EXPRESS

“Hera e parë: Kosovë” në thyerje paragjykimesh

“Hera e parë: Kosovë”, nën regji të gazetarit Idro Seferi, është dokumentari i cili ndjek rrugëtimin e pesë qytetarëve serbë të cilët vijnë për herë të parë në Kosovë. Nëpërmjet intervistave, filmi shpërfaq bindjet e tyre, emocionet dhe ato që i dinë mbi historinë e pasur të rajonit, kulturën dhe relacionet e ndërlikuara midis Kosovës dhe Serbisë.

Ana Pindoviq, Borko Eriq, Vladimir Periq, Jelena Kovaçev dhe Urosh Vasiljeviq marrin rrugën për në Kosovë me shumë pyetje në mendje, përgjigjet e të cilave i marrin brenda një jave qëndrimi këtu.

Premiera e dokumentarit fillimisht ishte dhënë në Beograd, e të martën mbrëma edhe në Prishtinë, në kinemanë “Armata”. Në publik ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qëndruar shkurt.

Idro Seferi ka thënë se ideja për realizimin e dokumentarit të këtij formati ka qenë e kamotshme dhe ka lindur nga pyetjet e çuditshme që kolegët serbë i kanë bërë për Kosovën.

“Kjo ka qenë një ide e kamotshme e imja, sepse jam duke jetuar mes Prishtinës dhe Beogradit tërë kohën dhe çdoherë kam qenë i shokuar me pyetjet që më janë bërë për gjëra shumë të thjeshta. Kështu që mendova për një qasje shumë e thjeshtë, për të treguar vetëm sipërfaqësisht se si është Kosova dhe si është jeta në Serbi. Krahas këtyre diskutimeve që i kemi është e rëndësishme që njerëzit t’i gjejnë të përbashkëtat me njëri-tjetrin. Shumë njerëz në Beograd kur i kanë parë pjesët e filmit janë ndier shumë më afër Kosovës. Shumë prej tyre pasi që e kanë parë filmin kanë ardhur dhe më kanë thënë se dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën”.

Seferi, duke e parë situatën e përgjithshme dhe tensionet ndërmjet dy shteteve, ka thënë se kjo është një përpjekje për të shpërfaqur një realitet i cili shkon përtej asaj që mediat dhe politika e paraqesin.

“Herën e fundit në Mitrovicë kam qenë kur ishin të vendosura barrikadat në dhjetor. Mendoj se e kam realizuar një storie mjaft të mirë rreth një shoqërie në mes disa serbëve dhe shqiptarëve të cilët edhe atëherë, me gjithë ato tensione vendosën që të jenë pjesë e stories sime dhe të flasin kundër tensioneve. Kjo është edhe përvoja ime për krejt këto vite gjatë të cilave kam jetuar në Beograd. Më duhet të shkoj atje dhe t’i jetoj përditshmërinë, vizitat te mjeku, te berberi dhe çdo gjë tjetër që një njeri kalon në jetën e tij normale. Mundohem që t'i sjell kolegët e mi këtu nga Serbia dhe kur kam mundësi i ftoj edhe kolegët nga Kosova në Beograd, sepse mendoj që të paktën duhet të dimë se si duket diçka nga afër e jo nga shkrimet që shpeshherë nuk e paraqesin një situatë ashtu siç është. Mendoj se nuk ka një të ardhme në qoftë se nuk flasim për gjërat për të cilat duhet të flasim”.

Prishtina, Prizreni, Mitrovica dhe Graçanica kanë qenë vendet të cilat qytetarët e Serbisë i vizituan në Kosovë. Secili prej tyre u ka lënë përshtypje të veçantë. Urosh Vasiljeviq ka thënë se e kishte përshtypjen se Prishtina dhe Graçanica janë me qindra kilometra larg.

“Nuk e kam ditur se Graçanica është kaq afër Prishtinës. Mënyra se si janë paraqitur nëpër media atje në Serbi, të jepte përshtypjen se janë më shumë se 200 kilometra midis këtyre dy qyteteve. Në film, kur kemi qenë në Prizren e kam përmendur se do të kthehem për ta vizituar Prizrenin dhe tash që kam ardhur kam bërë plane personale dhe në njëfarë mënyre kësaj radhe unë kam qenë nikoqir i Idros aty”.

Seferi ka edhe një pjesë tjetër të dokumentarit që sjell këndvështrimin e palës tjetër. Titullohet “Hera e parë: Serbi”, që nuk është shfaqur ende në Kosovë, por në panelin e diskutimit të martën mbrëma ishte edhe Arber Topalli, protagonist në atë pjesë të dokumentarit, realizuar në Serbi. Ai ka thënë se përjetimi i Beogradit për herë të parë nuk ka qenë shumë larg pritshmërive të tij.

“Para se të shkoja në Beograd kam shikuar shumë video nëpër rrjetet sociale dhe ka qenë pak a shumë ajo çfarë e kam pritur. Çfarë më ka mahnitur është dashuria që serbët e kanë për qentë, ata i trajtojnë qentë atje shumë më mirë se ne në Kosovë. Tjetri fakt që më është dukur interesant është se shumë njerëz janë thjesht indiferentë ndaj problemeve. Nuk kanë mendime as pozitive as negative sa u përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kam dyshuar në sinqeritetin e disa njerëzve, sepse kur pyeteshin për Kosovën përgjigjet e tyre nuk më dukeshin edhe aq të sinqerta”.

Dokumentari është projekt i përbashkët i ambasadave të Holandës në Prishtinë dhe Beograd. Ai pritet të transmetohet në televizionet publike në Kosovë e Serbi.