Një helmetë e lashtë e artë e paçmuar nga Rumania, e vjedhur vitin e kaluar nga një muze në Holandë, është rikthyer. Me rojë policore, prokurorët zbuluan përkrenaren dy mijë e 500-vjeçare Cotofenesti, një nga thesaret kombëtare më të nderuara të Rumanisë nga qytetërimi dak, gjatë një konference për shtyp në qytetin lindor holandez Assen. Helmeta ishte pjesë e një ekspozite gjashtëmujore në muzeun holandez “Drents”, kur hajdutët hynë me forcë dhe e vodhën atë, së bashku me tre byzylykë të artë
Një helmetë prej ari dy mijë e 500 vjet e vjetër, e konsideruar një nga thesaret më të mëdha të Rumanisë, është rikthyer në vendin e origjinës më shumë se një vit pasi u vodh gjatë grabitjes në një muze holandez. Ajo dhe dy byzylykë prej ari që datojnë rreth vitit 450 para erës sonë u prezantuan të enjten si artefakte të rikthyera në muze, të siguruara pas një vitrine xhami dhe të ruajtura nga dy policë të armatosur. Një byzylyk i tretë ende nuk është gjetur.
Vjedhja e helmetës Coțofenești dhe byzylykëve nga një grup i armatosur që hyri me forcë në muzeun “Drents” në Assen, shkaktoi zemërim në Rumani dhe ngriti pyetje mbi sigurinë e artefakteve të paçmueshme të dhëna hua në vende të tjera.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Është një rezultat i pritur gjatë”, ka thënë për gazetarët prokurorja rumune, Daniela Buruiană. “Jemi të lumtur që tani po e dëshmojmë këtu rikuperimin e artefakteve rumune”, shtoi ajo.
Në kohën kur u vodhën, thesaret ishin dhënë hua nga Muzeu Kombëtar i Historisë në Rumani, si pjesë e një ekspozite të quajtur “Dacia – perandoria e arit dhe argjendit”, e cila tregonte historinë e qytetërimit dhe njerëzve që jetonin në territorin e sotëm të Rumanisë para pushtimit romak në vitin 106. Vjedhja e tyre shkaktoi një përplasje midis dy shteteve, që çoi në pagesën nga qeveria holandeze të një kompensimi sigurimi prej rreth 5.7 milionë eurosh.
Zyrtarët rumunë refuzuan të diskutojnë se çfarë do të ndodhë me atë shumë tani.

Robert van Langh, drejtor i muzeut “Drents” në veri të Holandës, ka thënë se helmeta ishte dëmtuar pak, por mund të restaurohej. Byzylykët mbetën në gjendje të përkryer, ka shtuar ai.
Prokurori rumun Rareș-Petru Stan ka folur për “ndikimin e madh” që kishte pasur vjedhja në vendin e tij, dhe lavdëroi kolegët holandezë për punën e tyre të palodhur dhe këmbënguljen për gjetjen e artefakteve.
“Ne po vazhdojmë hetimet për të gjetur byzylykun e fundit dhe jemi mirënjohës që do të jemi në gjendje t’ia kthejmë këtë thesar popullit rumun”.
Prokurorja holandeze, Corien Fahner, ka bërë të ditur se helmeta dhe byzylykët iu dorëzuan autoriteteve të mërkurën, pas negociatave që përfshinë avokatët e tre të dyshuarve. Dy burra në mesin e të 30-ave dhe një 21-vjeçar do të përballen me gjyqin më vonë këtë muaj, dhe Fahner ka thënë se kthimi i thesareve ishte pjesë e një marrëveshjeje para gjyqit me avokatët mbrojtës të të dyshuarve.
Burrat u arrestuan brenda pak ditësh pasi grupi përdori eksploziv për të hyrë në muze, por deri atëherë nuk kishte asnjë gjurmë të objekteve të paçmueshme. Ekspertët e artit sugjeruan se helmeta dhe byzylykët u vodhën me porosi nga një grup kriminal.
Disa muze provincialë në Holandë janë bërë objektiv në vitet e fundit për shkak të vështirësisë në sigurimin e mbrojtjes së duhur të artefakteve të paçmueshme.
Helmeta dhe byzylykët ndodheshin në një vitrinë xhami që konsiderohej mbrojtje e pamjaftueshme ndaj grupit të armatosur.
Në vitin 2024, dy vepra të Andy Warhol u vodhën nga një galeri në jug të Holandës dhe gjashtë vjet më parë një pikturë e Frans Halsit, e quajtur “Dy djem që qeshin”, u vodh nga një muze i vogël në qytetin qendror, Leerdam.
Ish-drejtori i Muzeut Kombëtar të Historisë në Bukuresht, Ernest Oberländer-Târnoveanu, u përball me kritika të shumta për dhënien hua të objekteve të arit jashtë vendit, dhe u pushua nga puna pak ditë pas vjedhjes.
Ai u shpreh i kënaqur që helmeta është rikthyer.
“Ky është një objekt unik në trashëgiminë kulturore evropiane dhe madje globale”, ka thënë ai për “RTL Nieuws”. “Helmeta është një simbol i rëndësishëm shoqëror dhe politik i qytetërimit tonë”.