Prej Cannesit para dy vjetësh e në Venecia sivjet, aktorja e regjisorja Luana Bajrami tashmë është emër i njohur në alamet festivalesh si këto. Nëpërmjet filmave të saj i jep zë Kosovës, inspirimin e merr prej këtu, eksploron rininë e këtij vendi, por në fakt vetë ajo është inspirim për të rinjtë. “Bota jonë”, është një histori suksesi e bota e Luana Kodrës filmi. Një tjetër film e ka sjellë së fundmi edhe në Prishtinë. “Kosova për mua është inspirim shumë i madh dhe besoj që ka shumë storie për të treguar”, thotë Kodra
Si regjisore ka realizuar dy filma të gjatë dhe me të dy ka goditur në shenjë. Para dy vjetësh “Luaneshat e kodrës” u dha premierë botërore në Festivalin e Cannes, kurse “Bota jonë” sivjet është shfaqur premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. I pari njihet si festivali i festivaleve, kurse i dyti është ngjarja më e vjetër e filmit në botë. Madje Festivali i Venecias sivjet kishte jubileun e 80-të. Prej qytetit që e karakterizojnë ishujt e urat, Luana Bajrami për disa ditë ka aterruar në Prishtinë. Ka ardhur në “Prishtina Inernational Film Festival” pasi filmi ku luan ajo, “Toka brenda meje”, kishte premierën kosovare. Bajrami (22), njëra prej aktoreve e regjisoreve më premtuese nga Kosova, në një intervistë për KOHËN ka përshkruar rrugëtimin e saj, filmat që ka realizuar, temat që e ngacmojnë dhe qëllimet që synon t’i realizojë nëpërmjet artit.
Te “Bota jonë”, që pritet ta ketë premierën në Kosovë në pranverën e vitit që vjen, paralelisht me Francën ajo trajton një rrëfim të rinjsh. Me Kosovën në prag të pavarësisë, rrëfimi zë fill më 2007, ku paralelisht me atë që synonte të bëhej shtet edhe dy vajza vihen në kërkim të vetvetes duke marrë vendime që çojnë drejt emancipimit të tyre. Në Venecia ishte edhe si aktore me filmin “A Short Trip” të Erenik Beqirit, që edhe fitoi çmim. Bajrami planifikon që të vazhdojë me të dyja profesionet.
“Besoj se njëra punë e zhvillon tjetrën”, thotë ajo. Bajrami edhe në filmin e parë të gjatë artistik “Luaneshat e kodrës” trajton një histori të rinjsh. Thotë se Kosova është një burim inspirimi dhe historitë lokale duhet të shfaqen gjithandej botës pasi mund të përjetohen edhe në vende të tjera ku shoqëritë përballen me telashe të njëjta. Sa i përket filmit të fundit ka paralajmëruar se “Bota jonë” do të vazhdojë rrugëtimin edhe në disa shtete të tjera. Ndërkohë si personazh filmash – Bajrami, e cila jeton midis Kosovës dhe Francës – së shpejti do të paraqitet në disa ekrane. Në planet e saj ka për qëllim që ta inspirojë rininë. E këtë e bën me filma.
“Është me rëndësi për mua të jap inspirim dhe të eksploroj tematikën e rinisë, por më gjerësisht tematikën e njeriut. Kjo është esenca ime për momentin, sepse besoj se evoluon edhe gjatë procesit të artistit”, thotë ajo.
KOHA: Sapo jeni kthyer nga Festivali më i vjetër i filmit në botë, ai i Venecias, ku kishit premierën e filmit tuaj “Bota jonë”. Cila ishte atmosfera atje, si shkoi kjo ngjarje për ju?
Bajrami: Atmosfera ka qenë jashtëzakonisht e mirë. Jemi ndier shumë krenarë që kemi mundur ta shfaqim filmin aty, sepse ka qenë premiera botërore. Shumë bukur, shumë mirë kemi kaluar.
KOHA: Si është pritur filmi, a janë përmbushur pritshmëritë tuaja?
Bajrami: Për mua esenca ka qenë ta shohë një publik. Është si një dritare për shfaqjen e filmit në mënyrë ndërkombëtare, kështu që mendoj se Festivali në Venecia ka qenë super si fillim i këtij rrugëtimi për këtë film.
KOHA: Kur jemi te “Bota jonë”, cila është storia e këtij filmi, apo thënë ndryshe cili është mesazhi që jepni?
Bajrami: Storia zhvillohet më 2007, pak para Pavarësisë. Është storia e dy kushërirave të cilat e marrin vendimin e guximshëm të ikin nga fshati që të vijnë në Prishtinë dhe të studiojnë në fakultet. Është thjesht si këto dy vajza të reja që janë në kërkim të vetvetes dhe të emancipimit në jetën e tyre paralelisht me zhvillimin e shtetit.
KOHA: Ku janë zhvilluar xhirimet dhe si ka shkuar i gjithë procesi?
Bajrami: Xhirimet janë mbajtur kryesisht në Prishtinë dhe në Gjilan, te konviktet. Ka shkuar gjithçka shumë mirë. Si në çdo film, është goxha një betejë që të arrish deri në fund dhe të xhirosh, por kemi kaluar shumë bukur.
KOHA: Sigurisht që filmi pas Venecias do të ketë një rrugëtim të gjatë. Ku pritet ta shohim në të ardhmen?

Bajrami: Sa më shumë, në vende të ndryshme. E di se do të shfaqet në Francë, Marok, Tokio dhe do të udhëtojë goxha.
KOHA: Po kur do të jetë premiera në Kosovë?
Bajrami: Nuk e di ende kur do të jetë premiera në Kosovë, por e di që filmi do të shfaqet rreth muajit prill, paralelisht me daljen e filmit në Francë.
KOHA: Çfarë domethënieje ka për ju shfaqja e filmit në Kosovë?
Bajrami: Ka domethënie të madhe, sepse kemi xhiruar këtu, storia është inspirim nga këtu. Por unë pres shumë, pres si do të reagojë publiku këtu, si do të ndihet rinia, sepse flas për rininë dhe është subjekt që ka shumë rëndësi për mua dhe mezi po pres.
KOHA: Në Venecia ishit edhe si aktore në filmin “A Short Trip” të Erenik Beqirit, i cili edhe u shpërblye me Çmim. Çka i japin dhe i marrin njëra-tjetrës Luana si aktore dhe si regjisore?
Bajrami: Gjithmonë më bëhet pyetja a do të vazhdosh vetëm në regji apo vetëm në aktrim? Unë besoj se dua t’i mbaj të dyja profesionet, sepse kam filluar si aktore, por nga fillimi me dëshirën e regjisë, kështu që besoj se njëra punë e zhvillon tjetrën.
KOHA: Por cilat ishin emocionet kur e kuptuat që “A Short Trip” fitoi çmim në Venecia si filmi më i mirë i shkurtër në kategorinë “Orizzonti”?
Bajrami: Krenari e madhe, lumturi e madhe. Shumë kemi pritur për këtë film, sepse Erenikun e kam edhe mik të mirë, është super-regjisor dhe të shfaqet një vepër e vendit tënd është krenari.
KOHA: Edhe te filmi paraprak “Luaneshat e kodrës” që kishte premierën botërore në Cannes para dy vjetësh, trajtoni një temë të rinjsh. Përse ju tërheqin këto tema dhe a është Ballkani një burim storiesh për ju?
Bajrami: Shumë. Unë jam rritur këtu për një kohë të gjatë. Kosova për mua është inspirim shumë i madh dhe besoj që ka shumë storie për të treguar. Por edhe ka shumë potencial, edhe talente. Është me rëndësi të paraqitet dhe i zhvilloj storiet këtu, sepse është inspirim i madh për mua dhe besoj që ka mënyrë për t’i treguar këto storie në një aspekt shumë universal, sepse kur flasim për rini, emocionet dhe krejt ato që i kalon kjo rini, këto karaktere mund të bashkëndihen në çdo vend tjetër.
KOHA: Nëse flasim pak në përgjithësi për botëkuptimin tuaj mbi kinematografinë, cili është qëllimi juaj në këtë industri, ose cili është qëllimi i artit tuaj?
Bajrami: Qëllimi im është t'i tregoj të gjitha këto storie që po më vijnë t’i tregoj. Besoj që kam shumë storie për t’i shpërndarë. Siç thashë më herët, është me rëndësi për mua të jap inspirim dhe të eksploroj tematikën e rinisë, por më gjerësisht tematikën e njeriut. Kjo është esenca ime për momentin, sepse besoj se evoluon edhe gjatë procesit të artistit.
KOHA: Jetoni në Francë, por si e shihni zhvillimin e filmit në Kosovë?
Bajrami: Besoj që industria e kinematografisë është duke u zhvilluar në mënyrë të mirë. Është duke evoluar shumë mirë. Siç thashë, ka potencial shumë dhe duhet të ndihmohet në ngritjen e këtij potenciali. Është e rëndësishme për mua ta cek se filmi “Bota jonë” është prodhimi i parë pas nënshkrimit të bashkëpunimit në kinematografi mes Francës dhe Kosovës dhe besoj që është një hap i mirë që të ndihmohet edhe në zhvillimin e projekteve këtu.
KOHA: Sa të ka ndihmuar të jetuarit në Francë që storiet e Kosovës t’i bësh më universale?
Bajrami: Besoj që më ndihmon kultura e dyfishtë që e kam dhe me të cilën jam rritur. Mund të them që mua ma jep një lloj distance, ta kem një perspektivë dhe një shikim më të gjerë rreth asaj se çka ndodh këtu, por edhe si ndodh në Francë, dhe normal që krahasimi mes rinisë së Francës dhe Kosovës kur e analizon pak, më ka sjellë goxha mjete për shkrim dhe xhirim.
KOHA: Jemi mësuar që nga ju të marrim lajme me peshë sa u përket prodhimeve kinematografike, a mund të na thuash çfarë jeni duke punuar tani ose çfarë do të presim në të ardhmen nga ju?
Bajrami: Kam xhiruar filma si aktore në Francë që do të shfaqen së shpejti. Besoj gjatë tetorit. Por normalisht jam edhe duke shkruar dhe duke zhvilluar projekte të reja, por siç them gjithmonë nuk flas shumë për ato para se të realizohen. I mbaj pak sekret.