Si rrallë ndonjë vit më parë, institucionet e kulturës – përveç “Shotës” – janë të kënaqura me buxhetin që ua ka ndarë Ministria e Kulturës, ani pse ai është zbritur. Për ta, një gjë e tillë ka qenë e pritshme sherri i pandemisë. Por, ajo që u jep më shumë optimizëm janë kodet buxhetore të premtuara që nga paslufta e që pritet të konkretizohen sivjet. Me to, institucionet fitojnë një lloj pavarësie financiare në shfrytëzimin e mjeteve
Me dallime jo shumë të mëdha, shumicës së institucioneve qendrore të kulturës u është zbritur buxheti për këtë vit. Ministria e Kulturës është munduar që ta ruajë njëfarë balance që shkurtimet të mos jenë të mëdha. Për dallim prej buxhetit të përgjithshëm ku do të ketë 9.2 milionë euro më pak, MKRS-ja ia ka dalë që mungesa e financave të mos lërë gjurmë të mëdha te institucionet e kulturës. Për atë që projektohet si kulturë institucionale, MKRS-ja vitin e kaluar kishte ndarë 2 milionë e 155 mijë euro. Kurse për sivjet janë 2 milionë e 86 mijë euro. Janë fiks 69 mijë euro më pak.
Teatri Kombëtar i Kosovës, qysh prej janarit të vitit të kaluar, është pa drejtor. E prej qershorit të vitit 2019 është pa udhëheqës artistik. Në të dyja pozitat ka ushtrues detyre. Për këtë vit, pos projekteve që janë bartur nga viti i kaluar shkaku i pandemisë, nuk është përgatitur ende programi vjetor. I është lënë hapësirë që me këtë të merret menaxhmenti i ri, pasi konkursi për të dyja pozitat është hapur në fund të dhjetorit. TKK-ja për këtë vit nuk ka dërguar as kërkesë financiare në Ministrinë e Kulturës.
Përderisa për vitin e kaluar këtij institucioni i ishte zotuar buxhet për projekte prej 380 mijë eurosh, sivjet do të ketë 370 mijë. Gjatë vitit të kaluar, Ministria e Kulturës buxhetin e projekteve TKK-së ia kishte zbritur dy herë, për ta sjellë atë në 220 mijë euro. Ende nuk ka ndonjë pasqyrë të qartë se sa ka shpenzuar institucioni më i lartë teatror në vend.
Aktori Adrian Morina, i cili është ushtrues detyre i udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se për vitin e kaluar arsyetohen shkurtimet buxhetore.
Sipas tij, me 370 mijë euro buxhet plotësohen kërkesat e repertorit në skenë të madhe dhe të voglën.
“Por, për plane më të mëdha nuk kryejnë punë. Sivjet e kemi planifikuar festivalin e teatrove, i cili llogaritej të ketë shpenzime prej 80 mijë eurosh”, ka thënë ai.
Qendra Kinematografike e Kosovës për vitin e kaluar kishte kërkuar 1 milion e 409 mijë euro. I ishin ndarë 810 mijë euro. Për sivjet, ky buxhet është zbritur në 765 mijë e 995 euro. Kjo diferencë do ta thellojë krizën e këtij institucioni. Vetëm për vitet 2018 dhe 2019, QKK-ja ka marrë përsipër të financojë projekte për të cilat i mungojnë 1.2 milionë euro. Ishte bazuar në deklarata të ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, e jo në dokumentet financiare.
Një zbritje e lehtë e buxhetit i është bërë edhe Filarmonisë së Kosovës. Për këtë vit do të jetë 345 mijë euro. Janë 5 mijë më pak se vitin e kaluar.
Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se duke pasur parasysh problemet që ka shkaktuar pandemia zbritja e buxhetit ka qenë e pritshme. Vitin e kaluar, Filarmonisë, Qeveria ia kishte marrë 70 mijë euro.
“Për sivjet, edhe sikur të na ndaheshin më pak, nuk do të çuditesha shkaku i pandemisë. Ne ende nuk po e dimë se me çfarë regjimi do të jemi. Nëse kthehemi në normalitet do t’i ktheheshim agjendës së rregullt. Nuk është buxhet zhgënjyes”, ka thënë Jashari. Filarmonia e Kosovës, në vitin 2020, ka shpenzuar afro 270 mijë euro. Janë afro 30 mijë euro detyrime të vitit të kaluar të cilat nuk i janë paguar ende nga MKRS-ja.
“16 mijë euro të koncertit të fundvitit dhe një pjesë e koncertit të fundit në Shkup nuk janë paguar deri në fund të dhjetorit”, ka thënë Jashari.
Sivjet, buxheti i institucioneve të kulturës është përcaktuar më herët pasi është bërë pjesë e Ligjit mbi ndarjet buxhetore. Për herë të parë institucionet e kulturës dhe ato të trashëgimisë kulturore do të kenë kode buxhetore. Kjo është llogaritur të jetë rrugëdalje nga kriza e pamundësisë së shfrytëzimit të buxhetit. Prej qershorit të vitit 2018, të gjitha pagesat janë bërë nga Ministria e Kulturës pasi institucioneve vartëse u ishin mbyllur llogaritë në banka komerciale.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” vazhdimisht ka kërkuar buxhet më të lartë sesa i është ndarë. Për vitin 2020 kishin kërkuar 273 mijë e 600 euro vetëm për projekte. Bashkë me investimet kapitale për arkiv e instrumente planifikonin të shpenzonin 356 mijë e 250 euro. I ishin ndarë 180 mijë.
Por, për vitin 2021 do të ketë 162 mijë e 500 euro. “Shota” kishte kërkuar 260 mijë euro.
“Jemi krejtësisht të pakënaqur. Është një ndarje e buxhetit në mënyrë paushalle, e padrejtë dhe krejt e pabazuar në kërkesën tonë”, ka thënë Shefqet Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i “Shotës”. Sipas tij, janë rreth 100 mijë euro obligime të vitit të kaluar që nuk janë paguar ende.
“Nëse i paguajmë me buxhet të këtij viti do të jemi shumë keq me financa. Na bie që të kemi buxhet prej gati 70 mijë euro”, ka thënë ai.
Më pak buxhet llogaritet të ketë edhe Galeria Kombëtare e Kosovës. Nga 240 mijë sa kishte për vitin e kaluar, sivjet do të ketë 202 mijë e 500 euro.
“Është një buxhet i mirë sa u përket aktiviteteve me ekspozita”, ka thënë ushtruesja e detyrës së drejtorit të GKK-së, Dhurata Ramosaj-Shala.
Buxhet më të lartë se vitin e kaluar do të ketë vetëm Baleti Kombëtar i Kosovës. Nga 195 mijë sa i kishte, për sivjet i janë caktuar 240 mijë euro. Kishte kërkuar 270 mijë.
“Ne, edhe pse kemi kërkuar më shumë, nuk ka shumë diferencë të madhe me atë që e ka ndarë MKRS-ja. Kështu që jemi të kënaqur me shumën vjetore. Shpresoj shumë që të vihet në praktikë premtimi që do të kemi kodet e veçanta të buxhetit në mënyrë që të pavarësohemi financiarisht nga MKRS-ja dhe të përshpejtohen procedurat e pagesave të çdo lloji”, ka thënë Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Me kodet buxhetore, procedurat e pagesave nuk bëhen më në MKRS, por nga vetë institucionet. Ato aktualisht kanë vetëm zyrtarë financiarë. Me kode buxhetore duhet të kenë zyrtarë që do të bëjnë zotim, certifikim dhe shpenzim. Se si do të rregullohet kjo çështje ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare.
Por, këto institucione shfrytëzojnë buxhet shumë më të lartë kur llogariten pagat, mëditjet, mallrat e shërbimet si dhe shpenzimet komunale. Në përgjithësi, Teatri Kombëtar i Kosovës ka buxhet prej 940 mijë eurosh, Qendra Kinematografike e Kosovës 793 mijë euro, “Shota” 504 mijë euro, Filarmonia 880 mijë, Galeria Kombëtare e Kosovës 318 mijë, e Baleti Kombëtar i Kosovës 446 mijë. Në përgjithësi janë 3 milionë e 881 mijë euro.