Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Instalacioni nëntokësor i Anri Salës është përtej kësaj bote

Filmi hipnotik dhe instalacioni i zërit nga artisti shqiptar, Anri Sala, “Time No Longer”, në mjediset e Buffalo Bayou Park Cistern në Houston, i bën homazhe astronautit dhe saksofonistit afro-amerikan Ronald McNair

(Wallpaper) – Vepra e Anri Salës qëmton çastin mes të prekshmes dhe të paprekshmes. Ajo ekziston diku mes kohës dhe hapësirës, mbase edhe duke u rrokullisur mes të dyjave. Vepra e Salës që ngacmon mendime dhe evokon kohë shkon shpesh në vende të vështira, duke i zëruar mendimet, ndjenjërinë dhe ngjarjet për të cilat gjuha nuk është e mjaftë.

Më e fundit vepër e tij madhore është një instalacion monumental në Bayou Buffalo Park Cistern, një rezervuar i nëndheshëm në Houston të Teksasit. Ajo kapërthur filmin, zërin dhe instalacionin, duke i bërë fashë në kuptimin e qetësisë nga sipër dhe poshtë që artisti e përqas me “Space City”. E titulluar “Time No Longer”, vepra kredhëse është e frymëzuar nga astronauti dhe saksonisti afro-amerikan Ronald McNair, që u lansua në Space Shuttle Challenger më 1986 me qëllimin për të incizuar muzikë në hapësirë. Po të mos shpërthente raketa ca sekonda pas fluturimit, ai do të shpërthente.

I nëndhéshëm dhe i gjerë, Buffalo Bayou Park Cistern është 87 mijë metra katrorë i gjerë dhe 25 i gjatë, me 221 kolona përgjatë tij. Ai i evokoi Salës qëmtimin hapësinor, që vizitoi hapësirën me një ide në kokë, por e ndërmendi rrëfimin e McNairit kur qëndroi brenda strukturës unike.

Image

Portreti i artistit, Anri Sala, me instalacionin e tij, “Time No Longer” (2021), në Buffalo Bayou Park Cistern, në Houston.

 

“Çdo njeri që udhëton kaq larg nga Toka është një pionier nga natyra, por McNairi ishte edhe një burrë që synonte të ishte i pari që incizonte seriozisht muzikë në hapësirë”, thotë Sala.

Edhe Anri Sala ngre katedrale tingujsh në Paris Shtojca për Kulturë Anri Sala ngre katedrale tingujsh në Paris

E projektuar pa pushim në një hologram gjysmë të tejdukshëm është një gramafon pluskues dhe i papeshë. Gjilpëra çik thellomat e incizimit, ndonjëherë duke ia dalë të komunikojë muzikë, herëve të tjera duke mos lëshuar, por duke u rrotulluar në tingullin hapësinor të momentit të cilin McNairi kurrë nuk e luajti. Derisa lëvizja përsëritet, ne dëgjojmë dromca muzike.

“Është si një vargan i mendimit, apo muzikës që pandërprerë ndërpritet dhe neve që disi duam të kuptojmë këtë ndërprerje”, shpjegon Sala.

Ekrani është i dukshëm vetëm kur filmi po projektohet, duke e lënë shikuesin të përsiat në hapësirën e errësirës. Kur filmi jepet, ai shëmbëllehet në ujin përreth, duke krijuar iluzionin e pllakave të pafundme të gramafonit që luhatet nëpërmjet hapësirës së pambarim.

Kolona zanore e veprës është një përzierje mes klarinetit dhe saksofonit nga “Quartet for the End of Time” e Olivier Messiaenit, mbase pjesa më e famshme muzikore e kompozuar në robëri. E shkruar nga Messiaeni derisa ishte rob lufte në një kamp gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, muzika kumton një ndjesi të thellë të vetmisë për Salën.

Në incizim, është zor të dallohet një vegël nga tjetra, një efekt i qëllimshëm. “Ndonjëherë tingëllon si diçka e ndonjëherë si diçka tjetër. Ai luan edhe me këtë ide që klarineti mund të tingëllojë si saksofon para se të ekzistonte, në një kuptim që pyet se si do të tingëllojë një këngë para se të luhet?”

Muzikën origjinale që McNairi mendoi ta incizonte priste të dilte në albumin Rendez-vous në bashkëpunim me kompozitorin francez Jean-Michel Jarre. Më vonë u performua dhe u incizua nga Jarre në një koncert pas aksidentit. Sala ka përdorur edhe më parë jazzin në veprën e tij dhe tërhiqet nga kjo lloj muzike për shkak të mungesës së rrëfimit. Vepra “Long Sorrow” (2005) bëri që ai të ngrinte në ajër saksofonistin Jemeel Moondoc 60 këmbë lart në ajër nga një kënd i braktisur në Berlin.

“Ai ishte ankoruar në hapësirë dhe e përdorte muzikën në një mënyrë që ta bënte mendjen e tij të shkëputej nga gjendja ku ishte, kurse ‘Time No Longer’ është e kundërta, për shkak se ajo është një ngarendje në hapësirë, posi një pllakë gramafoni, por e ankoruar në kohë”.

Edhe “Antropomorph” në një botë të mistershme hibride EXPRESS “Antropomorph” në një botë të mistershme hibride

{gallery}

Anri Sala, “Time No Longer”, 2021

 

“Time No Longer”, njësoj si “Long Sorrow” dhe “Answer Me” (2008) – e cila qe xhiruar nga një kupe gjeodezike në Teufelsberg në Berlin – lidhet me arkitekturën e saj. “Më pëlqen të gjej një narrativë që ngërthen atributet e hapësirës. Një që e trajton hapësirën si të ishte një organ, e jo thjesht si diçka që mëson.

“Me fjalë të tjera, unë prirem të provoj t’i qasem hapësirës si një instrument, më shumë sesa një prapavijë për një narrativë që luhet solo brenda saj”, shpjegon Sala. “Kur hapësira bëhet e prekshme, të lejosh atë të luajë si pjesë bashkërenduese në një formë ritregimi, ajo sjell kërshëri mbi kontekstin dhe historinë, goxha ndryshe dhe përtej asaj që rrëfimtaria ngërthen”.

Një performancë pa performues, një pllakë disku e vetmuar që vërtitet përmes hapësirës, kjo vepër përsiatëse i flet përvojës së shumë prej neve në kohët e fundit.

Edhe Artisti shqiptar, njëri prej yjeve botërore në Beograd Kulturë Artisti shqiptar, njëri prej yjeve botërore në Beograd

Përktheu: Salih Mehmeti