Kulturë

Kalaja e Rozafës adresë më e shpeshtë e vizitorëve

ROZAFA

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se janë mbi 15 mijë turistë na kanë vizituar gjatë tre muajve të parë të vitit 2024

Kalaja e Rozafës në Shkodër po kalon një prej periudhave më të mira sa i përket turizmit, gjithnjë sipas statistikave zyrtare.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se janë mbi 15 mijë turistë na kanë vizituar gjatë tre muajve të parë të vitit 2024.

Sipas DRTK Shkodër, Rozafa është mbresëlënëse për të gjithë ata që marrin një copëz Shqipërie me vete.

Ndërkohë që vetëm në muajin mars të këtij viti kjo kala u vizitua nga 7 mijë e 25 vizitorë. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, Kalaja e Rozafës u vizitua nga 2 mijë e 336 persona më shumë.

Investimet e kryera në Kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-‘79 në pjesën e poshtme të qytetit.

Gjithashtu vizitorët vendas e të huaj shuajnë kureshtjen e tyre mbi legjendën e flijimit, që fshihet nën themelet e kalasë.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shekulli XIV), zotërimi venecian (shekujt XV), pushtimi osman (shekujt XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shekujt XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare.