Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest” ka shfaqur të mërkurën filmin e metrazhit të gjatë “The Pavilion”, i cili është prodhim boshnjak, komedi e zezë me regji nga Dino Mustafiq. Filmi paraqet frustrimin e të moshuarve në një shtëpi të pleqve, të cilët pas vitesh abuzimi, vendosin të revoltohen me stafin e të konfrontohen me ligjin. Në “PriFest” është në garë për kategorinë kryesore
Errësira e sallës në “Kino Armata”, të qeshurat e shkurtra dhe psherëtimat e ndjera janë ndërthurur mes vete të mërkurën, teksa publiku ka ndjekur një histori që në të njëjtën kohë e bënte për të qeshur dhe për t’i ndier thellë plagët e saj. Filmi boshnjak “The Pavilion”, i regjisorit Dino Mustafiq, është shfaqur në Prishtinë, vetëm pak javë pas premierës në Sarajevë. Me një humor të zi që shpalos realitete të dhimbshme të shoqërisë, filmi ka në fokus marrëdhëniet ndërmjet brezave, kujdesin ndaj të moshuarve dhe harresën ndaj tyre, tema këto që tejkalojnë kufijtë kombëtarë e bëhen universale.
Filmi “The Pavilion” është një komedi e zezë që tregon historinë e një grupi të të moshuarve që jetojnë në një shtëpi pleqsh e që pas viteve të keqtrajtimit dhe përçmimit, vendosin të revoltohen. Ata sigurojnë armë në mënyrë joligjore, marrin peng stafin e shtëpisë dhe shpërthejnë konflikt me autoritetin shtetëror. Ajo që fillon si një akt dëshpërimi shndërrohet shpejt në spektakël politik dhe mediatik: mosha e tyre kthehet në një avantazh. Pasi nuk kanë më ç’të humbasin, bëhen gati t’i shkojnë kësaj pune deri në fund. Brenda “pavijonit” ndërtohet një rend i ri, i udhëhequr nga hakmarrja dhe zemërimi i mbledhur kohë më parë, duke bërë që çdo përpjekje për negociata të duket e pamjaftueshme.
Për publikun prishtinas, “The Pavilion” ka ardhur si një përvojë që tejkalon ekranin, një rikthim te kujtesa kolektive dhe reflektim mbi të tashmen. Pjesëmarrja në film e aktorit kosovar, Alban Ukaj, e ka bërë këtë premierë edhe më të afërt, duke e lidhur temën e tij me realitetin vendor.
Ai ka theksuar se gëzohet sa herë që filmat e prodhimeve kosovare dhe boshnjake shfaqen në shtetet e njëra-tjetrës, sidomos për shkak të situatës politike.
“Në një periudhë shumë të shkurtër kohore pas premierës në Sarajevë, ndodhi ta kemi në Prishtinë dhe siç e thashë edhe para premierës së filmit, unë gëzohem çdo herë që një film i Kosovës shfaqet në Sarajevë dhe një film i Bosnjës shfaqet në Kosovë. Siç e thashë edhe për hir të marrëdhënieve jokorrekte politike që i kemi mes Bosnjës dhe Kosovës, filmat e Bosnjës dhe kinematografia e humori i Bosnjës edhe në kohën e Jugosllavisë e kanë pasur një privilegj të veçantë në kinemanë e asaj kohe”, tha Ukaj.
Sipas tij, zbrazëtira ndërmjet gjeneratave, e cila pasqyrohet në film, ka qenë interesant dhe publiku e ka pritur në mënyrë të mirë.
“Humori i mirë është humor i mirë gjithkund, edhe sonte atë që e vërejta në publik që është pritur mirë, është film i ndërtuar për publikun, nuk është tendencioz, për mua ka qenë interesant se më ka interesuar tema, ajo zbrazëtira ndërmjet dy gjeneratave që e kemi ne, gjenerata pas nesh dhe kjo gjenerata në moshë të shtyrë që i kemi lënë nëpër shtëpi të pleqve. Ne si popull, në traditë e kemi pasur atë familjarizmin që kemi mbetur gjithmonë bashkë deri në momentet e fundit”, tha Ukaj.
Projektet e tjera vendore, Ukaj ka treguar se janë ende në stadin e bisedimeve. Premierën e njërit nga ato projekte, që e kanë realizuar në shtator të vitit të kaluar, ka thënë se e pret me padurim.
“Për projekt vendor ende jemi në bisedime, por konkretisht hala nuk ka asgjë. Herën e fundit që kemi punuar vitin e kaluar në shtator është filmi ‘Shabani dhe Hatixhja’, film i Visar Morinës, me padurim po e pres. Nuk e di ku do ta ketë premierën, por kemi punuar shumë seriozisht, shumë në mënyrë studioze, Visari është një prej regjisorëve më të mirë që e ka pasur ndonjëherë kinematografia shqiptare dhe me padurim po e pres filmin. Luan aty Flonja Kodheli, në rol kryesor është Astrit Kabashi, shoku im.”
Krahas Ukajt, i pranishëm ka qenë edhe producenti Almir Gjikolli, i cili Kosovën e ka konsideruar si shtetin e tij të dytë.
“Gjithmonë kënaqem në Prishtinë, më 2011 ishte hera e parë që kam ardhur në Kosovë dhe e dua këtë vend sepse i kam rrënjët këtu, gjyshi im është nga Peja, mbiemrin e kam Gjikolli dhe Kosova është shteti im i dytë. Këtu në Prishtinë kam mjaft shokë, shumë filmbërës këtu, me 7 filma kam punuar këtu dhe gjithmonë kënaqem”, tha Gjikolli.
Sipas tij, mesazhi i filmit është që njerëzit të ndërgjegjësohen për gjeneratat e moshuara.
“Kur jemi të rinj, nuk mendojmë për të ardhmen, thjesht e shohim të tashmen, por kur i shohim prindërit tanë, e kuptojmë se një ditë do të jemi si ata. Në një intervistë thashë se njerëzit nga audienca duhet të vijnë pas këtij filmi, ta kapin telefonin dhe t’i telefonojnë prindërit e të mendojmë edhe për të ardhmen, se një ditë do të jemi aty”, tha Gjikolli.
Nga publiku, aktorja Shengyl Ismaili ka konsideruar se ky film tregon një realitet të dhimbshëm që nuk ndodh vetëm në Bosnjë.
“Jam kënaqë, aq shpejt ka kaluar filmi sa e kisha nevojën të zgjaste hala. Nuk është hera e parë që shoh film të produksioneve boshnjake, dhe këta kanë filma fantastikë, kanë aktorë super të mirë dhe sidomos ky film që është në krye me regjisorin Dino Mustafiq. Me regjisorin kam punuar në shfaqje, por asnjëherë nuk e kam parë një film të tij, jam mahnitë, e ka treguar një realitet shumë të dhimbshëm që nuk ndodh vetëm në Bosnjë, po besoj që kemi edhe shumë raste të tilla te ne, që nuk zhvillohen në atë formë, me revolucion, por është një shtresë e njerëzve, e cila ka shumë nevojë për ndihmë dhe më së paku kujdesemi për ta dhe ai në mënyrën më të mirë, me një humor të zi e ka shpjeguar”, tha Ismaili.
“The Pavilion” nuk është vetëm një film që sjell të qeshura dhe dramë në ekran, por edhe një pasqyrë e fortë e një realiteti shpesh të neglizhuar. Nëpërmjet revoltës së të moshuarve, ai flet për një shoqëri që shpesh harron gjeneratat e saj më të vjetra, duke i lënë nën hije. Prishtina e priti filmin me duartrokitje dhe reflektim, duke dëshmuar se temat që i trajton, kapërcejnë kufij e përplasje politike dhe mbeten universale për çdo shoqëri.