Kulturë

“Hera e parë: Kosovë” me pesëshen nga Serbia në thyerje paragjykimesh

Me paralajmërimin “një udhëtim për pesë persona” nis dokumentari “Hera e parë: Kosovë”, i cili përcjell vizitën e parë të pesë shtetasve nga Serbia në Kosovë. Në intervistat para se të marrin rrugë dëgjohen edhe pyetjet nëse “ka internet atje” e “cilat do të jenë reagimet nëse flasim serbisht”. U mjafton një javë në Kosovë për të kuptuar se përse ato pyetje tingëllojnë të çuditshme. Përshtypjet u ndryshojnë plotësisht dhe dokumentari sjell një pikëpamje tjetër, përtej raporteve zyrtare midis Kosovës dhe Serbisë

“Hera e parë: Kosovë”, nën regji të gazetarit Idro Seferi është dokumentari i cili ndjek rrugëtimin e pesë qytetarëve nga Serbia të cilët vijnë për herë të parë në Kosovë. Nëpërmjet intervistave, filmi shpërfaq bindjet e tyre, emocionet dhe ato që i dinë mbi historinë e pasur të rajonit, kulturën dhe relacionet e ndërlikuara midis Kosovës dhe Serbisë. Zanafilla: disa pyetje të çuditshme me të cilat ishte përballur vetë gazetari Seferi.

Ana Pindoviq, Borko Eriq, Vladimir Periq, Jelena Kovaçev dhe Urosh Vasiljeviq marrin rrugën për në Kosovë me shumë pyetje në mendje. Ua gjen përgjigjet për jo më shumë se një javë qëndrimi këtu. Zbarkuan në Prishtinë për ta nisur eksplorimin e Kosovës. Ushqimi, jeta e natës, monumentet kulturore e historike e edhe komunat me shumicë serbe ishin pjesë e ekspeditës së tyre. Krejt këto të përcjella me informata nga personalitete, udhëheqës institucionesh e organizatash në Kosovë. Protagonistët e dokumentarit kureshtja filloi t’i shtynte drejt pyetjeve ndryshe nga ato që kishin para se të vinin. Një takim e patën edhe me aktorin Enver Petrovci. Ai rrëfeu përvojën e tij në Beograd dhe e përmbylli takimin me mesazhin se dashuria e drejton botën. Për vizitën në Mitrovicë, në intervistat e dokumentarit ata kanë thënë se u ka lënë ndjenja jo të mira dhe hamendje se si një urë të ndajë një qytet përderisa është simbol i bashkimit.

Premiera e dokumentarit fillimisht ishte dhënë në Beograd, e të martën mbrëma edhe në Prishtinë në kinemanë “Armata”. Në publik ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qëndruar shkurt.

Idro Seferi ka thënë se ideja për realizimin e dokumentarit të këtij formati ka qenë e kamotshme dhe ka lindur nga pyetjet e çuditshme që kolegët serbë ia kanë bërë për Kosovën.

“Duke jetuar mes Prishtinës dhe Beogradit tërë kohën dhe çdoherë kam qenë i shokuar me pyetjet që më janë bërë për gjëra shumë të thjeshta. Kështu që mendova për një qasje shumë të thjeshtë, për të treguar vetëm sipërfaqësisht se si është Kosova dhe si është jeta në Serbi”, ka thënë Seferi.

Gjatë shëtitjeve nuk mungonin as krahasimet e qyteteve të Kosovës me ato në Serbi e në vende të tjera. Edhe Seferi ka thënë se është me rëndësi që njerëzit të fokusohen te të përbashkëtat më shumë sesa te dallimet.

“Krahas këtyre diskutimeve që i kemi, është e rëndësishme që njerëzit t’i gjejnë të përbashkëtat me njëri-tjetrin. Shumë njerëz në Beograd kur i kanë parë pjesët e filmit janë ndier shumë më afër Kosovës. Shumë prej tyre pasi që e kanë parë filmin kanë ardhur dhe më kanë thënë se dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën", ka thënë ai.

Situata e përgjithshme dhe tensionet ndërmjet dy shteteve e kanë shtyrë Idro Seferin që nëpërmjet këtij projekti të shpërfaqë një realitet i cili shkon përtej asaj që mediat dhe politika e paraqesin.

“Kjo është edhe përvoja ime për krejt këto vite gjatë të cilave kam jetuar në Beograd. Më duhet të shkoj atje dhe t’i jetoj përditshmërinë, vizitat te mjeku, te berberi dhe çdo gjë tjetër që një njeri kalon në jetën e tij normale. Mundohem që t’i sjell kolegët e mi këtu nga Serbia dhe kur kam mundësi i ftoj edhe kolegët nga Kosova në Beograd, sepse mendoj që të paktën duhet të dimë se si duket diçka nga afër e jo nga shkrimet që shpeshherë nuk e paraqesin një situatë ashtu siç është”, ka thënë ai.

Prishtina, Prizreni, Mitrovica dhe Graçanica kanë qenë vendet të cilat qytetarët e Serbisë i vizituan në Kosovë. Secili prej tyre u ka lënë përshtypje të veçantë. Urosh Vasiljeviq ka thënë se e kishte përshtypjen se Prishtina dhe Graçanica janë me qindra kilometra larg.

“Nuk e kam ditur se Graçanica është kaq afër Prishtinës. Mënyra se si janë paraqitur nëpër media atje në Serbi, të jepte përshtypjen se janë më shumë se 200 kilometra midis këtyre dy qyteteve. Në film, kur kemi qenë në Prizren e kam përmendur se do të kthehem për ta vizituar Prizrenin dhe tash që kam ardhur kam bërë plane personale dhe në njëfarë mënyre kësaj radhe unë kam qenë nikoqir i Idros aty”, ka thënë Vasiljeviq.

Seferi ka edhe një pjesë tjetër të dokumentarit që sjell këndvështrimin e palës tjetër. Titullohet “Hera e parë: Serbi”, që nuk është shfaqur ende në Kosovë, por në panelin e diskutimit ka qenë edhe Arber Topalli, protagonist në atë pjesë të dokumentarit të realizuar në Serbi. Ai ka thënë se përjetimi i Beogradit për herë të parë nuk ka qenë shumë larg pritshmërive të tij.

“Para se të shkoja në Beograd kam shikuar shumë video nëpër rrjetet sociale dhe ka qenë pak a shumë ajo çfarë e kam pritur. Çfarë më ka mahnitur është dashuria që serbët e kanë për qentë, ata i trajtojnë qentë atje shumë më mirë se ne në Kosovë. Fakti tjetër që më është dukur interesant është se shumë njerëz janë thjesht indiferentë ndaj problemeve. Nuk kanë mendime as pozitive as negative sa u përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kam dyshuar në sinqeritetin e disa njerëzve, sepse kur pyeteshin për Kosovën përgjigjet e tyre nuk më dukeshin edhe aq të sinqerta”, ka thënë Topalli.

Dokumentari është projekt i përbashkët i ambasadave të Holandës në Prishtinë dhe Beograd. Ai pritet të transmetohet në televizionet publike në Kosovë e Serbi.