Kori e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës bashkë me solistë, sopranon Adelina Paloja, mexosopranon polake Ewa Menaszek, basin polak Grzegorz Szostak dhe tenorin polak Piotr Kalina, i kanë dhënë jehonë veprës para publikut në kryeqytetin maqedonas, nën udhëheqjen e dirigjentit polak Wojciech Czepiel. “Homagium: Matri Teresiae” e kompozitorit të shquar Mendi Mengjiqi është luajtur në vendlindjen e Nënës Terezë duke bërë që homazhit për të t’i jepet jehonë në sallën koncertale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut
Një ditë pas premierës në Prishtinë të oratoriumit “Homagium: Matri Teresiae” e kompozitorit të shquar Mendi Mengjiqi, tinguj e vargje të veprës janë zbërthyer edhe në Shkup. Në vendlindjen e Nënës Terezë homazhit për të i është dhënë jehonë në sallën koncertale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut me të njëjtin kast, të shtunën mbrëma.
Kori e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës bashkë me solistë, sopranon Adelina Paloja, mexosopranon polake Ewa Menaszek, basin polak Grzegorz Szostak dhe tenorin polak Piotr Kalina i kanë dhënë jehonë veprës para publikut në kryeqytetin maqedonas, nën udhëheqjen e dirigjentit polak Wojciech Czepiel.
Në program ka qenë gjithashtu vepra “Symphonic Pain” e mjeshtrit Mengjiqi, autor i Himnit të Kosovës.
E pranishme në koncert ka qenë violinistja e shquar Sihana Badivuku, e cila e ka vlerësuar të jashtëzakonshme performancën e së shtunës mbrëma.
“Performancë e jashtëzakonshme e Filharmonisë dhe Korit të Kosovës me solistët e përkryer me dirigjentin polak Wojciech Czepiel, i cili me aq mjeshtëri, profesionalizëm, dinamikë e karakter, i realizoi dy veprat e kompozitorit tonë Mendi Mengjiqi: ‘Symphonic Pain’ dhe kryeveprën e kësaj mbrëmjeje, oratoriumin ‘Homagium: Matri Teresiae’ në sallën koncertale të Filharmonisë së Shkupit", është shprehur ajo në një përgjigje për KOHËN.
Ka vlerësuar në veçanti interpretimin e sopranos Paloja.
“Do ta kisha veçuar sopranon tonë Adelina Paloja, e cila në partinë e saj të oratoriumit ishte epiqendra dhe shtylla e këtij oratoriumi", është shprehur Badivuku.
Në vitin kur po shënohet çerekshekulli i Filharmonisë së Kosovës, institucioni ka nderuar figura të shquara e kontribuuese në institucionin shtetëror muzikor. Të shtunën violinistes Badivuku i është ndarë mirënjohje sikurse mirënjohje post mortem ka marrë edhe babai i saj, violinisti Hysen Badivuku.
“Me krenari jam e përmbushur emocionalisht dhe shpirtërisht si pedagoge e violinistëve të institucionit tonë, Filharmonisë së Kosovës që në këtë përvjetor jubilar, pra 25 vjet, po i përjetojmë frytet e vërteta të rritjes së këtij institucioni. Po ashtu falënderim të veçantë drejtorit Dardan Selimaj që për familjen tonë, Badivuku, na ndau dy mirënjohje, babait tim violinist, ish-anëtar i këtij institucioni nga viti 2000 dhe për mua si koncert-mjeshtre nga themelimi, nga viti 2000 deri më 2012 dhe ish-anëtare", është shprehur ajo duke falënderuar edhe udhëheqësit e institucionit ndër vite.
Në këtë moment krenarie ajo ka kujtuar edhe profesorin e ndjerë, njërin prej themeluesve të Filharmonisë, Bahei Çela.
“Po të ishte profesori Bahri Çela në mesin tonë do të mburrej me së shumti me arritjet e këtij institucioni si ideator i parë, dirigjent themelues i Filharmonisë së Kosovës nga viti 2000”, është shprehur violinistja Sihana Badivuku.
E Filharmonia e Kosovës, në rrjete sociale ka shkruar se dy veprat e Mengjiqit “u pritën shumë mirë nga publiku”.
Ishin vitet ’90 kur një nga figurat qendrore të tanishme të muzikës klasike në vend, profesori Mendi Mengjiqi do të ndiqte studimet e doktoratës në Akademinë e Muzikës në Krakow të Polonisë. Në klasën e mjeshtrit polak, Krzysztof Penderecki, do të diplomonte e bileta për këtë sukses do të ishte vepra “Homagium: Matri Teresiae” – i pari dhe i vetmi oratorium nga një kompozitor shqiptar.
Premierën botërore do ta kishte në vitin 1999, nën dirigjimin e polakut Wojciech Czepiel i cili ka drejtuar edhe premierën ballkanike në Prishtinë e edhe interpretimin e veprës në Shkup.
Sipas shpjegimit të veprës, "Homagium..." sjell dimensionet shpirtërore, etike dhe humanitare të jetës dhe misionit të Nënës Terezë.
Oratoriumi “Homagium: Matri Teresiae” ka qenë moment historik e kapitull i veçantë për skenën e muzikës klasike në vend. Për herë të parë në Kosovë të premten ka jehuar një oratorium i një kompozitori shqiptar. Është i vetmi kompozim i kësaj forme muzikore. Sipas shpjegimit të veprës, sjell dimensionet shpirtërore, etike dhe humanitare të jetës dhe misionit të Nënës Terezë. Mengjiqi ka qenë në koncert. Nuk ka pranuar të flasë.
Për dirigjentin Wojciech Czepiel, interpretimi i kësaj vepre është moment i veçantë i karrierës së tij duke e kthyer atë në vendin e tij, 26 vjet pas nga premiera botërore të cilën e kishte punuar vetë.
“Rasti i vizitës së parë këtu është shumë i veçantë. Kemi interpretuar dy vepra ekstremisht të bukura nga Mendi Mengjiqi, kompozitori më i rëndësishëm në Kosovë. E kam takuar Mengjiqin rreth 20 vjet më parë. Ai ka studiuar në Krakow dhe kur bëri doktoratën e kompozoi këtë oratorium. Unë e bëra premierën botërore të saj. Më pas u takuam shumë herë për të biseduar për muzikë, për kompozim, pa e ditur se pas 22 vjetësh do të ndodhte ky koncert. Isha shumë i lumtur kur kuptova se Filharmonia e Kosovës do që unë ta bëj sërish këtë muzikë”, kishte thënë dirigjenti i shquar polak.
Hapja dramatike e veprës me pjesën “Gaudium et spes” ndalet te pjesa korale, e cila stabilizohet me përfshirjen e solistëve që theksojnë vibrimet e vokalit. Pjesa “Pax” hapet me pjesë muzikore solo nga flauti e ksilofoni nën përcjellje të lehtë nga harkorët. I pari vokal që dëgjohet në këtë pjesë është ai i sopranos Adelina Paloja.
Pjesa “Gloria Del” ka hapje dramatike të orkestrës e pasuar nga kënga paralele si duet nga sopranoja Adelina Paloja e mexosopranoja polake Ewa Menaszek.
Sa i përket veprës Symphonic Pain”, ajo vjen qenë si kolazh i tingujve për dhimbje të thellë e shoqëruar nga dinamizmi kur kulmon, ndërsa nga melankolia si rrjedhojë e mbivendosjes së tingujve të ksilofonit në ritmet e Orkestrës. Dhimbja në veprën e Mengjiqit shpesh shtohet e transformohet.