Mozaiku paraqet një palë sandale në formë të atyre që përdoren edhe sot, në njërën nga dhomat e banjave në pjesën jugore të vilës. Gjetja ka ndodhur gjatë programit “ArchLABS” të shkollës verore të Universitetit të Bolonjës, i cili ka trajnuar studentë nga 11 shtete për teknikat e gërmimit
The Jerusalem Post – Arkeologët që po gërmojnë në “Villa Romana del Casale” në Sicilinë qendrore kanë zbuluar një mozaik të shekullit IV të erës sonë. Mozaiku paraqet një palë sandale në formë të atyre që përdoren edhe sot, në njërën nga dhomat e banjave në pjesën jugore të vilës. Gjetja ka ndodhur gjatë programit “ArchLABS” të shkollës verore të Universitetit të Bolonjës, i cili ka trajnuar studentë nga 11 shtete për teknikat e gërmimit.
Lajmin e ka bërë të ditur Parku Arkeologjik i Morgantinas dhe Villa Romana del Casales. Krahas pamjeve të sandaleve, ekipi ka shfaqur edhe tri kolona me shkronja të mëdha dhe një mbishkrim të shkurtër mozaiku. Hulumtuesit kanë bërë të ditur se paneli i përket një skeme më të madhe dekorative që paraqet jetën e përditshme dhe larjen e vizitorëve të vilës.
“Këto gjetje vërtetojnë sërish nivelin shumë të lartë artistik dhe arkitektonik të vilës, si dhe rëndësinë e gërmimeve për rindërtimin historik dhe kulturor të sajtit”, është thënë në një komunikatë për media nga ekipi ndërkombëtar i hulumtimit, që përbëhet nga më shumë se dyzet studiues, sipas “The New York Post”. Zyrtarët kanë shtuar se zbulimet “përveçqë zgjerojnë njohuritë për Villa Romana del Casale, spikatin vlerën e hulumtimit arkeologjik si mjet fondamental për rizbulimin dhe tregimin e historive të kulturave që na prijnë”, sipas “Fox News”.
“Motivi i sandaleve tregon karakterin aristokratik dhe kozmopolitan të banjave”, ka thënë drejtoresha e programit, Isabella Baldini. Dekori i banjave të kohës së vonë romake shpesh paraqet pamje të sandaleve, me motive të ngjashme të regjistruara në Spanjë, Cyrenaica, Qipro, Jordani dhe në Azi të Vogël. Imazhet u kanë rikujtuar atyre që janë larë në këto banja se në hapësirat me mot të ngrohtë këto mbathje të lehta janë të zakonshme, praktikë kjo që zgjat. Ndonëse botërisht janë popullarizuar nga këpucët japoneze “zōri” dhe “havaianat” braziliane të shekullit XX, sandalet që përdoren sot e kanë origjinën te sandalet prej papirusi në Egjiptin e Lashtë dhe sandalet romake.
Rreth pesë kilometra në jug të Piazza Armerinas, vila posedon koleksionin më të madh të mozaikëve romakë të njohur deri tani (më shumë se 3.500 metra katrorë nëpër afro 30 dhoma), si dhe është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s prej vitit 1997. Prej më të njohurve janë mozaikët me gra në rroba banje duke luajtur me top, perëndi dashurie duke peshkuar, kuaj deti të mbështjellë me gëzof pantere, si dhe “Gjuetia e madhe”, ku kafshët mblidhen në rreth për të luajtur, me shumë mundësi organizuar nga pronari i vilës, për të cilin studiuesit besojnë se mund të ketë qenë një zyrtar i lartë me prejardhje nga Afrika e Veriut.
Hulumtimi në këtë kompleks ka filluar në vitet ’50 nën mbikëqyrjen e arkeologut Gino Vinicio Gentili, i cili ka zhvilluar punimet në vendin ku një shembje toke në mesjetë i ka ruajtur reliktet për shekuj me radhë. Ende duhen modele digjitale, analiza gjeofizike dhe studime arkivore për ta rindërtuar formën e plotë origjinale. “The Times” kishte raportuar në mars të vitit 2024 se sajti shpesh ka shenja, mbetje zogjsh, depërtim uji dhe pamjaftueshmëri fondesh, ndryshe prej thesarit perandorak që paraqiste dikur.