Filmi estonez “Eva”, për një individ kaq të fokusuar dhe të humbur në të kaluarën, saqë nuk është në gjendje të jetë i pranishëm, ka triumfuar në garën ndërkombëtare të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, “Anibar”. Por në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të dielën mbrëma, fituesit kanë një të përbashkët: thërrasin lirinë.
Sikurse në natën e hapjes, të hënën, edhe të dielën mbrëma reflektorët e skenës janë ndezur për të ndriçuar “Drag Queen”, Adelina Rose. Vetë prania e saj ka pasur simbolikën e lirisë dhe i ka dhënë forcë temës së edicionit të sivjetmë, “Love | Dashni”.
“Duke përdorur një kombinim të prerjeve të letrës ‘stop-motion’ – që përfaqësojnë kohën e tanishme – dhe vizatimeve bardhezi, të cilat përfaqësojnë të kaluarën, me një skemë ngjyrash të gjalla dhe të bukura, ky film na tregon një individ kaq të fokusuar dhe të humbur në të kaluarën, saqë nuk është në gjendje të jetë i pranishëm. E sheh vetëm atë që ishte, jo atë që është dhe çfarë mund të jetë”.
Sivjet janë shfaqur më shumë se 160 filma në 9 kategori e më shumë se 120 prej tyre kanë qenë në 7 kategoritë garuese.
Çmimin për kategorinë e filmave të gjatë e rrëmbeu “Silver Bird and Rainboë Fish Statement”. Pikërisht ky film, nën regji të Lei Leit, edhe ka ndezur i pari projektorin e kësaj gare.
Në kategorinë e animacioneve për të drejtat e njeriut, kryesoi filmi “Dear Mahsa”, me regji të Martin Pflanzer. Me anë të këtij filmi, regjisori i ka dhënë botës së animacionit një rrëfim prej pak më shumë se pesë minutash për viktimën e policisë së moralit në Iran.
Çmimin për video-animacionin muzikor ka mbetur në Kosovë. Ka triumfuar “Ninulla F” nën regji të Flaka Kokollit. Filmi kthen në kohë traditën shqiptare të këngës.
Filmin ideal për të marrë çmimin e kategorisë së filmave për fëmijë dhe të rinj, juria ka vlerësuar filmin “Beanboy” nën regji të danezit Emily Hanningc.
Me çmimin në kategorinë e filmave studentorë është nderuar “Above the Clouds” nën regji të Vivien Hárshegyi. Ndërsa me atë të kategorisë së filmave ballkanikë: “Money and Happiness” nën regji të serbëve Ana Nedeljkoviq, Nikola Majdak Jr.
Por “Anibar” nuk është ndalur me kaq. Nëpërmjet Akademisë së Animacionit që është produkt i organizatës, ndihmohen të rinjtë që duan të merren me animacion. Sivjet në edicionin e 14-të të Festivalit tri projekte të studentëve do të përfitojnë përkrahje nga Qendra Kinematografike e Kosovës e po ashtu, edhe ndihmë profesionale nga animatorët e angazhuar nga “Anibari”.
“Ky është njëri ndër edicionet më të veçanta që kemi pasur. Posaçërisht sepse e kemi trajtuar temën e dashurisë. Për ne ka qenë e rëndësishme që përmes filmit dhe punës artistike të krijojmë një hapësirë që të gjithë munden ta takojnë njëri-tjetrin, ta shohin njëri-tjetrin, por edhe që të duhen. Ky ka qenë për ne qëllimi në këtë vit, që të njohim diçka që është shumë njerëzore dhe një përvojë që e ndajmë të gjithë si njerëz”.
Bashkëthemeluesi e drejtuesi i organizatës “Anibar”, Vullnet Sanaja, ka thënë se për këtë edicion do të veçonte Garën e studentëve me anë të prezantimeve për projektet e tyre filmike. Ka thënë se kjo për të ka qenë shumë e veçantë përderisa tashmë “Anibari” po përkrah prodhimin e filmit të animuar bashkë me partnerët që ka.
“Për këtë edicion do të veçoja diçka çka ndodhi sonte këtu, që ishte gara e studentëve me anë të prezantimeve për projektet e tyre filmike. Kjo për mua ka qenë shumë e veçantë përderisa tashmë Anibari po përkrah prodhimin e filmit të animuar bashkë me partnerët tanë. Këta janë shumica student të Akademisë së Animacionit të cilët kanë përfunduar mësimet aty dhe tash kanë mundësinë që të punojnë në filmat e tyre të animuar. Kjo ka qenë pikënisja e Anibarit: rritja e krijimit të filmit të animuar në Kosovë, duke i angazhuar studentët, të rinjtë dhe të rejat të cilët kanë dëshirë të merren me këtë formë arti”.
Pos shfaqjes së filmave, ligjëratat, prezantimet e punëtoritë e kanë bërë Pejën të gjallë me art gjatë gjithë javës. “Anibar” e transformon qytetin. E bën atë të jetë më shumë ngjyra e kreativitet.
Këto ngjyra në Pejë i solli edhe prezantimi i Eric “Butters” Stough, drejtor i animacionit në serinë e famshme “South Park”. Ardhja e tij të shtunën në mesditë ka bërë që salla e “Jusuf Gërvalles” të jetë e mbushur plot. Madje të ketë njerëz më shumë se ulëse.
Edicioni i 14-të i festivalit ka sjellë edhe shumë hapësira ku të rinjtë e interesuar kishin mundësi të shprehin kreativitetin e tyre, krahas dashurisë për animacionin. Organizuar në pesë punëtori, të interesuarit e moshave të ndryshme nën monitorimin e emrave të njohur të animacionit patën rastin të prekin direkt punën me figura.
Ky edicion i festivalit, pos formës tradicionale të shikuarit film, ka sjellë edhe katër filma në “Virtual Reality Program”. Galeria e Arteve në Pejë u bë kështu një qendër e katërt e filmit, pos tri kinemave të tjera, duke lejuar që me anë të pajisjeve teknologjike shikuesi të përjeton animacionet ndryshe.
7 ditë, sa zgjati festivali, programi përmbyllej me mbrëmje muzikore. Hapësira e Kino Liqenit rikthente vëmendjen në skenë dhe artistët argëtonin publikun për tri orë radhazi. Bedi Pejani, Adrian Berisha, Edona Reshitaj, La Fazani, ishin vetëm disa nga emrat e artistëve që u ngjitën në skenën e Pejës dhe shkas për këtë u bë Anibari.
“Anibar” ka ftuar të gjithë që të vrapojnë pas dashurisë që kanë për njerëzit e fushat e ndryshme dhe u jep zemër atyre që duan të jenë vetvetja. Sidomos sivjet këtë e ka bërë zëshëm nëpërmjet temës “Love | Dashni”.