Nikolai Ivanoviç Kravtsov (Никола́й Ива́нович Кравцо́в 1906–1980) ka qenë studiues i letërsisë sllave, profesor në Universitetin Shtetëror të Moskës. Studimet e Kravtsovit e kanë për temë eposin serb dhe kjo dëshmohet nga veprat e tij: “Eposi serb” (1933), “Epika dhe historia serbe” (1948), “Përmbajtja ideologjike e epikës serbe” (1951). Epika serbe (përmbledhje, hyrje dhe komente) në dy vëllime, (1960) “Probleme të folklorit sllav” (1972) e të tjera. Kravtsov vdiq dhe u varros në Moskë në vitin 1980. Për lexuesit kemi sjellë fragmente nga libri “Eposi serb” (1933) dhe “Epika dhe historia serbe" (1948). Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë
Mbledhja dhe studimi i eposit serb
Në shumë vepra me natyrë përshkruese të vendit dhe kujtimesh, janë ruajtur në fragmente këngësh, dhe ndonjëherë edhe në këngë të tëra.
Librat më interesantë dhe me ndikim në zhvillimin e interesit për mbledhjen dhe studimin e poezisë epike serbe ishin “Saggio d'osservazioni sopra l'isola di chorso col osero” (1771) dhe “Udhëtimi në Dalmazia” (1774) i abatit italian Albert Fortis. Në të parin, ai përfshiu një përkthim të këngës për Milosh Kobiliqin dhe Vuk Brankoviqin, ndërsa në të dytin janë përmbledhur disa përkthime të këngëve heroike.
Por, përfundimisht nuk mund të thuhet se eposi serb është studiuar në fund të shekullit XVII dhe fillim të shekullit XIX. Në fakt ai nuk ishte studim, por amatorizëm. Në vend të studimit, kishte interpretim të eposit ku ana morale e eposit i errësonte aspektet e tij sociale dhe estetike dhe për këtë gjendje më meritorët ishin romantikët (autorët e asaj periudhe – S. L.) që instinktivisht çuan drejt kërkimit të “manifestimeve krijuese të shpirtit kombëtar (serb – S. L.)”.
Në fakt romantikët nuk e studiuan eposin serb, por në vend të studimit, ata e ofruan një interpretim idealist të karakterit të eposit me kritere të përgjithshme – abstrakte për vlerësimin e vlerave të tij estetike. Edhe në fillim të shekullit XIX, dihej jashtëzakonisht pak për eposin serb, prandaj shpeshherë me të drejtë ngrihej pyetja se a ekzistonte fare poezia epike midis popujve sllavë?
Studimet sllave, pansllavizmi dhe panserbizimi
Në studimet sllave, ideja e pansllavizmit ishte dominuese. Jerenj Kopitar, Jan Šafarik, Dobrovski – të gjithë këta ishin pansllavistë që ishin të interesuar vetëm për “përmbajtjen” kombëtare në eposin serb, pasi ai njëherësh e zbulonte “frymën kombëtare” dhe ishte vetë krijimtaria “origjinale” e popullit serb, prandaj vetëm përmbajtja kombëtare e bënte të mundur të flitej edhe për “unitetin” e sllavëve.
Ndërsa vetëm më vonë, ideja e panserbizmit – ideja e borgjezisë serbe u bë dominuese në veprën e Vatrosllav Jagiqit. Ky i fundit kontribuoi më shumë në mbledhjen e materialeve për shpjegimin e eposit serb sesa që ndërmori diçka rreth studimit serioz të vetë eposit. Duke e gjurmuar plotësisht të kaluarën serbe, ai ndonjëherë zbuloi perspektiva të papritura (shih artikujt e tij në “Archiv für slavische Philologie”).
Si Jagiq po ashtu edhe Mikloshiq e kombinuan metodën filologjike me atë historiko-kulturore. Kjo u përcaktua nga fakti se të dy nuk ishin studiues të letërsisë, por gjuhëtarë. Mu për këtë veprat e tyre mbi eposin serb, përmbajnë hulumtime dhe interpretime të shumta etimologjike. Mikloshiq ishte njëri nga të parët që ofroi një karakterizim të plotë të poetikës së eposit sllav, dhe në veçanti atij serb (shih bibliografinë e tij).
Po ashtu edhe studimet sllave-ruse ndoqën të njëjtat rrugë si studimet perëndimore, por duhet theksuar se Rusia kishte marrëdhënie të veçantë me Serbinë. Gjatë gjithë “politikës ballkanike” të Rusisë, një pretekst i mirë për ta maskuar atë politikë ishte “besimi i përbashkët”, i përforcuar nga ”vëllazëria” dhe “farefisnia e popujve”, gjë që ia lejonte Rusisë të dilte në mbrojtje të një vendi “vëllazëror” të shtypur në momente të përshtatshme.
Dhe duke filluar me Pjetrin I, Rusia hyri në aleanca me Malin e Zi dhe rajone të tjera serbe, duke mbështetur manastiret serbe, të cilat, në shenjë mirënjohjeje, e popullarizuan “mbrojtësin” pra Rusinë dhe politikën e saj në Ballkan. Lidhjet midis monarkizmit rus dhe Kishës Serbe, e cila shpesh mbante në duart e saj pushtetin laik, si në Mal të Zi, u forcuan gradualisht.
Ideologjia dhe plani i bashkimit të vendeve sllave në një federatë do të udhëhiqej nga Rusia; prandaj kjo gjithashtu e përcaktoi edhe pjesëmarrjen e Rusisë në luftërat ballkanike. Rrjedhimisht në qarqet ruse por edhe më gjerë u ngjall interesi shkencor për Serbinë, gjuhën, letërsinë dhe etnografinë e saj. Pra në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme erdhi deri te ndriçimi i politikës së Rusisë në Ballkan.
Karakteri serb në sytë e studiuesve rusë në fillim të shekullit XIX
Interesimi i përgjithshëm i studimeve sllave-ruse në Serbi, ndikoi gjithashtu në studimin e poezisë epike serbe. Vlerësimet e para, jo të izoluara, por pak a shumë të sistematizuara, mbi poezinë epike serbe datojnë nga vitet 1830. Në vitin 1835, libri i Yuri Venelin “Mbi karakterin e këngëve popullore midis Sllavëve Transdanubianë” u botua në Moskë. Ky libër e paraqiti një karakterizim të këngëve epike “popullore” serbe me citate dhe përkthime. Venelin shqyrtoi epikën serbe në dritën e përkufizimit të “karakterit të një kombi”, duke e përcaktuar karakterin serb si “të egër”, “sublim” dhe “heroik”.
Mirëpo nga një këndvështrim i caktuar mbi “folklorin”, autori nuk ia doli që ta shpjegojë eposin serb sepse, për Venelinin, “dashuria për përrallat” ishte thjesht një instinkt njerëzor që nuk kërkonte shpjegim…
Siç e cekëm më lart në fund të viteve 1830, studimet sllave ruse e panë dritën e botimit ndërsa në vitin 1839 ato u pasuan me krijimin e Departamentit të Gjuhëve Sllave. Përgatitja për këtë, dhe vetë fakti, çuan në botimin e një numri punimesh mbi studimet sllave, në veçanti mbi eposin serb. Në vitin 1837, u botua vepra e Bodyanskyt “Mbi poezinë popullore të fiseve sllave” (Moskë), dhe në vitin 1845, vepra e Preussit “Mbi poezinë epike të serbëve” (ribotim nga Universiteti i Shën Petersburgut, 1845). Këto vepra, ashtu si “Këngët bullgare” të Bessonovit (në dy vëllime, 1855), në të cilat autori e ofron një analizë krahasuese të epikave bullgare dhe serbe, njëherësh ishin shprehje të ideve sllavofile.
Në fakt autorët e këtyre studimeve u përpoqën ta ngrinin lart veçantinë e popullit serb, duke e parë epikën si një mjet për ta realizuar këtë, prandaj ata e paraqitën eposin serb si një kondensim të kulturës mesjetare dhe madje parahistorike serbe.
Konsulli rus në Bosnjë Aleksandar Hilferding ishte një sllavofil i dalluar
Studiuesit folën për spontanitetin dhe përsosmërinë e eposit serb, plotësinë e shprehjeve të tij të shpirtit njerëzor (por jo për një imitim skllav të realitetit), “karakterin e tij universal” dhe faktin se eposi tregon për përvojat e popullit dhe se ai pasqyron edhe natyrën e vendit.
Veprat historike dhe etnografike të A. F. Hilferding (njëra prej tyre “Udhëtimi nëpër Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi të Vjetër 1859” – S. L.) ishin më zbuluese dhe ato krijuan një perspektivë të caktuar historike, por kryesisht të pasaktë, sepse autori nuk kishte fakte të mjaftueshme dhe ai ishte një sllavofil i ekzaltuar. Pikëpamjet e tij në thelb ishin të pasakta: kështu, ai e konsideronte pa kushte poezinë epike serbe më të vjetër se këngët me vargje të shkurtra. Ndoshta merita e tij e vetme është se Hilferding ishte ndër të parët që u përpoq të bënte një kritikë historike të këngëve epike.
Më tej studimet sllave-ruse lulëzuan veçanërisht gjatë luftërave turke. Botime të tilla si libri i Ivan Stepanoviç Jastrebovit “Zakonet dhe këngë e serbëve turq në Prizren, Pejë Anamoravë dhe Dibër” (Shën Petersburg, 1886) dhe veçanërisht artikujt e V. Kaçanovskit (për shembull, artikulli “Epika serbe - në 500-vjetorin e Betejës së Kosovës” në “Vestnik Slavyanstva” 1889, demonstrojnë në mënyrë të shkëlqyer se si marrëdhëniet ruso-turke dhe rivaliteti i Rusisë me kapitalizmin e Evropës Perëndimore në Ballkan, ndikuan në studimin e eposit serb, ndërsa shovinizmi sllav gjeti shprehje të plotë në veprat e Kaçanovskit.
Studimi i vetë eposit serb, pra shpjegimi i tij, vazhdoi në disa drejtime. Disa studiues, midis tyre edhe Shtúr, u përpoqën të gjenin në eposin (serb – S. L.) një pasqyrim të besimeve sllave parahistorike dhe të shpjegonin simbolikën e këngëve por megjithatë duke ndjekur idenë pansllaviste.
Nikolai Ivanoviç Kravtsov