Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filarmonia e Kosovës i bashkohet fushatës globale kundër dhunës në baza gjinore

Filarmonia e Kosovës i bashkohet fushatës globale 16 ditët e aktivizmi kundër dhunës në baza gjinore përmes një koncerti që do të mbajë nesër Kori dhe Orkestra e Filarmonisë në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Aty do të interpretohet “Requiem” i Mozart-it, në kujtim të grave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari në një konferencë për media, tregoi se me këtë mbrëmje i bashkohen fushatës 16 ditore të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave.

“Me këtë rast është angazhuar kori profesional i Filarmonisë së Kosovës, si dhe orkestra simfonike, pra i tërë aparati interpretues i institucionit tonë, ndërsa akterët kryesorë janë këtu para nesh të cilët do të realizojnë këtë vepër madhështore e cila realizohet pas plot dhjetë viteve kur ka qenë për herë të fundit e performuar këtu në Kosovë”, tha ai.

E dirigjenti i koncertit të nesërm, kompozitori Rafet Rudi, që sivjet shënon 70 vjetorin e lindjes, tha se për të është nder të mbajë peshën e kësaj mbrëmje si dirigjent.

“Kjo vepër është luajtur shumë vite përpara, por formacioni orkestral dhe koral nuk kanë qenë i përbërë gjithmonë prej njerëzve tanë, për shkak se, siç e dini para 15 vitesh, 10, kemi pasur një gjendje tjetër. Për herë të parë kjo me një kompetencë të madhe realizohet dhe unë jam për këtë i gëzuar dhe i nderuar. Unë këtë koncert e shoh në vazhdën e realizimit të disa veprave të mëdha që vitet e fundit kori dhe orkestra i rrekën”, tha ai.

Ai tha se po e rrumbullakojmë një etapë disa vjeçare të Filarmonisë, edhe të korit edhe të orkestrës, me një kompetencë adekuate.

Edhe Filarmonia jehon në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës Kulturë Filarmonia jehon në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Ndërsa, Rozafa Kelmendi nga UnWomen tha se vepra e nesërme do të jetë homazh për gratë e dhunuara.

“Kjo vepër monumentale për të cilën foli profesori do të jetë një homazh për gratë që kanë dhuruar jetë si pasojë e krimit të ushtruar mbi to, të dhunës seksuale gjatë konfliktit të fundit. Është mesazh i fuqishëm i dashurisë që do të përcjellë kjo vepër e Mozart-it, e shpresojmë të jetë një mesazh i tillë për këto gra që nuk gjetën dashuri në këtë botë, njëkohësisht është edhe thirrje për ne si shoqëri që të reflektojmë për mënyrën se si i kemi trajtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, që t’u ofrojmë më shumë dashuri e mbështetje në realizimin e të drejtave të tyre”, tha ajo.

Mbrëmjen e 8 dhjetori në Prishtinë do të mbahet koncerti i organizuar në kuadër të sezonit 2019/2020 që gjithashtu shënon 70 vjetorin e lindjes së dirigjentit Rafet Rudi./KsP/