Filmi estonez “Eva” për “një individ kaq të fokusuar dhe të humbur në të kaluarën, saqë nuk është në gjendje të jetë i pranishëm”, ka triumfuar në garën ndërkombëtare të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit. Por në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të dielën mbrëma, fituesit kanë një të përbashkët: thërrasin lirinë. Një çmim ka mbetur edhe në Kosovë. “Ninulla K” i Flaka Kokollit ka fituar në garën e video-animacionit muzikor dhe kjo është shenja e radhës se filmi i animuar ka të ardhme në vend
Janë karaktere të animuara që përçojnë mesazhe universale duke rrëfyer dhimbje e ndjesi të llojllojshme që emërues të përbashkët e kanë thirrjen për liri. Pikërisht animacionet me këtë frymë edhe kanë marrë çmimet e kategorive garuese të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar” në Pejë. Sikurse në natën e hapjes, të hënën, edhe të dielën mbrëma reflektorët e skenës janë ndezur për të ndriçuar “Drag Queen”, Adelina Rose. Vetë prania e saj ka pasur simbolikën e lirisë dhe i ka dhënë forcë temës së edicionit të sivjetmë, “Love | Dashni”. Rose, sikurse në hapje ka qenë provokuese e me shumë mesazhe dashurie. Por çmimet janë mesazhe më vete.
“Duke përdorur një kombinim të prerjeve të letrës ‘stop-motion’ – që përfaqësojnë kohën e tanishme – dhe vizatimeve bardhezi, të cilat përfaqësojnë të kaluarën, me një skemë ngjyrash të gjalla dhe të bukura, ky film na tregon një individ kaq të fokusuar dhe të humbur në të kaluarën, saqë nuk është në gjendje të jetë i pranishëm. E sheh vetëm atë që ishte, jo atë që është dhe çfarë mund të jetë”, është arsyetimi i jurisë për filmin estonez “Eva” që ka marrë Çmimin për kategorinë e filmave ndërkombëtarë. Nën regji të Lucija Mrzljak, Morten Tšinakov, filmi më mjeshtri shpalos ndikimin e së kaluarës dhe tregon se si e kaluara e ndikon edhe të ardhmen. Juria që e ka vlerësuar këtë film, po ashtu ka ndarë edhe çmimin për kategorinë e filmave të gjatë. Claus Toksvig Kjaer, Alice Saey, Chris Robinson, Anastasiya Verlinska, Hsiang Chin Moe kanë vlerësuar që laureat i këtij çmimi të jetë filmi “Silver Bird and Rainbow Fish Statement”. Pikërisht ky film edhe ka ndezur i pari projektorin e kësaj gare. Nën regji e me skenar të Lei Leit në 1 orë e 43 minuta filmi shpërfaq histori të pazakontë në botën e animacionit. Regjisori e autori i skenarit ka marrë fotografitë kur paraardhësit e tij në shekullin e kaluar jetonin në Kinë. Janë aso imazhesh propagandistike të botës komuniste. Sipas fotografive e videove të kohës, populli kinez ishte ndër më të lumturit në botë, përderisa rrëfimet familjare të regjisorit nuk e thonë të njëjtën gjë. Ka ndërhyrë mbi materialet e kohës me imazhe të animuara duke e shndërruar filmin në një miks të pasur edhe vizuelisht. Nëpërmjet tyre zbërthen situata dhe e përmbys propagandën, përderisa ua kthen frymën atyre pak mendimeve e ëndrrave për liri që mund të kenë qenë në kokat e banorëve të Kinës së viteve ’60 e ’70 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për “flashbacks” që ilustrohen këndshëm dhe prekin detaje të jetës së asaj kohe nëpër fushat e Kinës. Liria është e pranishme veç si ëndërr në film.
“E nxitur nga një përzierje e frymëzuar dhe unike e fotografive arkivore, kolazhit, pikturës me dorë dhe baltës, kjo histori prekëse dhe herë pas here komike, mjegullon linjat midis privates dhe publikes, familjes dhe kombit. Rezultati është një vepër e fuqishme që tregon një histori jo vetëm të një familjeje, por të shumë familjeve që kanë jetuar nën qeveri ndrydhëse”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Në këtë kategori mirënjohje e veçantë i është ndarë filmit “Slow Light”.
Një rrëfim me nota pak a shumë të njëjta por që e ilustron edhe një rast të veçantë ka marrë vlerësimin e jurisë për Çmimin e filmit më të mirë në kategorinë e animacioneve për të drejtat e njeriut. Juria në përbërje të Marko Djeshka, Annika Bergström, Zharko Ivanov këtë çmim ia kanë ndarë filmit “Dear Mahsa”. Bëhet fjalë për një rrëfim të prekshëm. Atë për 22-vjeçaren Mahsa Amini, e cila në shtator të vitit të kaluar vdiq nga torturat e asaj që njihet si policia e moralit në Iran. Animacioni i punuar në bardhezi krejt në fillim tregon se Irani i ka humbur ngjyrat e tjera dhe këtë qysh më 1979. Duke e ilustruar me imazhe poezinë e shkrimtares iraniane që jeton në Gjermani, Ayeda Alavie, regjisori Martin Pflanzer i ka dhënë botës së animacionit një rrëfim prej pak më shumë se pesë minutash për viktimën e policisë së moralit. Rasti i 22-vjeçares është “fija” ku zë fill filmi që zbërthen se si në Iran të drejtat e grave nuk ekzistojnë. Ose edhe mund të ekzistojnë, por vetëm në kujtimet e atyre që kanë jetuar edhe para periudhës së vitit 1979. Para më shumë se katër dekadash rrugët e Teheranit si fotografi ngjanin me ato të cilitdo qytet të Evropës. Por situata e tanishme zbërthehet goxha në film. Ilustrimet shkojnë deri te prerja e flokëve që bëjnë gratë në shenjë proteste e solidarizimi. Në film zbërthehet nevoja e lirisë dhe se si një vend përfundon kur mbetet në dorë të një udhëheqësi suprem.
“Ne jemi dëshmitarë të luftës më të rëndësishme për të drejtat themelore të njeriut, në të cilën gratë po vënë në rrezik jetën e tyre duke ngritur zërin kundër një prej regjimeve më shtypëse në botë. Ky film transmeton një mesazh urgjent, i ilustruar poetikisht me një shprehje të fortë vizuale që thekson mënyrën epistolare të poemës. Shpresojmë që ky çmim të ndihmojë në përhapjen e mesazhit”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. E njëjta përbërje ka ndarë edhe Çmimin për video-animacionin muzikor. Çmimi ka mbetur në Kosovë. Ka triumfuar “Ninulla F” nën regji të Flaka Kokollit. Filmi kthen në kohë traditën shqiptare të këngës.
“Kjo përshtatje e bukur vizuale e një kënge tradicionale ruan dhe pasuron folklorin vendës në një formë bashkëkohore”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Me Mirënjohje Speciale në këtë kategori është vlerësuar filmi “Children of Metroid”. Te kategoria e filmave për fëmijë dhe të rinj juria në përbërje të Deniza Gafurit, Diellza Francas, Sado Musiqit, Liburn Krrabajt e Bleona Ibrahimit ka vlerësuar filmin “Beanboy” nën regji të danezit Emily Hanning, ndërsa me Mirënjohje të Veçantë kanë shpërblyer filmin “To be Sisters Statement” nën regji të francezëve Anne-Sophie Gousset dhe Clément Céard.
Produksioni hungarez “Above the Clouds” nën regji të Vivien Hárshegyi ka marrë Çmimin në kategorinë e filmave studentorë përderisa me Mirënjohje të Veçantë është nderuar filmi “From the Corner of My Eye” nën regji të Domonkos Erhardt.
Filmi që është përshkruar si animacion që tregon se bota është gati e përkryer por njerëzit ende nuk janë afër asaj bote, “Money and Happiness” ka fituar Çmimin e kategorisë së filmave ballkanikë. Filmi nën regji të serbëve Ana Nedeljkoviq, Nikola Majdak Jr. është vlerësuar nga juria në përbërje të Vessela Dantchevas, Marek Náprstekut, Igor Hofbauerit. Në këtë kategori me Mirënjohje të Veçantë është vlerësuar filmi “Her Dress for the Final” i regjisores kroate Martina Mestroviq.
Por “Anibar” nuk është ndalur me kaq. Nëpërmjet Akademisë së Animacionit që është produkt i organizatës, ndihmohen të rinjtë që duan të merren me animacion. Sivjet në edicionin e 14-të të Festivalit tri projekte të studentëve do të përfitojnë përkrahje nga Qendra Kinematografike e Kosovës e po ashtu edhe ndihmë profesionale nga animatorët e angazhuar nga “Anibari”.
Bashkëthemeluesi e drejtuesi i organizatës “Anibar”, Vullnet Sanaja, ka thënë se për këtë edicion do të veçonte Garën e studentëve me anë të prezantimeve për projektet e tyre filmike. Ka thënë se kjo për të ka qenë shumë e veçantë përderisa tashmë “Anibari” po përkrah prodhimin e filmit të animuar bashkë me partnerët që ka.
“Kjo ka qenë pikënisja e ‘Anibarit’: rritja e krijimit të filmit të animuar në Kosovë duke i angazhuar studentët, të rinjtë dhe të rejat të cilët kanë dëshirë të merren me këtë formë arti. Ka qenë vit i rëndësishëm edhe në aspekt të prodhimtarisë vendore e cila është rritur dhe ka qenë prezente në Festival”, ka thënë ai. Bashkë me prezantimet e bëra në këtë javë ku i pranishëm ishte edhe mjeshtri i serisë së famshme, “South Park”, Eric Stough, Sanaja krejt edicionin e ka përshkruar si mbështetje ndaj këtyre animatorëve të rinj dhe studentëve që ata të mësojnë dhe t'u përmbushën copëzat e përvojës së tyre si animatorë.
Sivjet janë shfaqur më shumë se 160 filma në 9 kategori e më shumë se 120 prej tyre kanë qenë në 7 kategoritë garuese. Ligjëratat, prezantimet e punëtoritë e kanë bërë Pejën të gjallë me art gjatë gjithë javës. “Anibar” e transformon qytetin. E bën atë të jetë më shumë ngjyra e kreativitet.
“Ky është njëri ndër edicionet më të veçanta që kemi pasur. Posaçërisht sepse e kemi trajtuar temën e dashurisë. Për ne ka qenë e rëndësishme që përmes filmit dhe punës artistike të krijojmë një hapësirë që të gjithë munden ta takojnë njëri-tjetrin, ta shohin njëri-tjetrin por edhe që të duhen. Ky ka qenë për ne qëllimi në këtë vit, që të njohim diçka që është shumë njerëzore dhe një përvojë që e ndajmë të gjithë si njerëz”, ka thënë Sanaja. Sipas tij, kjo pastaj është plotësuar me programet të cilat i kanë sjellë gjatë kësaj jave.
“Është vërejt nga pjesëmarrësit që shumica kanë pasur një kohë të mirë në këtë festival. Kështu që ‘Anibari’ veçse e ka zënë vendin e vet si festival brenda qytetit të Pejës dhe kjo temë e riafirmon këtë”, ka thënë ai. “Anibar” tashmë jo që ka sjellë botën e animacionit në Pejë, por edhe botës po i jep animatorë të rinj nga një shtet që ende nuk i ka mbushur 16 vjet. Dhe këtë po e bën me pasion e dashuri të madhe. Fiks sikurse tema e sivjetme e Festivalit, “Love | Dashni”.