Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Green Fest” – ndrit Mitrovicën me vetëdijesimin për mjedis

Duke njohur rëndësinë e qeverisjes lokale, festivali “Green Fest”, nëpërmjet artit dhe kulturës, synon të ndërgjegjësojë qytetarët për çështjet mjedisore dhe ato urbane. Prej datës 16 deri më 22 gusht, edicioni i sivjetmë që mbahet në qytetin e minatorëve ka zgjedhur si moto “Ndrite qytetin” në kërkim të krijimit të një mjedisi më të qëndrueshëm. Rrjedhimisht, në kuadër të programit të festivalit, ura e qytetit, qendra, fabrikat e “Trepçës”, si dhe hapësirat te liqeni artificial do të trajtohen profesionalisht ashtu që të marrin vëmendjen e duhur të vendimmarrësve dhe qytetarëve

Çështje urbane e mjedisore të Mitrovicës do të përkthehen si problematika përmes artit dhe kulturës. Me parullën “Ndrite qytetin”, festivali shumëdisiplinar “Green Fest” – që sivjet ka edicionin e tij të 11-të me radhë – ka shpalosur programin që do të qendërzohet rreth synimit për ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi mjedisin.

“Edicioni i njëmbëdhjetë i ‘Green Fest’, nën temën ‘Ndrite Qytetin’ do të fokusohet në potencialet që do të çonin drejt menaxhimit sa më efikas të qyteteve, me qëllim që të jenë sa ma gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe të qëndrueshme. Fokus i këtij programi sensibilizues e hulumtues do të jenë potencialet ekzistuese në qytetin dhe rrethinën e Mitrovicës”, është thënë në një kumtesë për media të lëshuar nga organizatorët e Festivalit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aty është bërë e ditur se programi i përgjithshëm i Festivalit përbëhet nga aktivitete të ndryshme si ekspozita artistike, shfaqje filmash, diskutime, punëtori, promovim libri, ligjërime, si dhe do të përmbyllet me dy net muzikore në qytetin e minatorëve.

“’Green Fest’ përkrah industrinë kreative e inovative, që të jetë sa më pranë qytetarëve drejt ndërgjegjësimit mbi ndryshimet klimatike dhe domosdoshmërisë për të kontribuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm”, është thënë më tej në kumtesë.

Duke nënvizuar rolin jetik të qeverisjeve lokale, organizatorët e “Green Festival” kanë thënë se thirrja e tyre “Ndrite qytetin” vjen si shpresë që vendimmarrësit do të fokusohen për zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër në qytet, si dhe do të marrin parasysh kërkesat e qytetarëve “për të shkuar drejt ndërtimit të qyteteve sa më gjithëpërfshirëse, të jetueshme dhe më të gjelbra”.

Si të mbara i ka konsideruar përgatitjet e gjertanishme drejtori ekzekutiv i festivalit, Lulzim Hoti. I ftuar të enjten pasdite si mysafir në emisionin “Express” në KTV, ai ka thënë se qëllimi i këtij evenimenti është vetëdijesimi i shoqërisë për mjedisin duke përdorur artin dhe kulturën si instrumente.

“Kauza e zgjedhur për sivjet e trajton komunitetin e qyteteve të qëndrueshme, meqë qyteti vetvetiu ndikon në mjedis”, ka thënë Hoti.

Së këndejmi, ka vijuar ai, motoja “Ndrite qytetin” synon të kthejë vëmendjen kah ura kryesore e Mitrovicës, fabrikat e “Trepçës”, hapësirat te liqeni artificial, si dhe te qendra e qytetit.

“Këto pjesë kanë nevojë për një vëmendje të veçantë, duke u trajtuar në mënyrë profesionale ashtu që vërtet të ‘ndritën’”, ka theksuar Hoti.

Derisa ka bërë me dije se edhe ky edicion ka zgjuar interesim tek të rinjtë vullnetarë, veçmas femrat, ai ka bërë me dije se në programin e këtij edicioni – që mbahet kryesisht te Muzeu i Qytetit dhe “7 Arte” – do të bëhet edhe promovimi i librit “See my soul”.

Siç është bërë me dije nga organizatorët, edhe dy net muzikore do ta shoqërojnë festivalin e sivjetmë. Në natën e parë, më 21 gusht, do të interpretojnë Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra, Jericho dhe DJ Uran B, kurse në natën e dytë, më 22 gusht, do të ketë performime nga Eugent Bushpepa, bendi arbëresh “Shega”, si dhe Dj Wisse.

Ndryshe, “Green Fest” organizohet nga organizata kulturore “7Arte”, e cila ka për qëllim mbështetjen e artistëve në vend, si dhe zhvillimin e promovimin e një kulture të përbashkët evropiane.

Sikundër edhe herëve të tjera, edicioni i sivjetmë është mbështetur edhe nga institucione qendrore e lokale, si Ministria e Kulturës, Drejtoria për Kulturë në Komunën e Mitrovicës, organizata partnere, donatorë dhe sponsorë të ndryshëm.