Është hera e parë në këta 19 vjet traditë që festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, nuk i ka ndezur ekranet e kinemave.
E vetmja shenjë në Prizren se edicioni i sivjetmë ka nisur është instalacioni “On Air”, i vendosur në strukturat e Kalasë së Prizrenit. Me t’u ndezur dritat e instalacionit, u bë e qasshme platforma online e “DokuFestit”.
Shkaku i pandemisë, ekipi i Festivalit u detyrua të hiqte dorë edhe nga një edicion “hibrid”, siç e kishin menduar.
Por me gjithë situatën, ekipi i Festivalit qe i shpejtë në përgjigje e reflektim. U deklarua për një transmetim përmes valëve të internetit. Fjalën “Transmision” e zgjodhi edhe për temë. Pranë ia la edhe dy nëntema: tranzicionin dhe transformimin.
Të enjten, drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë për KOHËN se ende nuk e di se si reflektojnë këto tri fjalë në edicionin e sivjetmë.
“Çka e di është pjesa e parë e temës. E që është transmisioni, pasi që shumë gjëra që po i transmetojmë jemi duke i transmetuar ndryshe”, thotë ai. Sipas tij, mbetet për të parë nëse do të ndodhë edhe një transicion dhe transformim.
“Këto kanë qenë disa ide të vogla prapa tri nocioneve, por nuk ka ndonjë gjë të madhe apo plotësim të atyre fjalëve. Ne kemi qejf kështu me i zgjedhë disa fjalë dhe me luajtë pak me to”, shton ai.
Edhe tema e Festivalit sivjet ka pësuar ndryshim. Qëllimisht organizatorët kanë vendosur që ajo të mos përçojë ndonjë mesazh. Këtë e pohon edhe Nurkollari. Thotë se është një inicim për një lloj reflektimi, në mënyrë që më vonë të kuptojnë se çfarë po ndodh në këto ndryshime të jashtëzakonshme, të hatashme e të shpejta.
Transformimi
Vitin e kaluar, midis zallamahisë së “DokuFestit”, gjendej edhe ekipi i KOHËS. Katër veta qëndruan gjatë gjithë edicionit për të përcjellë nga afër ngjarjet e Festivalit. Kontakti i tyre i parë me dikë nga stafi i “DokuFestit” ishte Blerta Haziraj, përgjegjëse për media.
Me të shkuar në zyrën e mediave, Haziraj i dhuronte secilit prej tyre nga një dosje me informatat e nevojshme për edicionin dhe një numër kontaktues në rast se u duhej ndihma e saj. “Në zyrat e ‘DokuKinos’ mund të shkoni që të merrni akreditimin dhe pastaj kthehuni përsëri të ‘Hospitality’”, ishin udhëzimet e saj për stafin e KTV-së. Të njëjtit persona pasi që kishin plotësuar të dhënat dhe kishin marrë akreditimin ishin kthyer të “Hospitality” (departamenti i mikpritjes), ku punonin më shumë se 20 veta.