Kulturë

Filmi për heshtjen e përditshme dhe emigracionin më i miri në “PriFest”

PriFest

Festivali ndërkombëtar i filmit “PriFest” ka bashkuar për të 17-n herë kinematografë vendas e nga bota në Prishtinë. Për gjashtë ditë filma të ndryshëm e aktivitete të tjera kanë ngjallur jetën kinematografike në vend, përderisa të dielën mbrëma është bërë ndarja e çmimeve

Filmi “Cycle”, nën regji të turkut Erkan Tahhuşoğlu, është vlerësuar si më i miri i edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Me ceremoninë e çmimeve edhe u mbyll edicioni i sivjetmë e në skenë u bë thirrje për paqe në botë e ndalje të luftërave. Regjisori më i mirë në festival është vlerësuar boshnjaku Dino Mustafiq për punën me filmin “The Pavilion”. Çmimin për aktoren më të mirë e ka marrë aktorja Arta Dobroshi për rolin e kryeprotagonistes në filmin “Emili” me regji e skenar nga Ajola Daja

Rrëfimi kinematografik për emigracionin, pasigurinë në punë si dhe heshtja e konflikteve të përditshme, është zgjedhur fituesi i edicionit të 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Filmi “Cycle”, nën regji të turkut Erkan Tahhuşoğlu, është vlerësuar si filmi më i mirë. Me ceremoninë e çmimeve edhe u mbyll edicioni i sivjetmë, e në skenë u bë thirrje për paqe në botë e ndalje të luftërave. 

Ngjarja fokusohet te protagonistja Sevim (Serpil Gül), një grua që ka vite që punon si mirëmbajtëse ditore. Përveç përkujdesjes për familjen dhe mbesën e saj, ajo kujdeset edhe për Ayten (Emel Göksu), tek e cila punon. Juria në përbërje të producentes Antonio Saura, distributorit John Durie, regjisores Jane Spencer, aktorit Ingvar Sigurdsson dhe kryetarit të Bordit të Akademisë Evropiane të Filmit, Mike Downey, ka zgjedhur që ky film sivjet të jetë më i miri i kategorisë ku ka garuar e po ashtu edhe i festivalit. Në kategorinë e filmave artistikë të metrazhit të gjatë nga Ballkani  në konkurrencë ishin edhe: “Ngryk” nga Ilirjan Himaj, “Emili” nga Ajola Daja, “The Pavilion” nga Dino Mustafiq, Eternity Package’ nga Magdalena Ilieva dhe “Man of the house” nga Andamion Murataj.

Pasi ka pranuar Çmimin, regjisori thjesht ka falënderuar jurinë e festivalit. 

“Jam vërtet shumë i lumtur. E dua Kosovën, Prishtinën. Faleminderit për përzgjedhjen e filmit tonë në ‘PriFest’. Faleminderit jurisë dhe festivalit. Është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë ai. 

Shkurt ka folur producentja turke İris Tahhuşoğlu. 

“Faleminderit jurisë dhe gjithë stafit të festivalit”, ka thënë ajo. 

Rrëfimi merr drejtim të errët pas një aksidenti: Lena (Ftesa Hazrolli), kujdestarja e re kosovare e zonjës Ayten, rrëzohet dhe lëndohet rëndë gjatë punës. Pa sigurim shëndetësor dhe tashmë me plagë të rënda, Lena detyrohet të qëndrojë gjatë në spital, ndërkohë që Ayten dhe i biri vendosin ta largojnë nga puna, duke i ofruar vetëm një kompensim minimal. Në këtë mes Sevim gjendet në një pozitë të ndërlikuar, mes detyrimit moral, solidaritetit me Lenën dhe besnikërisë që ndien ndaj punëdhënëses së saj.

“Döngü” flet drejtpërdrejt edhe për përvojën kosovare. Ky film mishëron përmes personazhit të një emigranteje kosovare, të luajtur nga aktorja Ftesa Hazrolli, dhe duke e reflektuar përmes dilemave morale që bart Sevimi.

“Faleminderit shumë që e keni vlerësuar filmin tonë si më i miri në festival. Kam kënaqësinë të jem këtu me ju, meqë isha një ndër aktoret kryesore në film”, ka thënë Hazrolli në skenë. 

Pos ritualit të falënderimeve, bashkëproducenti Gazmend Nela ka theksuar pjesëmarrjen e publikut në shfaqjen e filmit. 

“Si bashkëproducent kosovar, falënderoj jurinë për ftesën e filmit, por më së shumti ju falënderoj juve që çdo natë keni mbushur sallat e kinemasë. Jam shumë i gëzuar që kemi kaq shumë shikues dhe shpresoj që kjo të vazhdojë e të kemi më shumë filma”, ka thënë ai. 

Regjisori më i mirë në festival është vlerësuar boshnjaku Dino Mustafiq për punën me filmin “The Pavilion”. Mustafiq nuk ka qenë i pranishëm, por çmimin e ka pranuar producenti boshnjak Zijad Mehiq. 

“Faleminderit të gjithëve! Në emër të Dino Mustafiqit e pranoj këtë çmim me kënaqësi. E falënderoj jurinë për njohjen e punës së tij. Mustafiq është i obliguar, po përgatisim një projekt të ri, i cili mund të jetë sërish këtu. Ne do të donim ta shfaqnim këtu edhe atë”, ka thënë Mehiq. 

Juria ka vlerësuar se është “filmi më i mirë që e qartëson, në të njëjtën kohë edhe krijon komplekse në lidhje me moralin, vetëdijen dhe çështjet e shoqërisë, ky film suksesshëm ka intervenuar çështje si migrimi, gratë e padukshme...”. 

Çmimin për aktoren më të mirë e ka marrë aktorja Arta Dobroshi për rolin e kryeprotagonistes në filmin “Emili”, me regji e skenar nga Ajola Daja. 

“Faleminderit shumë jurisë! Ky çmim do të thotë shumë për mua, ju respektoj shumë. Faleminderit gjithë ekipit! Ky film është bërë me një buxhet prej 25 mijë eurosh e që është diçka si çmenduri, një darkë e shtrenjtë”, ka thënë Dobroshi. 

Më tej, në skenë i ka bërë thirrje publikut të ndjekin ëndrrat.

“Mos u frikësoni nga ëndrrat. Ëndrrat tuaja ju mbështesin kështu që ndiqni, respektoni veten dhe të tjerët dhe besoni në vetvete, sepse ëndrrat tuaja besojnë në ju. Mund t’ju duket e çuditshme, por ashtu është në të vërtetë”, ka thënë Dobroshi. 

“Për portretizimin e saj të sofistikuar, stoicizmin e demonstruar me fuqi dhe reziliencë të dhunës në familje dhe në shoqëri”, thuhet në arsyetimin e jurisë. 

Aktori më i mirë është shpallur bullgari Stoyan Doychev për rolin e tij në filmin “Eternity Package” nga Magdelena Ilieva. 

Ai nuk ka qenë i pranishëm, por çmimin e ka pranuar regjisorja e filmit. 

“Jam shumë e lumtur që është vlerësuar me këtë çmim. Mendoj se edhe ai do të lumturohet shumë, sepse gjatë filmit nganjëherë ai donte të më vriste. Mendoj se zemërimin e tij e kemi kthyer në diçka shumë njerëzore në film”, ka thënë regjisorja Ilieva. 

Më tej ka bërë të ditur se ky film pati fituar çmim edhe në programin e industrisë filmike në festival.

“Mbaj mend që Vjosa na pati thirrur në skenë për ta fituar çmimin ‘Best Pitch’ dhe tani po e fitojmë këtë çmim", ka thënë ajo. 

Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm është zgjedhur “Two people exchanging saliva” nga francezët Natalie Musteata dhe Alexandre Singh. 

Çmimin e ka pranuar ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot. 

““Ky çmim është dëshmi e lidhjes së fortë midis industrisë franceze të filmit dhe asaj të Kosovës. Ky film, i cili ka fituar çmim sonte, ka për aktore Luana Bajramin, e cila është edhe regjisore e bashkëprodhimit të parë midis Kosovës dhe Francës”, ka thënë ai. 

Filmi më i mirë i shkurtër është shpallur “Three Keenings” me regji e skenar nga Oliver McGoldrick.  
E sa i përket programit të industrisë filmike “PriForum” janë shpërblyer projektet “Spider” nga Turqia e “The General and Butterfly” nga Maqedonia.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka ndarë çmim për “Adet” nga Kosova dhe  për projektin “Voices” nga Bullgaria.

“Jemi të lumtur që si Qendër Kinematografike e Kosovës kemi tre vjet që e ndajmë këtë shpërblim për projektet që janë duke u prodhuar. Është një shumë simbolike e mjeteve, por që me këtë ne dëshirojmë t’u themi projekteve tona të vazhdojnë edhe më tutje dhe mos e ndalni pasionin për filmin”, ka thënë drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri. 

Edicioni i 17-të i “PriFest” u mbajt prej 9 deri më 14 shtator nën moton “ForHer”.  Drejtori i festivalit, Fatos Berisha, e ka konsideruar edicion të suksesshëm. 

“Sapo përfundoi edicioni i 17-të i ‘PriFestit’. Jam shumë i lumtur që çdo gjë shkoi si kemi planifikuar. Jam edhe më i lumtur që kemi pasur rritje goxha të madhe të publikut si dhe të mysafirëve ndërkombëtare. E kemi pasur një juri të nivelit të lartë, sidomos ajo kryesore. Kemi pasur një aktivitet të madh të ‘PriForumit’, pra te sektori i industrisë. Në përgjithësi ka qenë një edicion, së paku nga përshtypja e parë, i suksesshëm”, ka thënë ai.