Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar një operacion policor në Komunën e Zubin Potokut dhe të Zveçanit.

Sipas komunikatës së prokurorisë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, janë duke e zbatuar një urdhër të Gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, për të kryer bastisje në nëntë lokacione, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale.

“Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to; vrasje të rëndë, sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Operacioni po mbështetet edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit.

Shoqërohen në Polici e pastaj lirohen shtatë persona nga aksioni në veri

1 muaj më parë / 19 tet 2025 15:09
Policia

Prokuroria Speciale ka njoftuar se shtatë persona janë shoqëruar në Polici e pastaj janë liruar në procedurë të rregullt në aksionin që sot është ndërmarrë në  Zubin-Potok dhe Zveçan lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, A.S.

Njoftohet se gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente dhe pajisje elektronike të ndryshme.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer bastisje në dy  lokacione në Zveçan dhe në shtatë lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: - Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to; - Vrasje të Rëndë; - Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Aksioni në veri lidhet me vrasjen e pjesëtarit lituanez të EULEX-it më 2013

1 muaj më parë / 19 tet 2025 14:47 Nga: Ardit Kika
Policia arrest sulm bastisje ne kerkim

Foto-Ilustrim: KOHA

Photo: Driton Paçarada

Aksioni i Prokurorisë Speciale në Zveçan e Zubin-Potok lidhet me vrasjen e zyrtarit doganor lituanez të EULEX-it Audrius Shenaviçius.

Doganieri i EULEX-it, Shenaviçius, u qëllua në Ballaban të Zveçanit më 19 shtator 2013 në orët e para të mëngjesit dhe vdiq gjatë trajtimit spitalor.

EULEX-i ka publikuar shpërblime të ndryshme për çfarëdo informate që çon te zbardhja e vrasjes së pjesëtarit të saj. Për herë të fundit në 12 vjetorit e vrasjes së tij, EULEX-i i ofroi 82,000 euro për një informatë të këtillë.

Në vitin 2013, misioni i BE-së ofronte 27,500 euro shpërblim për ata që ndihmonin në zbardhjen e rastit. EULEX-i e përkujton për çdo vit vdekjen e pjesëtarit të saj i cili ishte duke shkuar në vendin e punës në pikë kufitare në momentin kur u qëllua me armë zjarri.

Rasti atë kohë u pat dënuar nga liderët në Kosovë, përfshirë edhe nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga dhe kryeministri në atë kohë, Hashim Thaçi. Edhe në Serbi pati reagime ku, Ivica Daçiqi, i cili mbante postin e kryeministrit të Serbisë dhe zëvendëskryeministri i parë i atëhershëm, Aleksandar Vuçiqi patën thënë se vrasja e pjesëtarit të misionit të BE-së për sundim të ligjit shkon kundër interesave të Serbisë dhe serbëve të Kosovës.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se ka të arrestuar nga bastisja   dhe ka paralajmëruar se do t'u japë mbështetje mbrojtjes ligjore të të pandehurve. 

Serbia për bastisjet në veri: Po bëhen për shkak të nervozizmit të Kurtit me rezultatin e zgjedhjeve

1 muaj më parë / 19 tet 2025 14:39
Arrestim - policia - bastisje - arrest

Foto-Ilustrim

Photo: Driton Paçarada

Zyra për Kosovë në Qeverinë serbe në një postim në Facebook ka shkruar se arrestimet e serbëve në Zubin Potok dhe Zveçan janë hakmarrje e kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit për rezultatin e zgjedhjeve.

Tutje në këtë njoftim theksohet se të arrestuar janë shtatë persona.

“Në vazhdim të represionit brutal fizik dhe ligjor kundër popullit serb, Albin Kurti këtë mëngjes urdhëroi arrestimin e serbëve në Zubin Potok dhe Zveçan, në të cilin u ndaluan shtatë bashkatdhetarë tanë. Falangat e tij policore pushtuan këto dy komuna paqësore serbe në veri të Kosovës.M rreth orës gjashtë të mëngjesit të sotëm, të shoqëruara nga njësi speciale të armatosura plotësisht, me qëllim frikësimin dhe krijimin e trazirave midis familjeve dhe familjeve serbe që kanë jetuar në këto zona për dekada”, thuhet në njoftim.

Kjo zyrë thekson se “Rrethimi policor dhe frikësimi i serbëve zgjati disa orë, dhe gjatë këtij veprimi brutal, forcat speciale të Kurtit thyen dyert e shtëpive serbe, duke kryer kontrolle dhe bastisje, dhe duke ndaluar në mënyrë arbitrare bashkatdhetarët tanë”.

“Atyre do t'u ofrohet ndihmë ligjore, dhe ne gjithashtu do t'i informojmë përfaqësuesit ndërkombëtarë për zbatimin e tyre. Kjo është hakmarrja e Albin Kurtit ndaj popullit serb në veri të Kosovës.M për shkak të fitores së popullit serb në zgjedhjet e përfunduara së fundmi, si dhe nervozizmit të Prishtinës për shkak të debaklit zgjedhor që Kurti dëshiron ta kompensojë në kurriz të popullit serb”, thuhet në njoftim.