Botë

“Duroj dhimbjen që as malet nuk do të mund ta duronin”

Malaku al-Najjar dhe motra e saj, Rahma Foto: BBC

Malaku al-Najjar dhe motra e saj, Rahma Foto: BBC

Jeta ishte e qetë në Gazë, por pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi dhe nxitjes së ofensivës izraelite, jeta për palestinezët ndryshoi. Disa prej tyre rrëfejnë për tmerret që kanë kaluar, për traumat dhe për dhimbjen që u ka shkaktuar lufta

Papritmas, Malaku ndalon së foluri, përkulet përpara dhe puth foshnjën që e mban në prehër. Motra e saj, Rahma, ka flokë të çelët dhe sy të kaltër. Ka një dallim prej 13 vjetësh mes tyre. Por për Malakun – që e ka humbur babain në një sulm izraelit – foshnja 4-muajshe është dhuratë e çmuar dhe e paimagjinueshme. 

“E dua shumë, në një mënyrë që askush nuk e di”, thotë ajo.

Malakut i ka vdekur babai në shkurt, Abed-Alrahman al-Najjar, bujk 32-vjeçar. 

Babai i shtatë fëmijëve, që besohet se është goditur nga një predhë, ka qenë në mesin e më shumë se 70 njerëzve të vrarë gjatë një operacioni të Izraelit, për t’i shpëtuar pengjet e mbajtura nga Hamasi në Rafah. Ai ka qenë duke fjetur me familjen në një kamp refugjatësh, kur ka ndodhur bastisja.

Tenda e tyre ishte afër skenës së luftimeve. Malaku ka humbur njërin sy në sulm. Ajo gjithashtu ka pësuar plagë. Atëherë ajo ishte e traumatizuar jashtëzakonisht – kur është takuar me intervistuesit, ajo ka klithur plot dhimbje: “Jam e lënduar. Kam humbur babain. Mjaft!”

Që atëherë, mjekët kanë vendosur një sferë të vogël të bardhë në vendin ku ka pasur syrin. Sfera do ta zëvendësojë syrin deri në përfundim të luftës dhe shpreson se mund ta ndërrojë me një sy protetik.
Por, Malaku nuk ankohet për këtë humbje, në vend të kësaj, imagjinon se si do të reagonte babai nëse do ta mbante foshnjën Rahma, e lindur tre muaj pas vdekjes së tij. Ajo buzëqesh dhe thotë: “Gjithmonë donte një vajzë me sy të kaltër”.

Pas asaj që ndodhi, Malaku dëshiron të bëhet oftamologe, për t’i ndihmuar njerëzit.

Ajo është e ulur në një dysheme betoni në Khan Younis të Gazës jugore me foshnjën dhe pesë motrat dhe vëllezërit e saj më të vegjël – tri motra, dy vëllezër, të moshave katër deri në 12 vjeç. Para luftës, babai i tyre punonte në fermat e të tjerëve për ta mbështetur familjen e tij.

“Babai na merrte jashtë dhe na blinte rroba gjatë dimrit. Ai ishte shumë i mirë me ne. Nuk i interesonte për veten, por vetëm për ne”, thotë Malaku.

Pastaj erdhi 7 tetori i vitit 2023 dhe sulmi i Hamasit në Izrael në të cilin mbi 1200 izraelitë u vranë – në mesin e tyre dhjetëra fëmijë. Më shumë se 250 pengje janë marrë në Gaza. Ka pasur rreth 30 fëmijë të rrëmbyer, duke e përfshirë një foshnjë nëntëmuajshe.

Sulmi ka nxitur ofensivën tokësore izraelite, sulmet e pamëshirshme ajrore dhe luftimet me Hamasin. Gati 42 mijë palestinezë janë vrarë deri tani, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi. Rreth 90 për qind e popullatës së Gazës – gati dy milionë njerëz – janë zhvendosur, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Familja e Malakut është zhvendosur katër herë.

“Duroj dhimbjen që as malet nuk do të mund ta duronin”, thotë ajo. “Ne jemi zhvendosur dhe duket sikur e tërë jeta është zhvendosje. Ne largohemi nga një vend në tjetrin”.

Qeveria izraelite refuzon t’i lejojë reporterët e huaj në Gaza dhe lajmet varen nga ekipi i gazetarëve lokalë për ta mbuluar krizën humanitare. Këta gazetarë ndajnë frikën dhe zhvendosjen me njerëzit për të cilët raportojnë. Zhvendosja do të thotë pasiguri. Frikë të vazhdueshme. A do të kthehet fëmija, që ka shkuar për të marrë ujë, në shtëpi? Ose a do të kthehen për ta gjetur shtëpinë të rrafshuar dhe familjen nën rrënoja? Këto janë pyetjet që e mundojnë vejushën Nawara çdo ditë.

“Ka gjithmonë sulme ajrore dhe jemi gjithmonë të frikësuar, të tmerruar. Vazhdimisht i mbaj fëmijët afër dhe i përqafoj”, thotë ajo.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u thonë njerëzve të shpërngulen në të ashtuquajturat “zona humanitare”. Njerëzit zhvendosen, por shpesh nuk gjejnë vend të sigurt. Kur shpërngulen, hasin në probleme për të gjetur ushqim, dru për zjarr dhe ilaçe në një vend të panjohur.
Familja al-Najjar është rikthyer në shtëpi, por tani mund t’i duhet të largohet përsëri. Ky është realitet i pashmangshëm i jetëve të tyre pas një viti lufte. Sipas fjalëve të Nawaras, nuk ka “vend të sigurt në Rripin e Gazës”.

Nawara ankohet për sistemin e stërmbushur të kanalizimit në rrugë. Mungesën e furnizimeve mjekësore. Si shumë të tjerë në Gaza, pa të ardhura, ajo varet në ushqimin që siguron vjehërria ose bamirësitë.

Nuk ka shkolla të hapura për fëmijët, të cilët janë në mesin e 465 mijërave që Unicefi – Fondi i Fëmijëve i OKB-së – vlerëson se janë prekur nga mbyllja e shkollave.

“Shëndeti ynë – i imi dhe i fëmijëve – është keq. Janë gjithmonë të sëmurë, me temperaturë dhe diarre. Gjithmonë ndihen jo mirë”, shton Nawara.

Gjatë gjithë kësaj, ajo vazhdon ta kujtojë bashkëshortin e saj, Abed-Alrahman.

“E shikoj këtë fotografi dhe vazhdoj të flas me të. Imagjinoj sikur është akoma gjallë”, thotë ajo. “Vazhdoj t’i shkruaj në telefon, edhe pse nuk më përgjigjet, por imagjinoj se e bën. Çdo ditë ulem e vetmuar, ia them emrin, i flas dhe qaj. Ndihem sikur është në dijeni të gjithçkaje që po ndodh”.

Historitë e Nawara al-Najjarit dhe Malakut janë një pjesë e vogël e vuajtjeve të 12 muajve të fundit. Teksa lufta ka hyrë në vitin e dytë, BBC-ja vazhdon të raportojë vdekjet dhe zhvendosjet. Në Gazën veriore janë rivizituar familjet e një njeriu me aftësi të kufizuara që ka vdekur pasi është sulmuar në një operacion kërkimor izraelit.

“Skena që nuk e harroj kurrë”

Muhammed Bhar ka qenë i tmerruar. Qeni i është hedhur sipër. E ka kafshuar, e ka plagosur dhe nuk mund ta ndalonte. Përreth tij, dhoma ishte mbushur me zhurmë – nëna dhe mbesa e tij duke bërtitur, ushtarët izraelitë duke urdhëruar. 

Muhammedi, 24-vjeçar, ishte me sindromë Down dhe autizëm – ai nuk mund ta kuptonte se çfarë po ndodhte. Kur fillimisht është intervistuar familja e tij në korrik, ata akoma ishin të tronditur nga ajo që u ka ndodhur.

Nëna e Muhammedit, Nabila, 70-vjeçare, ka përshkruar çfarë i kujtohet: “Vazhdimisht e shoh qenin duke e shqyer atë dhe dorën e tij dhe gjakun duke i dalë nga dora”.

“Këtë skenë nuk do ta harroj kurrë – kjo më qëndron në mendje tërë kohën, nuk më largohet asnjëherë. Nuk arritëm ta shpëtojmë, as nga ata e as nga qeni”.

Incidenti ka ndodhur më 3 korrik, teksa trupat po kryenin luftime intensive nga afër në Shejaiya. IDF-ja ka thënë se ka pasur “goditje mes trupave dhe terroristëve të Hamasit”.

Sipas IDF-së, trupat ishin duke kërkuar në ndërtesë për Hamasin me qen – këto kafshë vazhdimisht përdoren për t’i gjetur luftëtarët, grackat, eksplozivët dhe armët.

Muhammed Bhar Foto: BBC

“Brenda ndërtesës”, ka thënë IDF-ja, “qeni ka nuhatur terroristë dhe ka kafshuar një individ”. Ushtarët e kanë ndaluar dhe i kanë dhënë Muhammedit “trajtimin fillestar mjekësor” në një dhomë tjetër. 

Nabila Bhari ka thënë se mjeku ushtarak ka arritur dhe ka shkuar në dhomën ku rrinte i shtrirë Muhammedi. Mbesa, Janna, 11-vjeçare, ka thënë se trupat kanë thënë se ai ishte “në rregull”.

Dy nga vëllezërit e Muhammedit janë arrestuar gjatë bastisjes, sipas familjes. Ata kanë thënë se njëri është liruar.

Nabila ka thënë se pjesa tjetër e familjes është urdhëruar të largohej. Ata kanë kërkuar të rrinin me Muhammedin e lënduar. IDF-ja ka thënë se ata “janë të detyruar të largohen nga zona e luftimeve”. 
Ca kohë pas kësaj – nuk kanë treguar sa gjatë – trupat janë larguar. IDF-ja ka thënë se kanë shkuar t’i ndihmojnë ushtarët që janë zënë në pritë. Raporti i ushtrisë për 3 korrikun tregon se është vrarë një kapiten dhe se tre të tjerë janë plagosur, gjatë luftimeve në Shejaiya.

Muhammedi tani ishte i vetëm. Deklarata e IDF-së nuk ka treguar për gjendjen e tij shëndetësore, kur ushtarët janë larguar. Vëllai i tij, Jibreel, beson se atij nuk i është dhënë trajtimi i duhur.

“Ata mund ta kishin trajtuar më mirë, por në vend të kësaj vetëm i kanë vendosur dezinfektues, duket sikurse e trajtuan shpejt dhe pa kujdes. Pavarësisht a jetonte apo vdiste ai, duket sikur nuk u interesonte”, thotë ai.

Izraelitët janë larguar nga lagjja një javë më vonë dhe familja e Muhammedit është rikthyer. Ata e kanë gjetur të vdekur në dyshemenë e kuzhinës.

Nuk dihet akoma se çfarë e ka shkaktuar vdekjen e tij, pasi është sulmuar nga qeni. Në rrethanat aktuale të luftës, familja nuk  e ka pasur të mundur ta bënte autopsinë.

I riu është varrosur në një rrugicë të ngushtë afër shtëpisë, sepse ishte shumë e rrezikshme të dërgohej në varrezën ku babai i tij – i cili ka vdekur para luftës – është varrosur.

Tre muaj më vonë, Muhammedi mbetet akoma i varrosur në rrugicë. Vëllai i tij, Jibreeli e ka mbuluar varrin me një mbulesë plastike, disa gurë të cementit dhe një shtresë të hekurt. Është i rrethuar nga një rrëmujë e rrënojave dhe copa të metalit, të rëna nga ndërtesat e bombarduara pranë.

Brenda, dhoma e Muhammedit është shkatërruar. Jibreeli hap derën, futet në errësirë, hap një dollap dhe merr disa nga rrobat e vëllait të tij. Së bashku me fotografi dhe video të familjes, edhe kujtimet e mbetura nga jeta e tij në këtë shtëpi.

“Dhoma e tij është vendi ku ai ka ekzistuar, ka luajtur dhe ka ngrënë. Askush nuk është futur në dhomë përveç tij”, thotë ai. Në dhomën e ditës, Jibreeli tregon divanin ku Muhammedi ishte ulur, kur e ka sulmuar qeni. Pikat e gjakut janë tharë aty.

“Çdo qoshe e kësaj shtëpie na kujton Muhammedin”, thotë Jibreeli. “Ky është vendi ku ai ulej gjithnjë. Ne uleshim rreth tij, për të mos e shqetësuar. Atij i pëlqente qetësia dhe paqja”.

Familja e tij dëshiron një hetim të pavarur për vdekjen e tij.

“Kur të përfundojë lufta, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe grupet legale do të rikthehen”, thotë Jibreeli, “ne patjetër do të ngremë një çështje ligjore kundër ushtrisë izraelite. 

“Muhammedi ka qenë rast special – ai nuk ishte luftëtar, nuk ishte i armatosur, vetëm një civil i thjeshtë. Ai nuk ishte as çfarëdolloj civili, ishte me aftësi të kufizuara”.

“Spitali është dëmtuar shumë”

Shumica e fqinjëve dhe e miqve të Amjad Elawas nuk janë më aty. Ose kanë vdekur ose janë larguar drejt jugut, me shpresën se do të ishin më të sigurt. Kur ai kthehet nga spitali, sheh njerëz në rrugë që flasin vetë me vete. 

“Askush nuk është më në rregull mentalisht”, thotë ai.

Elawa, 32-vjeçar, punon në departamentin e Shërbimeve Emergjente në spitalin “al-Shifa” në veri të Gazës. Para fillimit të luftës, ka qenë një nga komplekset më të mëdha mjekësore në Rripin e Gazës. Tani, shumica e spitalit është në rrënoja pas dy sulmeve madhore nga IDF-ja, që kanë thënë se Hamasi dhe të armatosurit e tjerë e përdorin objektin për t’i planifikuar dhe për t’i nisur sulmet. Kjo akuzë është mohuar nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila akuzon Izraelin se po kryen krime në “al-Shifa”.

Elawa ka parë fëmijë të vdesin para tij. Viktima të plagëve të luftës. Të sëmundjeve, shpesh të shkaktuara nga mungesa e ujit të pastër. Dhe kur është intervistuar për herë të parë, zona po përballej me kequshqyerje akute.

Mjeku, Amjad Elawa Foto: BBC

Në shkurt, mjeku ka përshkruar se ka përjetuar vdekjen e foshnjës dymuajshe, Mahmoud Fatou. Foshnja ka vdekur pak pasi ka arritur në spital.

“Kjo foshnjë nuk ka pasur qumësht për t’u ushqyer. Nëna e tij nuk kishte ushqim, për të qenë në gjendje t’i japë gji”, ka thënë Elawa. “Ai kishte simptoma të dehidrimit të thellë dhe mezi merrte frymë kur erdhi”.

Vetë djali i Elawas u lind 12 ditë pas sulmeve të 7 tetorit. Pas vdekjes së Mahmoud Fatou, ai ka menduar për situatën e familjes së tij.

“Ishim të gjithë të tronditur – ky fëmijë mund të jetë yni. Ndoshta djali im pas disa ditësh mund të bëhet ashtu”, ka thënë ai. Fatmirësisht, djali i Elawas është i shëndetshëm dhe gati për ta festuar ditëlindjen e tij të parë.

Mjeku përballet me problemet e njëjta si të gjithë të tjerët në Gazën veriore. Shtëpia i është shkatërruar dhe i është dashur të shkonte me familjen e tij në shtëpinë e një pacienti.

OKB-ja dhe OJQ-të humanitare në Gazë kanë thënë se Izraeli rregullisht e ka bllokuar hyrjen e ndihmave. Për shembull, në javët e para të janarit, OKB-ja ka thënë se 69 për qind e kërkesave për dërgim të ndihmave dhe 95 për qind e misioneve për të dërguar karburant dhe ilaçe në Gazën veriore, janë refuzuar. Izraeli e mohon se bllokon hyrjen e ndihmave.

Elawa ka pritur në radhë për ushqim, sa herë ka pasur kohë të lirë. Si shkak i kësaj, ai është plagosur kur forcat izraelite kanë qëlluar në rrethrrotullimin Nabulsi në Gazën veriore, më 29 shkurt.

Mijëra njerëz janë mbledhur, duke shpresuar të merrnin miell nga autokolona e ndihmës, e shoqëruar nga IDF-ja. Më shumë se 100 njerëz janë vrarë dhe mbi 700 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë atë ditë. IDF-ja ka thënë se disa nga vdekjet kanë ndodhur si shkas i rrëmujës nga njerëzit që nxitonin.

Ushtria ka thënë se ka pasur dy incidente në rrethrrotullim. Kanë shtënë me armë zjarri për t’i paralajmëruar dhe pastaj kanë qëlluar individët që besonin se ishin kërcënim. Një numër i madh i të mbijetuarve kanë thënë se rrëmuja është shkaktuar nga të shtënat e ushtrisë drejt turmës.

Elawa e ka trajtuar plagën e tij dhe pastaj ka shkuar t’i ndihmojë të mbijetuarit. Brenda disa ditëve, ai i është rikthyer punës në “al-Shifa”. Ai i është rikthyer trajtimit të fëmijëve të plagosur.

“Ata janë të vetmit që t’i trazojnë emocionet, sidomos kur kanë humbur gjymtyrët. Është me të vërtetë situatë emocionale dhe zemërthyese. Shohim fëmijë që nuk kanë përjetuar shumë gjëra në jetë, e në fund, kanë humbur këmbët”, thotë ai.

Gjatë një pauze, ai del jashtë dhe tregon me gisht drejt rrënojave të ndërtesave.

“Ka pasur një njësi të kujdesit intensiv, dhomë të operacionit dhe departament të kardiologjisë”, thotë ai. “Qofshin pajisje mjekësore ose diçka tjetër, të gjitha janë shkatërruar, përfshirë krevatet. Ne kemi nevojë për një spital të pajisur plotësisht, të ndërtuar nga asgjëja”.

Kur Elawa është rikthyer pas bastisjes së dytë izraelite, ka pasur një erë të tmerrshme nga varret masive. Një nga drejtorët e spitalit, Mohamed Mughir, thotë se ka pasur “shenja të ekzekutimeve, të lidhjes, plagë të plumbit në kokë dhe shenja të torturave në gjymtyrë” te disa prej kufomave.

IDF-ja mohon pretendimet e krimeve të luftës dhe thotë se varret përfshijnë trupa të ekzaminuar dhe të rivarrosur nga ushtria, kur kanë kërkuar për pengje të vdekura izraelite.

“Pretendimi se IDF-ja ka varrosur trupa është pa bazë dhe pa prova”, thotë IDF-ja.

Drejtori i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, thotë se, duke pasur parasysh atë që ai e quan “klimë mbizotëruese e mosndëshkimit”, duhet të ketë një hetim ndërkombëtar të pavarur.

Tani ka më shumë ushqim. Elawa ka furnizime të miellit, por thotë se nuk ka perime, fruta ose mish. Në vend të kësaj, ata përdorin ushqim të konservuar.

Si shumë që punojnë për të shpëtuar jetë në Gazë, Elawa lutet për përfundim të luftës.

“Dëshirojmë t’i rikthehemi jetës së vjetër, të jemi në gjendje të flemë të sigurt, të ecim në rrugë të sigurt, t’i vizitojmë të dashurit dhe të afërmit – ata që janë akoma gjallë”.