Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filarmonia e Kosovës sjell “Simfoninë Nr. 9” të Beethovenit

Për herë të parë, Filarmonia e Kosovës do ta interpretojë në tërësi Simfoninë e 9-të të Beethovenit, që njihet si një nga veprat më kërkuese të literaturës së muzikës klasike.

Kjo vepër do të interpretohet në ambient të hapur, në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Koncerti i cili shënon edhe përfundimin e 20 aktiviteteve që kanë shënuar festimin e Ditës së Çlirimit, do të mbledhë mbi 110 interpretues, transmeton emisioni Express në KTV.

Filarmonia e Kosovës, së bashku me korin dhe orkestrën simfonike, do të shoqërohet edhe nga muzikantë mysafirë nga Shqipëria e Maqedonia.

Realizimi i kësaj vepre do të sjellë në skenë edhe disa prej zërave më të dalluar shqiptarë.

Mezo-sopranoja Vikena Kamenica, e cila do të interpretojë me Filarmoninë e Kosovës për herë të dytë, tha se kjo simfoni është e duhura për festimin e lirisë dhe Ditës së Çlirimit.

Në koncertin e sotëm do të interpretojë edhe baritoni Armando Likaj.

Koncerti që ka zgjuar interesimin e mbi 1,500 vetave do të drejtohet nga dirigjenti Toshio Yanagisawa, bashkëpunëtor i Filarmonisë së Kosovës tash e 12 vjet.

“Jam shumë i nderuar që do ta dirigjoj këtë koncert dhe ‘Simfoninë e 9-të Beethovenit’. Kam ardhur në Kosovë në vitin 2007 dhe tani janë bërë 12 vjet të bashkëpunimit me Filarmoninë e Kosovës. Së bashku kemi realizuar shumë premiera e koncerte tjera”, ka deklaruar dirigjenti, Toshio Yanagisawa.

Koncerti do të fillojë në ora 20:00 dhe do të jetë i hapur për të gjithë.

Artikuj të ngjashëm