Banorët e Gazas të bllokuar në Bregun Perëndimor po jetojnë me frikën e arrestimit dhe të sigurisë së familjeve të tyre. Lufta ka ndarë mijëra anëtarë të familjeve palestineze nga njëri-tjetri, duke përfshirë fëmijë si Mohammedi, i cili u detyrua nga ushtarët izraelitë që të kalonte në Bregun e pushtuar Perëndimor, ndërsa familja e tij është në Gaza. Ai tregoi një video të kushëririt të tij duke qarë pranë trupit të pajetë të babait të tij, dajës të Mohammedit – duke e lënë atë të vetmin anëtar të mbijetuar të familjes së tij të ngushtë. “Do të doja të vdiste. Do të doja që ai të shkonte me familjen e tij”, tha Mohammedi
“Unë dua që lufta të përfundojë dhe të kthehem në Gaza”, tha Mohammed Abu Seef, një djalë 11-vjeçar, duke mbajtur lotët. “Të lutem ndalojeni. Po humbasim të dashurit tanë”.
Mohammedi e ka kaluar gjithë jetën e tij në Rripin e rrethuar të Gazës, përveç udhëtimeve të tij për në qytetin izraelit të Herzliyas, ku merrte trajtimet mjekësore, e që atëherë është shndërruar në një makth.
Më 7 tetor, një sulm i paprecedentë nga Hamasi rezultoi në vdekjen e më shumë se 1.400 njerëzve në Izrael. Më shumë se 200 izraelitë – përfshirë qytetarë me shtetësi të dyfishtë – u morën peng dhe u sollën në Gaza. Hamasi tha se veprimet e tij ishin përgjigje e asaj që i përshkroi si dekada të mizorive të kryera kundër palestinezëve dhe vendeve të tyre të shenjta.
Që atëherë, më shumë se 10 mijë njerëz në Gaza, duke përfshirë të paktën 3.800 fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite dhe, tani, nga një pushtim tokësor.
Por lufta ka ndarë gjithashtu mijëra anëtarë të familjeve palestineze nga njëri-tjetri, duke përfshirë fëmijë si Mohammedi, i cili u detyrua nga ushtarët izraelitë që të kalonte në Bregun e pushtuar Perëndimor, ndërsa familja e tij është në Gaza.
Edhe
Një palestinez përballë dy epokave të shkatërrimit
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se më shumë se 45 për qind e shtëpive dhe një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës civile në Gaza janë rrafshuar nga bombardimet e Izraelit.
Dy orë pasi Al Jazeera foli me të në një kamp të përkohshëm në qytetin verior Nablus të Bregut Perëndimor, ne morëm informatën se vëllai dhe motra më e vogël e Mohammedit ishin vrarë në një sulm ajror izraelit në shtëpinë e tij në kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore.
Deri më tani, askush nuk ka qenë në gjendje t’ia kumtojë atij lajmin.
E ardhme e pasigurt
Mohammedi mbetet ende në kampin e përkohshëm në stadiumin komunal Nablus së bashku me më shumë se 200 persona të tjerë të zhvendosur nga Gaza.
Por e ardhmja e vendit është e pasigurt. Kështu është edhe fati i banorëve të saj.
Para 7 tetorit, rreth 18.500 njerëz nga Gaza kishin leje që ata të punonin në Izrael. Që atëherë, mijëra prej tyre janë arrestuar dhe të tjerë janë zhdukur – grupet e të drejtave të njeriut dhe sindikatat kanë paralajmëruar se një numër i madh punëtorësh mund të jenë në kampet izraelite të paraburgimit.
Përveç kësaj, deri më 12 tetor, Izraeli ka dëbuar të paktën 600 punëtorë nga Gaza në Bregun Perëndimor. Tani, thonë burimet rajonale, më shumë se 5.500 banorë të Gazas vlerësohet të jenë bllokuar në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.

“Nuk mendoj të rritem”
Për tre muajt e fundit, Mohammedi është ndarë nga familja e tij. Fillimisht, ai mori trajtim për një frakturë të rëndë të krahut në një spital në Herzliya.
Por kur shpërtheu lufta më 7 tetor, ushtarët e larguan atë nga spitali dhe e detyruan të kalonte kufirin në këmbë përmes postblloqeve ushtarake në Bregun Perëndimor.
“Isha në spital, por më nxorën jashtë”, na tha Mohammedi. “Shkova në Nazareth derisa gjërat u qetësuan në mënyrë që të kthehesha në spital për trajtim, por ata na ndoqën dhe na dëbuan. Ne filluam të vrapojmë sepse po të na kapnin, do të na mbanin peng. Faleminderit Zotit që kisha me vete kushërinjtë e mi. Por unë nuk e kam parë familjen time për tre muajt e fundit. Më mungojnë shumë dhe flas me ta çdo ditë”.
Kur u pyet për shpresat e tij për të ardhmen, Mohammedi tha: “Unë nuk mendoj të rritem për t’u bërë dikushi”.
“Thjesht po mendoj të ndërtoj një shtëpi të re për familjen time. Nuk dua që nëna ime të detyrohet të lëvizë nga një shtëpi në tjetrën”.
Shtëpia e Mohammedit dhe e gjithë lagjja në kampin e refugjatëve Jabalia, janë shkatërruar gjatë bombardimeve të Izraelit ndaj enklavës së kontrolluar nga Hamasi.
Familja e tij, tha ai, aktualisht po qëndron te një dajë.
“Por dajat e mi të tjerë shkuan te Zoti. Një nga dajallarët e mi ndërtoi ndërtesën ku ishte fshehur pjesa tjetër e familjes sime, por izraelitët e bombarduan atë pa paralajmërim dhe vranë dy dajallarët e mi dhe gjithë familjen e tyre”.
Ai na tregoi një video të kushëririt të tij duke qarë pranë trupit të pajetë të babait të tij, dajës të Mohammedit – duke e lënë atë të vetmin anëtar të mbijetuar të familjes së tij të ngushtë.
“Do të doja të vdiste. Do të doja që ai të shkonte me familjen e tij”, tha Mohammedi.

Një fushatë paraburgimesh
Pas bastisjeve ushtarake izraelite dhe një sërë arrestimesh në vendet e strehimit në qytetet e afërta të Hebronit dhe Betlehemit, ata që strehohen në Nablus janë të tmerruar se edhe ata mund të arrestohen nga forcat izraelite.
Bastisjet në Bregun Perëndimor janë pjesë e një fushate më të gjerë arrestimesh me të paktën 1.900 palestinezë të arrestuar që nga shpërthimi i luftës.
Shumica e 425 njerëzve të strehuar në Nablus janë burra që kishin leje për të punuar jashtë Gazas.
Të zhvendosurit në Nablus janë kapluar nga frika për fatin e familjarëve të tyre që mbetën në Gaza.
“Gruaja ime po më thërret, duke më pyetur se kur do të vdesin ajo dhe djali im”, tha një burrë që kishte punuar në Izrael si infermier më 7 tetor.
Edhe
“I kujt është?” – Lufta e një babai palestinez për fëmijën që mund të mos jetë i tij
Gruaja e tij dhe fëmija i tyre i vogël kishin qëndruar me familjen në Shujaiya, Gaza, përpara se të shpërthente lufta. Ai kërkoi të mbetet anonim.
“Ajo më thotë se nëse shihemi përsëri, është një bekim, dhe nëse jo, kjo është ajo që dëshiron Zoti”, shtoi ai. “Asgjë nuk të thyen zemrën më shumë sesa të dëgjosh gruan tënde të qajë dhe të thotë se ajo po pret vdekjen e saj. Shëndeti i saj mendor po përkeqësohet. Sa herë që e telefonoj, ajo qan dhe më pyet se çfarë po ndodh me të”.
“Të gjithë punëtorët këtu në Nablus, jemi vetëm trupa pa shpirt”
Vullnetarët që drejtojnë kampin në Nablus i kanë thënë atij dhe njerëzve të tjerë atje se ushqimet dhe uji po mbarojnë dhe kampi mund të mos jetë në gjendje të qëndrojë i hapur për shumë kohë.
“Të gjithë ne punëtorët këtu në Nablus, e në thelb jemi vetëm trupa pa shpirt”, shtoi ai. “Të gjithë janë të shqetësuar për familjet e tyre, ne jemi shumë të shqetësuar dhe të stresuar”.
Në Shujaiya në Gaza, familja e tij po jeton në një shtëpi që strehon më shumë se 50 njerëz, tha ai.
“Ata të gjithë presin të vdesin”.
Ai tha se babai i tij fillimisht ishte “i bindur” se ai dhe familja e tij “do të vdisnin në shtëpinë e tyre” pas paralajmërimeve izraelite për bombardimet.
Por pas këshillave nga miqtë dhe anëtarët e familjes, ai më në fund u bind dhe pranoi se duhej të zhvendosej në shtëpinë ku ndodhen tani – vetëm disa orë përpara se lagjja e tyre të rrafshohej.
“Jam i vdekur. Nuk kam ndjenja”
Sulaiman Amad është një akademik në Universitetin Kombëtar An-Najah në Nablus, i cili drejton një ekip prej 15 vullnetarësh që po menaxhojnë vendin e strehimit në stadium.
“Unë kam vdekur”, tha ai. “Nuk kam ndjenja. Shumë nga miqtë e mi janë vrarë nga Izraeli, kështu që kur ju mungon ose humbisni familjen tuaj, ju humbni emocionet tuaja”.
Mes arrestimeve në rritje nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor, Sulaiman tha se nuk e di se për sa kohë stadiumi do të jetë vend i sigurt për punëtorët nga Gaza.
“Më thanë se mund të ketë arrestime edhe në këtë ndërtesë. Nuk e di”, tha ai.
Por edhe pse i mpirë nga vdekja dhe shkatërrimi që ka përmbytur Gazan, dhe gjithnjë e më shumë Bregun Perëndimor, Sulaimani është i kujdesshëm të mos bëjë asgjë që mund të shkaktojë ndjenja të këqija për punëtorët nga Gaza.
“Kur vajzat e mia vijnë për të më ndihmuar, unë i detyroj të qëndrojnë në makinë, në mënyrë që punëtorëve të mos u bien në mend fëmijët e tyre”.
Një burrë 33-vjeçar nga Khan Younis në Gaza, i cili kërkoi të mbetet anonim tha: “Përpiqem të telefonoj familjen time 20 deri në 30 herë në ditë. Dje u përpoqa të telefonoja vëllain tim për të parë nëse ishte bombarduar apo jo”.
Ai tha se banorët e lagjes së familjes së tij në Gazan veriore ishin urdhëruar të zhvendoseshin në jug pranë kufirit egjiptian.
“Familja ime jeton në shkollë dhe spital, në zonat ku izraelitët na kërkuan të evakuoheshim”, tha ai.
“Por askund nuk është sigurt. Të gjitha vendet që u thanë të shkonin u bombarduan. Në vitin 2014, Izraeli bombardoi shtëpinë e familjes sime, kështu që unë e rindërtova atë dhe tani është bombarduar përsëri. Nuk ka jetë reale - nuk ka pushim fizik apo mendor”.
“Unë thjesht dua të kthehem dhe të vdes me familjen time”
Pak para se Al Jazeera të largohej nga kampi, një burrë i qetë, 28-vjeçar nga Shujaiya foli me ne, gjithashtu me kushtin që të mos i përmendet emri.
Pasi e pyetëm se çfarë mendon se e pret, ai tha: “Nuk ka më të ardhme. Unë thjesht dua të kthehem në Gaza dhe të vdes me familjen time. A do të jenë ata gjallë? A do të jem në gjendje t’i gjej ata?”
Por burri që punonte në Izrael si infermier ndërhyri: “Unë nuk do të përgjigjem si ai. Nuk dua të pres vdekjen”.
Edhe
Vdekje, zhvendosje dhe detyra ushtarake: fëmijët në krizë nga lufta në Lindjen e Mesme
“Dua që djali im të rritet dhe të bëhet i dobishëm për shoqërinë. Ai nuk e meriton të vdesë, nuk ka bërë asgjë. Ai është njësoj si çdo fëmijë tjetër në botë, që meriton ta jetojë jetën e tij në maksimum, kështu që unë nuk dua të vdes deri sa të ndodhë kjo”.
(Përktheu: Forca Jashari)