Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gratë e vërteta nga filmi i shumë çmimeve “Zgjoi”

Të përjetësuara në filmin e shumëçmuar “Zgjoi”, prodhueset e specave të një fshati të vogël të Kosovës vazhdojnë të nxjerrin prodhimet e tyre dhe të luten për lajme për 64 të afërmit meshkuj të zhdukur ende nga lufta. Më shumë se 50 gra mblidhen çdo ditë, duke bërë ajvar dhe produkte të tjera për të mbështetur familjet e tyre dhe për të ndihmuar në zbutjen e dhimbjes së humbjes së burrave të tyre

Serbia dhe ish-Krahina e saj e Kosovës kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada. Lufta e tyre e viteve 1998-1999 la më shumë se 10 mijë njerëz të vdekur, kryesisht shqiptarë të Kosovës.

Rreth 1 milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre përpara se një fushatë bombardimi e NATO-s ta detyronte Serbinë të tërhiqte trupat e saj nga vendi dhe t'ua dorëzonte kontrollin Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s.

Sot, më shumë se 1 mijë e 600 njerëz janë ende të zhdukur.

Bashkëshorti i Fahrije Hotit është njëri prej tyre.

Hoti është në mesin e shumë të vejave të luftës në fshatin e vogël të Krushës së Madhe, 90 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Prishtinë.

Edhe Përgatitja e ajvarit nga gratë e Krushës SOT Përgatitja e ajvarit nga gratë e Krushës

Për të ndihmuar në tejkalimin e dhimbjes së humbjes së tyre, Hoti krijoi një ndërmarrje që prodhon një specialitet nga speci i njohur si ajvar dhe produkte të tjera të punuara me dorë.

Ajo punëson më shumë se 50 gra në fshat me kohë të plotë.

Pothuajse të gjitha janë të veja, burrat dhe të afërmit e të cilave janë në mesin e 243 meshkujve të marrë nga policia dhe forcat paraushtarake serbe një ditë pas fillimit të bombardimeve 78-ditore të NATO-s në vitin 1999. Gjashtëdhjetë e katër prej tyre janë ende të zhdukur.

“Në vitet ‘90 u martova në fshatin Krushë, një fshat shumë i qetë, me njerëz punëtorë, të dashur. Në vitin 1999 gjithçka u shkatërrua. Erdhën serbët, grabitën, vranë njerëz, dogjën shtëpi, lanë shumë fëmijë pa prindër dhe gjendja ndryshoi 100 për qind në fshatin tonë. Në familjen time më vranë burrin, që është ende i zhdukur. Tre anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë, 11 anëtarë të tjerë të largët, më shumë se 60 të familjes Hoti. Situata në fshat ndryshoi. U bëmë vejusha”, thotë Hoti.

Pas luftës Hoti, tashmë 52 vjeç, filloi fushatën për gjetjen e burrave të zhdukur dhe në vitin 2005, me disa gra të tjera, filloi të bënte ajvar.

“Organizuam protesta, organizuam disa aktivitete në fshat, kryesisht për të vejat”, kujton ajo.

“Në vitin 2005, kur ende po mbillnim dhe kultivonim tokën e burrave, unë isha me vjehrrin dhe fëmijët e tjerë të vegjël. Fillova të mbillja speca dhe të përfshija gratë, ndoshta jo aq për ekonominë dhe gjendjen financiare, pasi nuk kishte fitime të mëdha, por ishte më shumë për shoqërimin e grave, për të mos harruar të vrarët, por për t'i ndihmuar të kapërcejnë dhimbjen dhe të marrin jetën në duart e tyre, të rrisin fëmijët, t'i edukojnë dhe thjesht të mbulojnë rolin e baballarëve që kishin humbur, në mënyrë që ato të luanin rolin e dy prindërve, nënës dhe babait, gjithashtu për të rritur ekonominë në një kohë kur gjithçka ishte shkatërruar”.

Edhe Kurti u kërkon ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Beogradin për çështjen e të zhdukurve LAJMET E MBRËMJES Kurti u kërkon ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Beogradin për çështjen e të zhdukurve

Në vitin 2010, Hoti kishte regjistruar kooperativën bujqësore “Krusha” duke punësuar gra që përgatisnin dhe shisnin më shumë se 60 produkte të ndryshme, për të mbështetur familjet e tyre dhe për të arsimuar fëmijët e tyre.

Njësia e vogël ka sjellë mbështetjen e nevojshme financiare për familjet e të vejave dhe ka rikthyer ndjenjën e jetës së tyre të vjetër të paraluftës.

“Fshati ynë ka rifilluar jetën e mëparshme sa i përket ekonomisë dhe vendeve të punës. Ende na mungon pjesa e 64 personave të zhdukur, përfshirë edhe bashkëshortin tim. Kjo është me gjasë ajo që i mungon çdo familjeje në tërë Kosovën dhe kudo që ka luftë”, thotë Hoti.

Sadbere Hoti punon në kooperativë. Katër anëtarë të familjes së saj të ngushtë u vranë në vitin 1999. Ajo nuk dëshiron të flasë për ta.

“Kemi pasur trauma të mëdha, por kjo punë dhe Fahrija na kanë ndihmuar shumë për ta kapërcyer atë”, thotë ajo.

Krahas shoqërimit dhe ndihmës financiare, gratë kanë gjetur edhe famë.

Edhe 27 vjet thirrje për drejtësi për qindra të vrarë e të zhdukur në Krushë të Madhe e të Vogël LAJMET E MBRËMJES 27 vjet thirrje për drejtësi për qindra të vrarë e të zhdukur në Krushë të Madhe e të Vogël

Filmi i shumëçmuar “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, përshkruan jetën e Hotit dhe të kooperativës së saj.

Ai u bë produksioni i parë në historinë e Festivalit të Filmit në Sundance që fitoi tri çmimet më të mira në konkursin botëror të kinemasë dhe vitin e kaluar konkurroi si pretendues për “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.