Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Imazhi i festës së Pavarësisë, dëshmi pas 110 vjetësh

Në ditën e 19-të të marsit të vitit 1914, një numër i madh qytetarësh të Shkodrës me rrethinë do të mblidheshin në hapësirën më simbolike të qytetit verior: Kalanë e Rozafës. Po bëhej një ngritje flamuri në shenjë triumfi pak më shumë se dy vjet prej kur Shqipëria veç ishte mosmvarme. Ishte njëfarë feste e këtij dyvjetori, e po ashtu edhe njëfarë simbolike e mobilizimit, pasi Shkodra pothuajse qe nën rrethim.

Momentin e ka kapur Kel Marubi me fotoaparatin e tij. I vendosur mbi strukturat e Kalasë në bardhezi, ai ka përjetësuar imazhin ku shumë qytetarë qëndronin në oborrin monumentit dhe në sfond shihet edhe Buna.

Këtë shkrepje historike e ka bërë publike Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër. Sipas Drejtorisë, qindra shqiptarë të ardhur nga të gjitha krahinat e Shkodrës në oborrin e tretë të Kalasë së Rozafa, me rastin e ngritjes ceremoniale të flamurit.

“Ceremonia u përshëndet atë kohë nga vetë kryetari i bashkisë Shkodër, Muharrem Gjylbegu, i cili bashkë me At Vinçenc Prennushin, një vit më parë e kishin ngritur flamurin në ballkonin e bashkisë, ditën e 28 nëntorit 1913”, ka njoftuar Drejtoria. Sipas të dhënave historike, kjo ceremoni u shoqërua me 101 të shtëna topi të vendosur në kodrat e Tepes për të kremtuar sërish aktin simbolik të fitimit të Pavarësisë.

“Asokohe veriu i vendit dhe vetë Shkodra ishte ende nën presionin e ushtrive serbo-malazeze dhe ky kremtim masiv ishte momenti që më tepër se një ëndërr të bërë realitet, tentonte të rriste ndërgjegjen kombëtare për vështirësinë e ruajtjes së lirisë së fituar”, shkruhet në njoftimin e Drejtorisë që shoqëron fotografinë e siguruar nga muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër.

Edhe Kalaja e Shkodrës fuqizohet si atraksion i turizmit kulturor Kulturë Kalaja e Shkodrës fuqizohet si atraksion i turizmit kulturor

Është ndër muzetë më të pasur në rajon. Në qendër të projektit të muzeut është trashëgimia e “Foto-Studio Marubbi”, themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, piktori dhe fotografi italian, i cili ishte vendosur në Shkodër në atë kohë. Aktiviteti i studios ndër vite do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh deri në fillimin e viteve 1950 kur Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzohej anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në Kooperativën e Riparim-Shërbimeve, sektor i së cilës ishte edhe fotografia. Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi” me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme të cilët në momente të caktuara, u përdorën edhe për të ushqyer makinerinë e propagandës komuniste me imazhet historike që buronin nga arkivi. Pikërisht në këtë periudhë, shumë prej tyre u shfaqën në botimet e kohës të manipuluara dhe të tjetërsuara.