Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Éric Ferrer thur mesazhe paqeje e dashurie nëpërmjet Chopinit

Thjeshtësia dhe lehtësia me të cilat pianisti francez Éric Ferrer ka luajtur pa asnjë ndërprerje opusin e Frédéric Chopinit për dy orë, qe në harmoni në mbrëmjen e dytë koncertale të “Chopin Piano Fest”.

Ndonëse jashtë binte shumë shi, struktura e publikut ishte luhatur fare pak të mërkurën mbrëma në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare. Ferrer ka luajtur në piano 7 mazurka, valle popullore polake të cilat kompozitori Chopin i kishte adaptuar mjeshtërisht në piano, 4 vals, 6 etyde, një operë dhe 2 balada dhe dy nokturne apo muzikë nate, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kalimet prej njërës vepër te tjetra zor vëreheshin. Kjo, ngase ndërronte vetëm ngjyrimi i tingujve, ndërsa pianisti Éric Ferrer nuk i ndahej pianos. Mazurkat janë karakterizuar nga ritme të ngadalta dhe kanë zgjatur më shumë se një orë. Ndërsa valsit si ata nga “Op. 64 ne 2 cis# mol” kanë sjellë një imazh krejt tjetër në natën e dytë të koncertit “Chopin Piano Fest”, krahasuar me atë të natës së parë.

Falë etydeve si “Posthume no-14 e mol”, “Posthume no 1”, “Posthume no 2”, është zbërthyer teknika e shkathtësitë e instrumentistit. Për t’iu përgjigjur edhe atmosferës jashtë kanë ardhur në pjesën e fundit të mbrëmjes “Ballade no. 1 g-mol” e “Ballade no. 4 f-mol”. Edhe pse pa pushuar në asnjë çast, ai për nder të publikut ka dalë jashtë programit, duke luajtur veprën “Dreams of Love” të kompozitorit francez Fransis Poulenc, që kryesisht luhet për vokal dhe piano, por meqë Ferrer i kishte bërë vetë transkripsionin për piano. Me anë të kësaj vepre ai i është drejtuar publikut, duke i thënë se më të dëshiron të japë mesazhe paqeje dhe dashurie.

Meqë mbrëmja e dytë e edicionit të dhjetë të “Chopin Piano Fest” qe organizuar në bashkëpunim me Ambasadën franceze në Prishtinë, për gazetën ka folur Cécile Fistenberg, këshilltare për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore në këtë ambasadë. Fistenberg e ka quajtur mjaft të frytshëm bashkëpunimin kulturor midis Francës dhe Kosovës.

Ka thënë se ishte kënaqësi e madhe që të shihje sallën e mbushur përplot dhe entuziazmin e organizatorëve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm