Kulturë

Institucionet kulturore kërkojnë buxhet prej 3.5 milionë eurosh

Institucionet qendrore të kulturës për këtë vit kanë bërë planifikime duke llogaritur se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit do t’ua ndajë afro 3.5 milionë euro, shkruan Koha Ditore.

Disa prej tyre tashmë i kanë dorëzuar planet e punës dhe kërkesat financiare në institucionin më të lartë kulturor në vend. Por ka edhe prej atyre që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë. Mosformimi i Qeverisë deri të hënën e kësaj jave, gjysmën e institucioneve i ka lënë në pozitë mosveprimi. Përderisa për vitin e kaluar MKRS-ja ua kishte ndarë 2 milionë e 830 mijë euro shtatë institucioneve nacionale të kulturës, për këtë vit kërkesa është që programi i tyre të përkrahet me 3 milionë e 487 mijë e 850 euro.

Por Ministria e Kulturës ende nuk ka një përgjigje ndaj kërkesave që ka marrë. Vitin e kaluar buxheti total i MKRS-së ka qenë 44.7 milionë euro. Përderisa ende s’ka raport se janë shfrytëzuar prej tyre, po këtë shumë, sipas planifikimeve të kabinetit të kaluar, synon ta ketë edhe për sivjet.

Teatri Kombëtar i Kosovës vitin e kaluar ka pasur buxhet prej 400 mijë eurosh. Për këtë vit planifikon të kërkojë 700 mijë. Kryetari i Këshillit Drejtues, aktori Fisnik Ademi, ka thënë se ende nuk e kanë dorëzuar kërkesën pasi kanë pritur që të finalizohen programet e skenës së madhe dhe të vogël. Ademi ka thënë që TKK-ja planifikon që të ketë bashkëprodhime me teatro evropiane.

“Pastaj kemi plane të riorganizojmë një festival të teatrove që do të sillte shfaqje të ndryshme e do ta ndihmonte edhe teatrit vendor”, ka thënë ai. Sipas Ademit, TKK-ja, po ashtu, duhet t’i japë shfaqjet e saj edhe nëpër teatrot e qyteteve brenda vendit.

“Presim që ministrja Vlora Dumoshi ta rritë buxhetin për kulturën e kodi buxhetor mbetet kërkesa jonë kryesore”, ka thënë Ademi.

Ahmet Brahimaj, që kryeson Këshillin Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se në fund të vitit të kaluar në Ministrinë e Kulturës kanë dorëzuar planin e punës dhe kërkesën financiare. BKK-ja planifikon që për këtë vit të japë tri premiera. Zakonisht i ka pasur nga katër në vit.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)