Galeria Kombëtare e Kosovës të martën ka hapur dyert për vizitorë, dy muaj pas mbylljes shkaku i masave të ndërmarra për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Ky institucion i është bashkuar Muzeut Kombëtar të Kosovës, galerisë së Ministrisë së Kulturës dhe disa galerive private që janë rihapur të hënën, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Por drejtuesit e këtyre institucioneve nuk e kanë të qartë se si do të veprohet në muajt vazhdues. Vetëm për një gjë janë krejt të sigurt: për pamundësinë e realizmit të plotë të programit të sivjetshëm.
Ekspozita “Heshtja e rëndë” e artistit Burim Gashi dhe ajo me fotografi “World Press Photo” do të vazhdojnë të jenë ofertat e GKK-së për vizitorët. Ky institucion nuk ofron dezinfektues e maska për vizitorët. Por ato i ka vënë kusht për ata që duan të hyjnë në ambientet e brendshme.
“Për fillim jemi duke punuar me staf esencial. Vizita grupore nuk mund të ketë e duhet mbajtur edhe distancën e nevojshme”, ka thënë drejtoresha e GKK-së, Arta Bunjaku-Agani. Ajo nuk e ka ende të qartë se si do të organizohet hapja e ekspozitave të radhës. Ka treguar se një prej opsioneve është që ceremonia e hapjes të jetë në oborrin e institucionit e vizitoret të lejohen të futen brenda deri në 10 veta.
“Por kjo është një çështje për të cilën do të konsultohemi me Ministrinë e Kulturës e institucionet përgjegjëse sa u përket masave për ruajtjen e shëndetit publik”, ka thënë Agani. Sipas saj, një pjesë e programit të sivjetshëm do të shtyhet për vitin që vjen. Ka treguar se shkaku i pandemisë e shtyrjes së ngjarjeve për vitin e ardhëm do të ketë më pak ekspozita të miratuara pas konkursit shkaku që pandemia pamundëson mbajtjen e të gjithave që ishin paraparë për sivjet.
Paraditen e së martës GKK-ja është vizituar nga ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi. Krahas GKK-së, Muzeu Kombëtar i Kosovës është hapur të hënën, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Aty është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sa i përket Muzeut të Historisë së Natyrës që ka nisur të ndërtohet në maj të vitit të kaluar.
Muzeu Kombëtar i Kosovës për dallim nga dy galeritë publike në Prishtinë nuk ka pasur kurrfarë aktiviteti online deri të hënën. Bashkë me hapjen ka publikuar pamje të eksponateve që gjenden nëpër shtëpitë e qytetarëve. “Muzeu im” si projekt gjithëpërfshirës ka bërë bashkë disa objekte të vjetra që janë trashëgimi e qytetarëve nga paraardhësit e tyre. Vizitorët e institucionit më të lartë muzeor në vend përmes eksponateve mund të shohin historinë e Kosovës qysh prej kohës së neolitit e deri në shpalljen e Pavarësisë më 2008.
Edhe
Thesari i artit të Kosovës si dialog kohësh e ringjalljeje bashkë me Galerinë
Drejtori i MKK-së, Ajet Leci, ka thënë se do të kërkojnë nga vizitorët që të kenë masa mbrojtëse e të mbajnë distancë, përderisa vizitat grupore nuk janë ende të lejuara.
“Por sa u përket detajeve jemi në pritje të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, ka thënë ai. Mesditën e së martës aty nuk është parë asnjë vizitor.
Bashkë me Muzeun Kombëtar të Kosovës të hënën është hapur edhe Galeria e Ministrisë së Kulturës. Ekspozita “Përtej” e Argenita Fetahut ishte hapur një javë para se të mbylleshin institucionet kulturore në të gjithë vendin. Ajo do të vazhdojë të jetë në dispozicion të publikut të paktën deri në qershor. Kjo galeri është e vetmja që posedon dezinfektues që është sjellë nga stafi.