Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Anri Sala ngre katedrale tingujsh në Paris

“Vizitori duhet të jetë në gjendje t’u qaset punimeve pa ditur domosdoshmërisht gjithçka, duke e lënë veten të rrëmbehet, të pranojë, të përjetojë pak momente të humbjes së gravitetit të përditshëm”, ka thënë artisti shqiptar Anri Sala për ekspozitën e tij “Time No Longer” në “Bourse de Commerce” të Parisit

Pas përfshirjes së tij në ekspozitën grupore “Une seconde d'éternité”, Anri Sala e ka transformuar “Bourse de Commercen” e Parisit në një katedrale tingulli.

Vizitorët do të vënë re menjëherë një vepër masive, “Time No Longer” (2021), e cila po prezantohet në një ekran mbështetur për bazën cilindrike të ndërtesës rrumbullake. Tematikisht, artisti shqiptar përdor arkitekturën, zërin dhe videon për të zbërthyer përvojën dhe marrëdhënien tonë me historinë.

Në të Sala shfaq një disk muzikor i cili luan dy melodi bezdisëse. E para, “Quartet for the end of time” kompozuar në vitin 1941 nga Olivier Messiaen, është dukshëm e zhveshur nga të gjitha elementet, përveç klarinetës. Kënga fillimisht ishte kompozuar për Henri Akokan, një hebre algjerian, me të cilin Messiaen kishte qenë kur ishte ndaluar nga nazistët në Stalag VIII-A. Kënga u luajt vetëm një herë në vitin 1941 para një grupi rojash të burgut dhe të burgosurish.

Image
“Take Over”, Anri Sala, 2017. Foto: Andrea Rossetti

Melodia e dytë përmban tingullin melankolik të një saksofoni dhe është krijuar si një elegji për astronautin dhe saksofonistin afro-amerikan, Ronald McNair. Si një nga shpirtrat e humbur gjatë shpërthimit të anijes kozmike amerikane “Challenger” në vitin 1986, McNair u vendos të ishte muzikanti i parë që do të performonte në hapësirë.

Image
“Nocturnes”, Anri Sala, 1999. Foto: Andrea Rossetti

“Ky takim kalimtar, midis një muzike që ka ekzistuar përtej tmerrit dhe një tjetër që sfidon kufirin e përtejme, bashkon disa lloje të vetmisë: atë të burgut, atë të boshllëkut kozmik, atë të të vdekurit”, shkruhet në publikim. “Vizitori duhet të jetë në gjendje t’u qaset punimeve pa ditur domosdoshmërisht gjithçka, duke e lënë veten të rrëmbehet, të pranojë, të përjetojë pak momente të humbjes së gravitetit të përditshëm”, shkruan Sala në një deklaratë. “Është një lloj lëshimi. Ai duhet ta lërë kohën për ta ndërtuar përvojën. Këto vepra nuk janë aty për t'u parë si përmbajtje, por për të kultivuar brenda secilës këtë potencial, këtë mospërputhje, humbje ekuilibri. Mendoj se nëse këto vepra do të kishin sukses në kultivimin e kësaj, nëse do të na ftonin që të mos ishim në ritëm gjatë gjithë kohës, në sinkronizim të përhershëm me atë që na jepet për të parë apo dëgjuar, kjo tashmë do të ishte diçka. Nëse do të më duhej të jepja një këshillë, do të ishte kjo: kultivoni këtë marrëdhënie mpakjeje brenda vetes”.

Image
Përveç veprave, Sala po shfaq edhe diptike gravurash dhe vizatimesh te dyert e “Bourse de Commerce”. Foto: Aurélien Mole

Përveç kësaj, Sala po shfaq edhe diptike gravurash dhe vizatimesh afër dyerve, video si “Take Over” (2017) dhe “Another Solo in the Doldrums” (Extended Play, 2012) në Galerinë 2, si dhe një shfaqje të “1395 Days Without Red” (2011) në auditorium dhe një nga veprat e para të tij, “Nocturnes” e vitit 1999.

“’Time No Longer’ është një përvojë e jashtëzakonshme që duhet parë ashtu siç shihni një koncert”, ka thënë Sala. Ekspozita “Time No Longer” do të jetë e hapur në “Bourse de Commerce” të Parisit deri më 16 janar 2023.

Marrë nga “HypeArt”. Përktheu: Mirjetë Sadiku

Artikuj të ngjashëm