Komuniteti artistik plot jetë i këtij territori ishte testament i qëndrueshmërisë palestineze, por tani po humb zërat qendrorë për shpirtin e tij. Para luftës Gaza kishte një komunitet të madh arti, një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe forcës së njerëzve në rrethanat më sfiduese. Artistët nga të gjitha traditat kanë lulëzuar në këtë territor të trazuar nga lufta
Pikturat shumëngjyrëshe dhe plot jetë të vendeve të shenjta të Jerusalemit dhe grave palestineze të veshura me fustane tradicionale të qëndisura, ishin mënyra e artistes palestineze, Heba Zagout, për t’i dërguar një mesazh “botës së jashtme”. Kështu deklaroi ajo nëpërmjet një videoje të postuar online në fund të muajit shtator.
Dy javë më vonë, artistja vetëm 39-vjeçare u vra së bashku me dy fëmijët e saj, Adam dhe Mahmoud, në një sulm ajror izraelit. Burri i saj dhe dy fëmijët e tjerë mbijetuan.
Zagout është një nga artistët e shumtë, shkrimtarët dhe muzikantët – pjesë e skenës së artit dikur të lulëzuar të Gazës – që ka humbur jetën në brezin bregdetar që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, më 7 tetor, e ku janë shënuar më shumë se 11 mijë vdekje.
Heba Zagout, e cila studioi artet e bukura në universitetin “Al-Aqsa” të Gazës, pikturoi pjesë të qytetit të vjetër të Jerusalemit,të xhamisë “Al-Aqsa”, e shquar si vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe Kishës së Lindjes së Krishtit në Betlehem, e çmuar për të krishterët si vendi i lindjes së Jezusit. Po ashtu, pikturoi imazhe të grave, disa duke mbajtur një pëllumb ose një çelës në duar, që simbolizonin paqen, kthimin në shtëpi dhe kulturën e lashtë.
Zagout e krijoi një platformë me ndjekës të shumtë përmes mediave sociale, linja e shpëtimit për kaq shumë palestinezë të bllokuar në Gaza vitet e fundit, por gjithashtu shpresonte ta realizonte një ekspozitë të re të veprave të saj.
Edhe
Rrëfimet palestineze përtej platformave digjitale bashkohen në botime
Në një video të postuar në YouTube më 28 shtator, ajo tha: “Të gjithë e dimë se ka tensione politike dhe ngjarje që nuk janë të thjeshta në Gaza. Nëpërmjet vizatimit, përpiqem të pasqyroj të gjitha emocionet negative. Unë e konsideroj artin si një mesazh që ia përcjelli botës së jashtme, duke u shprehur rreth kauzës dhe identitetit palestinez”.
Si një artiste shumë e veçantë, Zagout u vlerësua edhe nga Mitri Raheb, një prift luteran dhe themelues i universitetit “Dar al-Kalima” në Betlehem, i cili është specializuar në fushën e artit dhe të kulturës.
“Arti i saj është gjithëpërfshirës. Shumë nga pikturat e saj përfshijnë kisha me kryqe dhe xhami me gjysmëhënë. Ajo gjithashtu sjell një anë shumë femërore në punën e saj. Ajo ishte shumë aktive në qendrën e artit ‘Dar al-Kalima’ në qytetin e Gazës”, ka thënë ai.
Kjo qendër është në afërsi të spitalit “Al-Shifa”, i cili ka qenë shënjestër e bombardimeve izraelite në ditët e fundit.
“Ne jemi shumë të shqetësuar se qendra ‘Dar al-Kalima’ mund të jetë shkatërruar. Drejtoresha është evakuuar në jug, nga frika për jetën e saj”, ka thënë Raheb.
Ai gjithashtu zbuloi se disa artistë janë vrarë nga sulmet ajrore në Gaza. Një prej tyre ishte Mohammed Sami Qariqa, i cili vdiq muajin e kaluar kur një raketë goditi spitalin “Al-Ahli”, ku ishin strehuar qindra palestinezë.
Edhe
Reporterët palestinezë – sytë dhe veshët e botës
Tri ditë më parë, Qariqa shkroi në Facebook se ndiente përgjegjësi për t’ia përcjellë botës lajmet dhe ngjarjet që po ndodhnin brenda spitalit, duke kapur një sërë detajesh të dhimbshme me kamerën e telefonit të tij, përfshirë këtu fotografi, video, audio, mesazhe me shkrim, vizatime dhe të tjerë. Gjithashtu ai kujdesej për t’i argëtuar fëmijët në kompleksin e spitalit, duke luajtur lojëra të ndryshme.
Hiba Abu Nada, shkrimtare e shquar palestineze, u vra së bashku me djalin e saj në një sulm ajror në Khan Yunis, më 20 tetor. Shkrimtarja 32-vjeçare kishte botuar përmbledhje me poezi dhe një roman të titulluar “Oxygen is Not for the Dead”, i cili mori çmimin e dytë në ceremoninë që nderon krijimtarinë arabe “Sharjah Awards”, në vitin 2017.
Poezia e saj e fundit u publikua në platformën “X” disa ditë para vdekjes.
“Nata e Gazës është e errët pa shkëlqimin e raketave/ e qetë përveç zhurmës së bombave/ tmerruese përveç rehatisë së lutjes/ e zezë veç dritës së dëshmorëve. / Natën e mirë, Gaza”.
Para luftës, Gaza kishte një komunitet të madh arti, një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe forcës së njerëzve në rrethanat më sfiduese. Artistët nga të gjitha traditat kanë lulëzuar në këtë territor të trazuar nga lufta, pavarësisht vështirësive për të gjetur materiale dhe tregje për punën e tyre.
Edhe
“Nuk dua të jem numër” – jeta në frikën e vdekjes
Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku