Kulturë

Filmi me Luana Bajramin, në mesin e të nominuarve për “Oscar”

Luana Bajrami si Malaise në “Two People Exchanging Saliva”, i nominuar për “Oscar”

Luana Bajrami si Malaise në “Two People Exchanging Saliva”, i nominuar për “Oscar”

Shpallja e të nominuarve për trofeun më të madh në kinematografi, është përherë shkundje për botën e filmit, e në mesin e filmave që futen në garë për “Oscar” është edhe ai në të cilin luan aktorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami. 

“Këtë nderim të jashtëzakonshëm ia dedikojmë njerëzve të guximshëm të Iranit. Zemrat tona janë me të gjithë ata”, shkruhej në faqen e filmit në Instagram.

“Two People Exchanging Saliva” është në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për “Academy Awards”. Në bashkëprodhimin midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive” Bajrami luan rolin e Malaises.

Filmi i shkruar dhe drejtuar nga, Alexandre Singh dhe Natalie Musteata, imagjinon një Paris distopik ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një grua e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punën në një butik magjepsës, ajo krijon shpejt një lidhje me një klient të pasur, Angine, duke ndezur zilinë e mbikëqyrëses së saj. Një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond të çuditshëm dhune të stilizuar, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit “Telluride” dhe mori Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”, i organizuar nga Instituti Amerikan i Filmit. 

Producente ekzekutive të projektit janë, Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.

Të enjten, janë shpallur nominimet për të gjitha kategoritë e “Academy Awards”