Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filarmonia zbërthen mesazhet për paqe në ambient të hapur

Filarmonia e Kosovës ka dalë nga kornizat e saj të zakonshme me koncertin e fundit të organizuar në kuadër të aktiviteteve 20/20 për shënimin e çlirimit të Prishtinës. Ka marrë përsipër të interpretojë “Simfonisë nr. 9” të Beethovenit.

Për ta dëgjuar simfoninë e fundit të kompozuar nga mjeshtri gjerman, 1 mijë e 200 veta kishin zënë vend në ulëset e vendosura nga organizatorët në sheshin “Skënderbeu”. Dhjetëra të tjerë ishin ulur në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e disa ndoqën koncertin në këmbë afër rrethojave të vendosura përgjatë perimetrit që ishte caktuar për mysafirët e Filarmonisë. Interpretimi i kësaj vepre - të cilën shumë kritikë të muzikës e konsiderojnë si punën më të mirë të kompozitorit, si dhe një nga veprat më të arrira të muzikës perëndimore - Filharmonia kishte kohë që e kishte menduar. Për të sjellë atë në Prishtinë ishte kërkuar një rast i veçantë dhe drejtuesit e këtij institucioni menduan se 20-vjetori i çlirimit të Prishtinës ishte i tillë. Këtë mendim e forconte edhe më shumë mesazhi i veprës, që është një thirrje për paqe.

Rrallë ndodh që anëtarët e Filarmonisë së Kosovës të interpretojnë në hapësira të hapura. Interpretime të tilla publiku ka mundur që të shohë në vitin 2011 në parkun e “Gërmisë” dhe në vitin 2013 në “Lumbardh” në Prizren. Vepra njihet për kërkim të numrit të madh të instrumentistëve. Prandaj, Orkestrës dhe Korit u janë bashkuar edhe instrumentistë nga Maqedonia dhe mezzo-sopranoja Vikena Kamenica dhe baritoni Armando Likaj nga Shqipëria. Ky koncert u realizua nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa.

“Kam ardhur në vitin 2007 dhe tani kam 12 vjet si dirigjent permanent i Filarmonisë. Për këta 12 vjet kemi sjellë vepra të kompozitorëve të njohur, si Pyotr Ilyich Tchaikovsky, Johannes Brahms apo Igor Stravinsky. Është shumë mirë që tani e kemi sjellë edhe ‘Simfoninë nr. 9’, vepër kjo e cila është shumë e veçantë për të gjithë muzikantët”, ka thënë dirigjenti Yanagisawa... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)