Midis veprave të emrave të shquar të krijimtarisë muzikore shqiptare si Mendi Mengjiqi, Valton Beqiri e Drinor Zymberi, Orkestra harkore ka luajtur edhe vepra të Felix Mendelssohn e Henryk Góreckit. Koncerti i radhës nuk ka qenë thjesht ngjarje artistike, por një lloj deklarate kulturore që do të jehojë përtej kufijve. Në këtë koncert identiteti shqiptar muzikor prezantohet në barazi estetike me repertorin e konsoliduar ndërkombëtar
Pas koncertit solemn në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë, Filharmonia e Kosovës e ka vazhduar programin e rregullt. Me vepra vendore dhe ndërkombëtare, institucioni është akorduar për të udhëtuar më tej në Vjenë e në Varshavë. Midis veprave të emrave të shquar të krijimtarisë muzikore shqiptare si: Mendi Mengjiqi, Valton Beqiri e Drinor Zymberi, Orkestra harkore ka luajtur edhe vepra të Felix Mendelssohn e Henryk Góreckit.
Koncerti i radhës nuk ka qenë thjesht ngjarje artistike, por një lloj deklarate kulturore që do të jehojë përtej kufijve. Edhe në ditë të diel, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë ka qenë e mbushur me publik. Ka qenë edhe një lloj imazhi i asaj se si institucioni muzikor shtetëror do të prezantohet në dy vende që shënojnë udhëtimin e parë të Filharmonisë për sivjet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë këtë koncert identiteti shqiptar muzikor prezantohet në barazi estetike me repertorin e konsoliduar ndërkombëtar. Programi i koncertit në Prishtinë ka qenë i kombinuar me vepra nga repertorët e dy koncerteve jashtë vendit. E po këto vepra do të jenë ambasadorë të kulturës muzikore.
Premierë në Kosovë ka qenë “Simfonia për harqe, nr.10” nga Felix Mendelssohn. Vepra e cila është e veçantë për faktin se përbëhet nga një lëvizje e vetme – “Adagio-Allegro” – hap veprën me atmosferë dinamike, me harmoni të errëta dhe tension emocional. Në pjesën e dytë, vepra zhvillohet me energji dhe gjallëri duke paraqitur kontraste dinamike dhe dialog të gjallë të harqeve. Vepra ka edhe karakter serioz e emocion.
“Forsaken” nga Mendi Mengjiqi shoqërohet me hapje të errët që shkon drejt një lloj natyre abstrakte me tone melankolike që devijohen. Tension e dinamikë pason kur kjo natyrë paraprake përmbyllet me një ndërprerje shumë të shkurtë. Derisa tensioni vazhdon, një pjesë e harqeve shkëputet për të zhvilluar një tjetër temë.
Derisa ka folur për programin e koncertit, dirigjenti Edon Ramadani ka bërë me dije se kjo vepër është luajtur premierë në Prishtinë.
“Është një program i kombinuar nga dy programet e koncerteve të ardhshme që do t’i kemi në Vjenë dhe në Varshavë. Në dy vendet, programi kryesisht është shqiptar, por natyrisht me disa vepra të atjeshme. Prandaj sonte dëgjuat diçka nga Mendelssohni, që u luajt për herë të parë nga Filharmonia, e cila do të luhet vetëm në Vjenë. Gjithashtu dëgjuat diçka nga Górecki që do të luhet në Varshavë, së bashku me veprën e kompozitorit tonë, Mendi Mengjiqi – ‘Forsaken’’ e cila u luajt sonte për herë të parë në Prishtinë pas premierës botërore nga një orkestër koreane”, ka bërë me dije dirigjenti Ramadani.
Te “Koncerti për piano dhe harqe” nga polaku Henryk Górecki, loja tejet dinamike është që në tingullin e parë me ritme tejet të bukura. Në piano ku si solist ka luajtur Andi Duraku është zhvilluar lojë të njëtrajtshme derisa tema që mbivendoset në ritmin e pandërprerë sjell emocione. E pjesa e harqeve ku të gjitha janë në sinkron tingëllon stoike. Është pianoja ajo që i paraprin natyrës më të butë tutje.
Dallohet qartë që vepra pos që kërkon përgatitje për ta luajtur, kërkon edhe angazhim intensiv fizik në të.
Pianisti Andi Duraku ka thënë se për të duhet kondicion i madh.
“Kërkon kondicion shumë të madh duke marrë parasysh se është një vepër shumë ritmike në stil bashkëkohor. Është e kompozuar në vitin 1980 dhe kërkon kondicion shumë të madh dhe stabilitet ritmik të saktë. Ishte kënaqësi ky bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, sidomos kur vjen në serinë e koncerteve për nder të Pavarësisë së Kosovës si dhe i paraprin koncertit në Varshavë gjatë javës së ardhshme. Ky kompozitor është polak dhe po luhet për nder të vendit ku do të interpretojmë javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Për veprën ka thënë se është “një dialog midis pianos dhe harqeve ku harqet e përcjellin zakonisht pianon me nota të gjata ndërsa pianoja është ai motori ritmik që e mban tempon dhe modulet harmonike që janë tepër dinamike, shumë virtuoze në të njëjtën kohë”.

Pianistja Lejla Pula, gjithashtu profesoreshë e pianistit Andi Duraku, e ka konsideruar koncertin tejet të bukur duke e vlerësuar mjeshtërore paraqitjen e Durakut si solist në veprën e Goreckit.
“Orkestra Harkore bashkë me solistin në piano kanë lënë përshtypje të shkëlqyeshme. Një përgatitje jashtëzakonisht e mirë edhe teknikisht, edhe muzikalisht. Mund të them se për mua shumica e veprave ishin që i kam dëgjuar për herë të parë si simfonia e Mendelssohnit, gjithashtu edhe vepra e Mendi Mengjiqit. Më vjen mirë që veprat e autorëve kosovarë do të prezantohen jashtë vendit. Mjeshtërisht e ka luajtur pianisti Andi Duraku këtë vepër të Góreckit, një kompozitor polak. Me këtë rast të vizitës atje, ai praktikisht në vendin e kompozitorit do të interpretojë këtë vepër”, është shprehur ajo.
“Sinfonietta” nga Drinor Zymberi ka pasur hyrje tejet virtuoze që i paraprin lojës solo nga violonçeli i parë. Ajo vazhdon me lojë të lehtë që sjell një natyrë të padefinuar e tension të përhershëm.
E vepra “Shpirti i traditës” nga Valton Beqiri ka qenë përmbyllja ideale e koncertit duke i lënë publikut në mendje ritmet e gjalla, harmonitë dhe tingullin e muzikës tradicionale shqiptare.
Dirigjenti Edon Ramadani ka thënë se kjo vepër, e cila mbyll edhe koncertin në Vjenë e edhe atë në Varshavë, e reprezenton dinjitetshëm muzikën shqiptare në këto skena.
“Përveç elementeve muzikore tradicionale që përmban përbrenda keni mundur të shihni instrumentin e daulles, i cili është instrument që simbolizon kulturën tonë muzikore. Prandaj e kemi lënë si pikë të fundit në të dy programet, edhe atë të Vjenës edhe në të Varshavës. Besoj se është mjaft reprezentuese për kulturën tonë muzikore”, është shprehur ai.
Interpretimi i një repertori të larmishëm stilistik kërkon fleksibilitet, disiplinë dhe pjekuri interpretative. Veçmas kur Filharmonia interpreton repertorin e këtyre skenave që kultivojnë kaherë këtë lloj muzike. Dirigjenti Ramadani ka thënë se koncerti është sfidues në këtë aspekt, por edhe privilegj.
“Është shumë përgjegjësi e madhe të shkosh në një vend dhe ta interpretosh muzikën e tyre të cilën ata e interpretojnë e kultivojnë me vite. Në të njëjtën kohë është edhe nder, edhe privilegj, edhe kënaqësi, sidomos kur kemi të bëjmë me salla prestigjioze si ajo e Vjenës dhe ajo e Varshavës”, ka thënë ai.
Dirigjenti e kompozitori Baki Jashari ka thënë se krijuesit e zgjedhur vendorë janë të qëlluar për këto koncerte jashtë vendit.
“Kompozitorët e zgjedhur – Mendi Mengjiqi, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri- janë kompozitorë që njihen mirë. Mendiu është i gjeneratës më të vjetër ndërsa Drinor Zymberi është student i tij dhe vërehet edhe ndikimi i profesorit. Secili në mënyrën e vet ka shprehur përmes orkestrës harkore idetë e tyre të veçanta, krejtësisht të ndryshme. Secila ka mënyrën e vet, kreativitetin, formën, timbrin dhe natyrisht se është për t’u përshëndetur ky program i cili në një masë e njofton edhe publikun ndërkombëtar për vlerat tona krijuese”, është shprehur Jashari.
Të martën, Filharmonia e Kosovës zhvillon koncertin në Vjenë ku solistë do të jenë sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi – Ramadani, ndërsa dy ditë pas këtij koncerti edhe më Varshavë ku solist do të jetë Andi Duraku në veprën e Goreckit.