Kulturë

Dumont zbërthen Chopinin në rrëfimin e tij nëpërmjet pianos

Minutat e shkurtra nga vepra në vepër nuk ndihen fare, sepse ai di që edhe ato t’i shfrytëzojë për t’u dukur i tërë koncerti si një mozaik muzikor. Koncertin e konsideron si udhëtim muzikor e nëpërmjet pianos, François Dumont shpalos tregime. Në debutimin e tij para publikut në Kosovë solli program vetëm me vepra të Chopinit

Në skenë s’ishte veç si muzikant. Shkoi edhe përtej. Ishte i lidhur kokë e këmbë me krijimtarinë e Chopinit, aq sa t’i përzgjidhte veç veprat e tij në programin e koncertit të parë të tij në Kosovë. E kjo ndihej në secilën prej tyre, sepse përveç që i ekzekutonte mjeshtërisht, lejonte që veprat të hynin edhe në dimensionet e tij personale, përveç profesionale. Madje aq sa krejt koncerti të dukej si një lojë artistike. Minutat e shkurtra nga vepra në vepër nuk ndihen fare, sepse ai di që edhe ato t’i shfrytëzojë për t’u dukur i tërë koncerti si një mozaik muzikor. S’e ka sfidë kalimin nga një vepër më të lehtë te një dramatike dhe sërish rikthimin te tingujt më të qetë. Përkundrazi, këtë e cilësoi si udhëtim muzikor.

Pianisti francez François Dumont përvojën e performimit në Orkestra prestigjioze të Evropës e solli edhe në skenën e Prishtinës me koncertin e katërt të edicionit të 12-të të “Chopin Piano Fest”. Publikun kosovar e vlerësoi si tejet të hapur muzikalisht, gjë që e bëri edhe të krijonte një lloj energjie natyrale, siç e quan ai.

Eleganca ritmike e “Impromptu n.3 op.51” , loja magjike e “Impromptu n.1 op. 29” e cila sa jepte ndjesinë se linte pa frymë publikun nga shpejtësia dhe sa i linte ata të qetësoheshin, e hapi koncertin mbrëmjen e së hënës. Një nga veprat e famshme të Chopinit, “Nocturne op. 48 n.1” erdhi me delikatesën e interpretimit të Dumontit, nga gjuha trupore e të cilit lexohej se Chopin i fle në zemër. Edhe më shumë afrohet me publikun prej përmbajtjes së veprës, e cila nis me tone serioze, për të ecur tutje me kontrast madhështor të intensitetit, e për të përfunduar me një ulje të lehtë. Ishin pjesët në mes të veprave ato të cilat nxjerrin më të mirën e Dumontit në skenë.

Fillimi i “Ballade n.1 op.23” qe njëri prej çasteve ku atij s’i nevojitet shkëputja prej njërës pjesë te tjetra, por i bashkon. Kapërcimet nën interpretimin e tij tingëllojnë tejet natyrshëm.

Image
“Duhet të mendosh të krijosh dramaturgji me pjesë të vogla, që të bëhet si një udhëtim pianistik”, ka thënë François Dumont pas koncertit me të cilin ka debutuar para publikut në Kosovë (Foto: Arben Llapashtica)

Një nga veprat e pavdekshme të Chopinit, “Nocturne op.9 n.2” mbetet edhe një nga më të vështirat në ekzekutim. Qetësia mbizotëruese e veprës bën që të ndihej si një balancë emocionale pas një stuhie të mundimshme, për të cilën besohet se Chopin ishte shumë përzgjedhës edhe se cilit prej nxënësve të tij ia linte ta interpretonte, për shkak të lidhjes që kishte me të.

Si një nga veprat që mbetet fragment nga periudha më e lumtur e jetës së tij, “Ballade n.3 op.47” është frymëzim nga poezia “Urdine” e Adam Mickiewicz. Por s’ishte balada e vetme e Chopinit që u interpretua. Pjesa e dytë e koncertit u hap me “Ballade n.2 op. 38”, e cila është kritikuar nga muzikologë e pianistë se është “më pak gjeniale” se balada paraprake e tij.

Vepra e cila nuk iu publikua sa ishte gjallë autori, “Largo”, që me të dalë në dritë të publikut ishte kundërshtim për testamentin e tij që të digjeshin të gjitha veprat e pabotuara, në skenën kosovare erdhi si variacion i Bellini Puritani nga Hexameron. Dramaciteti fillestar e ringritja e lehtë bashkë me shpejtësinë e ekzekutimit u ndje në “Fantaisie – impromtu”, e që besohet se ngërthen elemente harmonike e tonale nga “Moonlight Sonata” e Beethovenit.

Portretimin e qetësisë së natës muzikalisht e solli “Impromptu n.2 op. 36”, e cila ndryshon duke u shndërruar në vrapime të shpejta. E fortë, e përpiktë, ironike ishte “Scherzo n.3 op. 39”, që cilësohet se ka madhështi pothuajse beethoveniane. Njëtrajtshmëri ekzekutimi e qetësi në vete ngërthen “Mazurka op . 63 n. 2”, teksa koncerti u përmbyll me baladën e cila cilësohet më e vështira muzikalisht e teknikisht nga Chopini, “Ballade n. 4 op. 52” e që nga pianisti anglez John Odgon është vlerësuar si “më e lartësuara, intensivja dhe më e fuqishmja nga kompozimet e Chopinit. Është e pabesueshme që zgjat dymbëdhjetë minuta, sepse përmban përvojën e një jete”.

“Duhet të mendosh të krijosh dramaturgji me pjesë të vogla, që të bëhet si një udhëtim pianistik”, ka thënë Dumont, fill pas koncertit.

Karriera e tij filloi në gara me çmime si në konkurset “Chopin Queen Elisabeth”, “Clara Haskil” dhe “Monte Carlo Piano Masters”. Studioi në Akademinë Ndërkombëtare të Pianos – Liqeni i Komos në Itali. Orkestra e Teatrit Mariinsky në Shën Petersburg, Orkestra e Clevelandit (SHBA) Orkestra Kombëtare e Lionit (Francë), Orkestra e Tokios (Japoni) janë vetëm disa nga adresat ku ka performuar.

“Në koncert përmes veprave, duhet të tregosh rrëfime të ndryshme, duhet të vendosësh disa pjesë të cilat japin një kontrast të mirë dhe balancojnë energjinë. Nuk është e lehtë, sepse duhet të jesh shumë sensitiv ndaj harmonisë së këtij tranzicioni”, ka thënë maestroja i pianos.

Ka thënë se do njohjen e shteteve të ndryshme, sepse kështu afrohet me popujt, kulturat dhe ndjesitë e ndryshme. Sipas tij, performanca në Prishtinë ka qenë ndjesi e fortë përreth njerëzve shumë spontanë në të dëgjuarit e vlerësimin e tyre.

“Rreth e qark botës kemi shoqëri të mira të Chopinit, i kemi në Paris, Gjenevë. Është e mrekullueshme që e kemi edhe në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është dëshmi e universalitetit të muzikës. “Janë muzikantë të shkëlqyer që po e bëjnë këtë organizim, e vlerësoj si ngjarje tejet të lartë”.

Kur pyetet për pjesën të cilën e do më së shumti, nuk mund ta ndajë asnjë sepse thotë se jeton çdo ditë me secilën prej tyre.

“Me publikun në disa vende ke barriera, por këtu ishte një lidhje natyrale. Unë nuk e flas gjuhën shqipe dhe jam për të herë të parë këtu, por ishte tejet natyrale”, ka thënë ai.

Profesoresha e pianistja Valbona Pula-Petrovci, e ka vlerësuar koncertin e katërt të “Chopin Fest” si diçka që i mungon publikut.

“Një mbrëmje të tanë me veprat e Chopinit të cilat dallohen nga një sensualitet të jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo, duke vazhduar se “publiku ka interesim të jashtëzakonshëm dhe kjo tregon se publiku ka etje për ngjarje të tilla kulturore”.

Për të përveç pjesës së koncerteve, edhe master-klasat me studentë e nxënës të shkollave të mesme të muzikës janë shumë të rëndësishme për ngritje profesionale, e të cilat po i ofron ky festival.

Pianistja Zana Badivuku-Basha, ka thënë se një lexim i biografisë së autorit mjafton për të kuptuar se zotëron një numër të madh të veprave.

“Ishim të fascinuar nga tingulli i tij subtil që na ofroi nuanca të ndryshme prej më të lehtave deri në kulminacion, e pamë një hark të tingullit dhe me shumë lehtësi i realizonte veprat që janë të nivelit të vështirë interpretativ, janë me vështirësi teknike. Për veshin e dëgjuesit duken shumë të thjeshta, por ne që i kemi në duar dhe i kemi studiuar, e dimë sa shumë kohë duhet për t’i pasur në duar këto vepra”, ka thënë ajo.