Kulturë

“Emerge” drejt hapësirave të transformuara me art

Prishtinë, 14 dhjetor - Pikturat vaj në pëlhurë, ato me teknika të përziera, skulpturat, videoinstalacioni e performanca në kitarë rrumbullakojnë një projekt studentor. Kësisoj, 12 studentë e ish-studentë të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës kanë shndërruar hollin e këtij institucioni në një sallë të përkohshme ekspozimi. Secila vepër trajton nga një ide në vete, por të gjitha i bashkon hapësira qoftë ajo ekspozuese, gjeografike apo edhe kohore. Përderisa studentja e vitit të tretë në pikturë, Blertë Hashani, ka sjellë një peizazh të pazakontë që nxjerr në pah peizazhin midis reales dhe abstraktes.

Briliant Milazimi, i cili po ashtu është në vitin e tretë, nëpërmjet teknikës së përzier, në ekspozitën e studentëve “Emerge” (Shfaqem), e hapur të martën mbrëma, ka luajtur me hapësirën kohore. Piktura e tij “Proces regresiv” vjen si një hartë e ndryshkur ku disa pjesë i kanë rënë.

Për dallim prej të tjerëve, Arben Elshani, që është student i vitit të parë në master, hapësirën e ka lënë në dispozicion të vizitorëve. Pëlhura e tij është e paprekur. E titulluar “Hapësira në kohë”, vepra e Elshanit, që është nga Drenasi, fton vizitorët që të imagjinojnë e të shohin çfarë të duan brenda kornizave.

Dekani i Fakultetit të Arteve, regjisori i teatrit, Agim Selimi, ka thënë se bëhet fjalë për një ambient të veçantë. Kësisoj, nëpërmjet punimeve edhe Arbnor Karaliti, Ermir Zhitopotoku, Petrit Maliqi, Dardan Mursele, Naim Geci, Alban Januzi e Yll Krasniqi që ka interpretuar në kitarë kanë shkrirë hapësirat kohore e ambientale sipas qejfit të tyre. Këtë e kanë bërë edhe me qëllimin që të revitalizohen ato (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.