Tereza ka qenë 19 vjeçe kur është vendosur në Indi. Si e re, atje është përballur me mjerim, uri dhe sëmundje. Ka jetuar si murgeshë dhe mësuese në Calcutta (tani Kolkata) pjesë e Urdhrit Katolik Loreto, që u përkushtohej çështjeve edukuese dhe misionare në Indi.
Calcutta ishte e stërmbushur, sistemi shtetëror i mirëqenies ishte i stërngarkuar dhe sistemi i përkujdesjes shëndetësore nuk ekzistonte. Pas rreth 200 vjetësh pushtimi kolonial, India u përball me sfida të jashtëzakonshme menjëherë pas marrjes së pavarësisë nga Britania e Madhe. Vendi ishte mes trazirash dhe mijëra njerëz vdiqën në kriza të dhunshme.
Filmi “Mother” e paraqet këtë kaos në formë të gjerë. Nuk ka pamje estetike e të ndritshme, shfaq një panoramë zhurme, kushte të ngjeshura dhe grumbuj njerëzish.
E lindur më 1910 si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup (atëkohë pjesë e Perandorisë Osmane, tash kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut), Tereza del në film si një grua që e kërkon thirrjen e vet në mes të rrënojave dhe vuajtjeve. Gjatë një udhëtimi me tren, thuhet se ajo ka përjetuar “thirrjen brenda një thirrjeje”: për të jetuar jo veç për Zotin, por edhe për njerëzit më të varfër, duke qenë mes tyre.
Një grua që rebelohet ndaj kishës së vet
Filmi e paraqet Terezën (interpretuar shkëlqyeshëm nga Noomi Rapace) jo si figurë drite mbinatyrore, por si një grua që rebelohet ndaj Kishës Katolike.
Mbi të gjitha, plani i saj ishte revolucionar: ta linte manastirin, gjen urdhrin e vet, vendoset në lagje të varfra dhe kujdeset për të sëmurët dhe ata që janë në prag të vdekjes, si një murgeshë që nuk është pjesë e urdhrit.
Kisha u kishte vënë frena ideve të saj, meqë dëshirat e Terezës binin në kundërshtim me traditat e vjetra dhe bindjen. Mirëpo, ajo qëndroi kokëfortë.
Deri në vitin 1948 Vatikani nuk u tërhoq dhe në vitin 1950, ajo më në fund themeloi urdhrin ndërkombëtar të Misionarëve të Bamirësisë.
I ngarkuar me pamje, me dialog të thjeshtë dhe i shoqëruar me tinguj të çakorduar të kitarave elektrike, filmi i paraqet njerëzit duke jetuar në lagjet e mjerueshme të Calcuttas, mes skamjes dhe sëmundjeve, botën e idealizuar të shkollës së vajzave me fustanet e tyre rozë dhe dhomat spartane të murgeshave brenda mureve të manastirit, ku Tereza, si Nëna Superiore, ka sunduar me dorë të hekurt.
Mendjemadhësi apo bamirësi?
Filmi e portretizon Terezën në mënyrë kritike dhe të respektuar, me disa aludime për tema kontroverse. Për shembull, në një skenë solemne, Tereza hamendëson nëse përkushtimi i saj vjen nga bamirësia e pastër apo mos vjen nga mendjemadhësia – një moment që e largon për pak çaste mitin dhe e paraqet Terezën duke e testuar veten. Më vonë, ajo diskuton për abort me priftin që e udhëheq manastirin. Ai ia rikujton të mos i ndëshkojë gratë, por t’i konsiderojë arsyet që i kanë shtyrë ato ta bëjnë këtë gjest. Dhe papritmas, filmi ngre pyetjen se a lejon mëshira rezistencë ndaj institucionit kishtar që e dënon abortin.
Ana e errët e mitit
Pa marrë parasysh admirimin ndaj saj, imazhi i Terezës së vërtetë – që është shenjtëruar nga Papa Françesku më 2016 – për një kohë të gjatë ka qenë i njollosur. Ajo ka qenë një figurë kontroverse edhe sa ishte gjallë.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar për mosdhënie të lehtësimit të dhimbjes dhe higjienës së pamjaftueshme në strehët e saj, të cilat sipas tyre ishin më shumë si shtëpi kujdesi për të sëmurë terminalë, sesa si spitale. Ka marrë qindra miliona dollarë donacione nga burime që ndonjëherë konsiderohen të dyshimta, përderisa standardet mjekësore në shërbimet e saj kanë qenë të mjerueshme.
Gazetari britanik, Christopher Hitchens, e ka përmbledhur në këtë mënyrë: “Ajo ishte mikeshë e skamjes, jo e skamnorëve”. E ka konsideruar vuajtjen “dhuratë nga Zoti” dhe nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë fund asaj. E ka barazuar mjerimin e skamnorëve me vuajtjet e Krishtit, si dhe referohet se ka thënë “Është gjë e bukur t’i shohësh skamnorët teksa e pranojnë fatin e tyre dhe e vuajnë atë si Krishti”.
Sa feministe ka qenë Tereza?
Tereza mbante qëndrim për çështjen e abortit. Gjatë fjalimit për çmimin “Nobel” më 1979, ajo e ka përshkruar abortin si “vrasje” dhe “shkatërruesi më i madh i paqes”. Kjo e ka bërë udhëheqëse morale të lëvizjeve konservatore. Në të njëjtën kohë, kjo e ka bërë edhe cak kritikash feministe, duke u akuzuar për nënshtrim të të drejtave të grave deri në idenë vetësakrifikimit.
Sido që të jetë, regjisorja e filmit, Teona Strugar Mitevska, thotë se Tereza kishte tipare feministe: “Ajo e ka shfrytëzuar lirinë e të qenit vetja vetëm për t’i arritur qëllimet e saj. Për mendimin tim, kjo e bën atë një figurë skajshmërisht feministe”, ka thënë Mitevska në një intervistë me revistën filmike “Filmdienst”.
Si grua që ka fituar autoritet në një kishë patriarkale, ajo ka themeluar urdhrin e vet dhe ka krijuar një audiencë globale. Pa dyshim mund të shihet si një figurë e fortë femërore. Ajo ka sfiduar manastiret dhe ka udhëhequr mijëra motra, një formë e veprimit dhe autonomisë që nuk ishte e zakonshme.
Në të njëjtën kohë, ka përfaqësuar një imazh femrash që janë përqendruar në amësi, refuzim dhe bindje. Puna e saj i dedikohej vuajtjes e jo ndryshimit të strukturave. Nuk ishte feministe në kuptimin e emancipimit, por në kuptimin e prezencës dhe lidershipit femëror.
Tereza ka vuajtur nga dyshimet e shumta në dekadat e saj të fundit. Letrat dhe pjesët nga ditari i saj, që janë publikuar më 2007, zbulojnë një vetmi të madhe dhe pyetje të përsëritura nëse edhe vetë Zoti ekziston. Gruaja që simbolizon shpresën në gjithë botën ka shkruar se brenda ndihej “akull e ftohtë” dhe se parajsa për të nuk kishte më kuptim. “Për mua, duket si një hapësirë boshe”. Mbase kjo e bën karakterin e saj njerëzor.
Pse vjen filmi në kohë të duhur
Debatet mbi abortin, skamja, konfliktet fetare, autoriteti femëror në kishë, shumë nga këto çështje janë akoma relevante. Filmi na përball me pyetjen: A mund të jetë një grua shenjtore dhe politikisht problematike në të njëjtën kohë? Me sa duket, Tereza ka një karakter me kufizime.
Mbase aty qëndron rëndësia e saj sot: jo si një figurë e shenjtë drite, por si një karakter që ka ngritur debat. Ky film, që nuk shpjegon asgjë, por thjesht vëzhgon, mund të jetë një mundësi e mirë për të folur për Terezën në një formë të re.
Shkruan: Silke Wünsch (Deutsche Welle)
Përktheu: Sinan Berisha