Gala-mbrëmja “Rame Lahaj & Friends" ka nisur në sheshin “Skënderbeu” me uverturën e veprës "Il Barbiere di Siviglia" të Gioacchino Rossinit. Koncerti me të cilin përmbyllet edicioni i 6-të i Festivalit Ndërkombëtar të Operës, “Rame Lahaj” do të sjellë për publikun arie të njohura të operave botërore. Në skenë në ambient të hapur, pos Lahajt i cili ka karrierë ndërkombëtare, do të interpretojnë edhe miqtë e tij si sopranonoja Vanessa Goikoetxea, mexosopranoja Štěpánka Pučálková dhe bass-baritoni Luca Pisaroni. Koncerti me moton “Play Music, Not War” dirigjohet nga Giuseppe Finzi. Sikurse vitin e kaluar edhe sivjet, solistët e skenave ndërkombëtare shoqërohen nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar.
Tenori Rame Lahaj është ngjitur në skenën e gala-mbrëmjes në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën përmbyllëse të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës. Në repertor ka pasur edhe të famshmen “Bella Ciao”, një këngë e njohur italiane e shndërruar në himn antifashist, por që edhe sot vazhdon të jetë popullore, e risjellë në versione të ndryshme.