Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gërmimet arkeologjike peng i procedurave të pagesave

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka paraparë 12 projekte kapitale për këtë vit. Pos listës së këtyre projekteve – që janë të përfshira në Ligjin për buxhetin e këtij viti – ky institucion ka për detyrë që varësisht nga nevoja të bëjë edhe intervenime emergjente.

Por pavarësisht kohës së përshtatshme atmosferike gjatë muajit të kaluar, IAK-ja nuk ka nisur punën për gërmime arkeologjike e as për restaurime e konservime, shkruan sot “Koha Ditore”.

Institucioni është në hall me procedurat e pagesave ndaj furnitorëve prej të cilëve merr vegla e material tjetër për punë, por edhe ndaj punonjësve shtesë që angazhohen në projekte. Shkaku i mënyrës së kryerjes së pagesave nuk ka nisur realizmi i projekteve në terren.

IAK-ja nuk do që të përsëriten problemet e 2018-s. Deri në qershor të vitit të kaluar, institucionet e kulturës dhe ato të trashëgimisë kulturore në vartësi të Ministrisë së Kulturës kanë pasur llogaritë e veta financiare, nëpërmjet të të cilave kanë bërë pagesat për bashkëpunëtorë.

Llogaritë bankare në banka komerciale ishin cilësuar si të parregullta nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe ishin bllokuar atë muaj.

Shkaku i bllokimit të llogarive institucionale për dallim nga ato të kulturës, institucionet e trashëgimisë kulturore, sikurse është Instituti Arkeologjik i Kosovës, qysh prej gushtit e kanë pasur të pamundur funksionimin. Në fund të gushtit IAK-ja kishte ndërprerë punën në lokalitete të rëndësishme arkeologjike, siç janë Ulpiana e Dresniku. Ndërprerja ishte bërë në pamundësi për të paguar me kohë punonjësit e angazhuar. Në shtator ishte vendosur që të gjitha pagesat të bëheshin direkt nga Thesari, dhe procedura kërkon kohë më të gjatë.

Edhe Dymbëdhjetë projekte për gërmime arkeologjike mbesin të bllokuara Kulturë Dymbëdhjetë projekte për gërmime arkeologjike mbesin të bllokuara

Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Harilaqit, Lokaliteti Ulpiana, Kalaja e Dardanës, Lokaliteti Dresnik, Kalaja e Novobërdës, Kalaja e Keqekollës, Kalaja e Marecit, Kalaja e Vuçakut, Kalaja e Korishit, Lokaliteti Arkeologjik në Barilevë e ai në Gllamnik, janë projektet për të cilat IAK-ja pret të nisë punën.

“Po presim një takim me ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, për të gjetur zgjidhje. Mendimi i arkeologëve dhe i imi është që derisa ne nuk e gjejmë mundësinë që të kompensojmë shpenzimet e terrenit për arkeologë dhe të paguhen njerëzit që angazhohen, të mos punojmë. Për këtë kemi bërë edhe shkresa”, ka thënë drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)