai u është përgjigjur menjëherë. “Faleminderit. Mirëmbrëma jam shumë i lumtur. Është hera e parë që jam këtu. Kërkoj falje që nuk flas anglisht, shpresoj se më kuptoni”, ka thënë ai para se të nisë interpretimin e pjesës “Besame Mucho”. Ka kulmuar me “Luna”, e famshmja kolonë zanore e serialit "O Clone".

“Kjo këngë më ka ndryshuar jetën”, ka thënë Safina për veprën e cila gati çerekshekulli më parë e futi tenorin edhe në industrinë e pop-muzikës. Kanë qenë zërat përcjellës në muzikën e kombinuar me Orkestrën që e kanë bërë goxha të veçantë

“Faleminderit shumë”, ka qenë fjala e fundit e tij për publikun në Prishtinë.

Safinas i është bashkuar Ramë Lahaj në skenë me interpretimin e “Dicitencello Vuje” të Rodolfo Falvos.

“Brindisi” e “La Traviatas” interpretuar nga katërshja e solistëve, ka qenë përshëndetja me publikun. Kanë vallëzuar në skenë sikur kjo pjesë të inskenohej. I ka ngjarë tamam fundit të një gala-mbrëmjeje me operë për liri, siç është motoja e festivalit që sapo ka nisur.