Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Hapësira e një ëndrre” aterroi në Prishtinë

Pas një kohe të gjatë përkushtimi dhe pune për koncertin “Hapësira e një ëndrre”, më në fund, artisti Alban Skënderaj erdhi me një interpretim të mrekullueshëm përpara publikut kosovar.

Në mesin e shumë të pranishmëve që kishin ardhur ta dëgjonin këngëtarin, vajzat ishin ato që dominonin më shumë nga të pranishmit. Disa nga to kishin të veshura edhe bluzat me fotografi të Albanit.

Por, adhurueset e zjarrta të Albanit nuk e kishin harruar as Miriam Canin, pasi nuk munguan edhe buqetat me lule për të.

Këngëtari, bashkë me një numër të madh njerëzish, kanë organizuar këtë koncert për të cilin janë kujdesur deri në detajet më të vogla që pjesëmarrësit të ndahen të kënaqur, raporton Express i KTV-së.

Orkestri i madh simfonik, skena e rregulluar enkas, ku ndriçimi luante një rol të veçantë, si dhe masat për një zërim pa kurrfarë pengese, e bënë më ndryshe këtë koncert.

E gjithë salla ishte e mbushur me shumë ngjyra dhe me një numër prej 3000 pjesëmarrësish që ishin gati tërë kohën për të kënduar bashkë me të.

Sapo u ngjit në skenë, Albani u prit me duartrokitje të mëdha dhe ishte i emocionuar bashkë me publikun.

Padyshim se momenti më emocionues gjatë koncertit ishte kur Albani dhe bashkëshortja e tij Miriam Cani para se të performonin këngën “Dhurata”, të cilën ia kanë dedikuar vajzës së tyre Amelia, kishin rezervuar lajmin më të gëzuar se po bëhen prindër për herë të dytë.

Këngëtari, i cili në Kosovë ka shumë adhurues, si gjithherë, është i kënaqur me energjinë që merr këtu.

Për ta përmbyllur “Hapësirën e një ëndrre” në mënyrën më të mirë të mundshme për publikun kosovar, që njëherësh është edhe pika e dobët e Albanit......ai ka zgjedhur këngën .....”Vetëm ty”.

Artikuj të ngjashëm