Arbëri

Vrasjet që lanë në gjysmë telefonatën e Shqipe Vocës e morën jetën e 9 shqiptarëve të tjerë

nata e tmerrit

Foto: Driton Paçarada

Në urën që lidh jugun e veriun e Mitrovicës, të mërkurën u vendos një pllakë përkujtimore për të kujtuar 10 viktimat e sulmit të organizuar ndaj shqiptarëve në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000. Tmerrin e asaj nate, kur grupe kriminale serbe të njohura si “Rojet e urës” vranë e dëbuan shqiptarët e pjesës veriore, e kanë kujtuar edhe familjarët e viktimave

Emri i Shqipes, motrës së Ylber Xharrës, është gdhendur në pllakën përkujtimore të vendosur të mërkurën në urën që lidh jugun dhe veriun e Mitrovicës. Shqipe Xharra-Voca e burri i saj, Nezir Voca, janë në mesin e 10 shqiptarëve të vrarë në Mitrovicë nga grupe të armatosura serbe që njiheshin si “Rojet e urës”, pak muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. 

Vëllai i Shqipes, Ylberi paraditen e së mërkurës udhëtoi nga Prishtina për në Mitrovicë që të shohë nga afër pllakën e vendosur për viktimat, në përvjetorin e 26-të të 3 dhe 4 shkurtit, të njohur si nata e tmerrit. Ai tregon se motra ka jetuar 50 metra afër stacionit policor në veri, e se ka qenë mysafire të fqinjët kur ia kanë vrarë burrin, fillimisht. 

“Motra kur ka ndodhur rasti ka qenë te një kojshike, te një fqinje dhe e kanë nie zhurmën, ndërkohë ngjarja ka ndodhë në banesën e motrës. (Pjesëtarët e bandës) kanë trokit, ka dalë dhëndri edhe është kacafyt diçka me ta, sipas fjalëve kurrgjë të sigurta, dhe është kthye dhëndri me hy në banesë, kanë gjuajt me automat dhëndrin, gjysma e trupit jashtë hymjes, gjysma brenda. Motra me të ni ka ngajt në banesë ka ardh e ka pa edhe e ka marrë telefonin. Telefon të shtëpisë atëherë, ka qenë në korridor, kujna ka dashtë me i telefonu kujna i ka telefonu ku me dit në telefon, qysh ka qenë me telefon në dorë me një plumb në kokë”, tregoi ai tek shtoi se kufoma e motrës e dhëndrit të tij nuk është prekur nga ata që i kanë vrarë. 

“Kur e kemi identifiku kanë qenë komplet… zinxhiri i arit, unazat, vathët, nuk kanë plaçkit. I kanë vra edhe kanë ikë”, ka rrëfyer Ylber Xharra.

Për rastin, pa ditur fillimisht hollësitë, Xharra mori vesh nga familjarët e tij tek të nesërmen. “Kemi ardh këtu deri te ura nuk na kanë lënë me hy andej se kanë qenë në veri. Kemi prit gati gjithë ditën, kanë tregu se kufomat janë në banesë, dera është e hapur, dhëndri ka qenë në korridor. Disa ditë, më duket dy ditë ka marrë përsipër KFOR-i me i pru kufomat në Prishtinë... na kanë thirrë prej morgut me i identifiku, i kemi identifiku. Dhëndri i ka pas shtatë plumba në shpinë, motra një plumb në kokë”, thotë ai. 

“Pas nja 2 dite, mas obduksionit na i kanë dhënë kufomat, i kemi pru këtu (në Mitrovicë) janë varros me të gjitha procedurat normale”.

Si të tmerrshme e ka përshkruar natën e 3 dhe 4 shkurtit, Luan Abrashi, i cili si 13-vjeçar përjetoi vrasjen e nënës së tij, Sebihas. Abrashi thotë se vrasjet kanë qenë shumë mirë të organizuara nga strukturat serbe e janë bërë në praninë e forcave të KFOR-it e UNMIK-it. Shprehet i zhgënjyer për mungesën e drejtësisë. 

“Ka qenë një natë e tmerrshme, realisht vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare, me bomba, me armë të ftohta edhe me çdo gjë që kanë mujtë ata…. Fatkeqësia është se edhe pas rastit, pas 26 viteve, ende nuk ka drejtësi sa i përket viktimave të asaj nate. Nuk është dënuar askush, edhe pse dihet shumë mirë kush ka qenë në krye, si Oliver Ivanoviqi, Delibashiqi e të tjerë, mirëpo nga drejtësia edhe vendore edhe ndërkombëtare asgjë nuk është marrë”, ka thënë ai, tek ka marrë pjesë në zbulimin e pllakës në të cilën po ashtu është i gravuar emri i nënës së tij.

Dyshime se mund të bëhet diçka për vënien e drejtësisë, ka vëllai i Shqipe Xharra-Vocës, Ylberi.

Ndonëse thotë se do të ishte një lehtësim për ta e familjarët e viktimave të tjera, skepticizmi që ka ia lë në gjysmë fjalinë. 

“Kjo është zbeh pak a shumë (thirrja për drejtësi), tjetër gjë që neve kujtimi, neve na mbetet por thirrje na as nuk kem në dorë diçka, siç duket edhe pushtetarët nuk kanë diçka në dorë. Pas tashti...kryesit e kësaj nuk janë këtej pari sigurisht, po mendoj... Po dyshoj që munden me bo diçka tash e mbas. Kish qenë mirë me u bo por…”.

Xharra, Abrashi e familjarë të tyre nga ura u drejtuan për në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, ku ishin të ekspozuara fotografitë e viktimave të natës së tmerrit. 108 fotografitë e ekspozuara shpërfaqnin krimin jo vetëm të 3 dhe 4 shkurtit. 

Nga aty, thirrje për vënie të drejtësisë bëri Faton Peci kryetari i Mitrovicës së Jugut. “Institucionet e rendit dhe të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet që sa më parë, akterët të cilët kanë qenë organizatorët dhe protagonistët e këtyre krimeve të llahtarshme saqë më parë të jenë para sistemit të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ai.

Në Mitrovicë, ku edhe ka të varrosur motrën e dhëndrin, Ylber Xharra, thotë se shkojnë çdo vit, për të përkujtuar atë që ka ndodhur 26 vjet më parë. Por, këtë vit për shkak të vendosjes së pllakës e aktiviteteve tjera të organizuara, Xharra thotë se organizimi ka qenë më ndryshe.

“Vijmë i përkujtojmë, mirë që është përkujtu kështu pak në mënyrë zyrtare, gjithë ka pas por jo… prej dorës së dytë dhe do përkujtime, sivjet ka qenë më mirë po më duket. Pak-pak një shenjë të paktën”.
Për adresimin e kërkesave të familjarëve të viktimave e të familjeve që janë dëbuar nga veriu, u zotua kryetari i Mitrovicës. 

“Edhe familjarët edhe secila familje e veriut do të trajtohet edhe nga komuna por njëkohësisht në koordinim me qeverinë sikurse ka qenë edhe procesi i rindërtimit të shtëpive ne do të vazhdojmë koordinimin dhe të gjitha kërkesat e tyre, të cilët ata me të drejtë i adresojnë, do të gjejnë përkrahje edhe në komunë edhe në qeveri”, tha Faton Peci. 

Krahas 10 të vrarëve nga 13-65 vjeç, nga sulmi i natës në mes të 3 dhe 4 shkurtit, u plagosën edhe 25 banorë të tjerë e llogaritet se janë dëbuar rreth 12 mijë banorë.