Kulturë

Elif Shafak emërohet presidente e re e Shoqatës Mbretërore të Letërsisë

Elif shafak

Shkrimtarja britaniko-turke u zgjodh pas një votimi midis anëtarëve të shoqatës me presidenten në largim, Bernardine Evaristo, e cila e përshkroi zgjedhjen e saj si “thellësisht frymëzuese”

Shkrimtarja Elif Shafak është emëruar presidente e re e Shoqatës Mbretërore të Letërsisë (RSL), duke marrë këtë pozitë pas Bernardine Evaristo, e cila po përfundon mandatin e saj katërvjeçar. 

Shkrimtarja britaniko-turke Shafak, autore e romaneve “Ishulli i pemëve të zhdukura” dhe “Në qiell ka lumenj”, u shpall në këtë pozitë të premten pas një votimi midis anëtarëve të Shoqatës. 

“U preka shumë dhe u ndjeva e përulur kur ata më zgjodhën kolektivisht si presidente të re”, ka thënë Shafak. 
“Për mua, fjala ‘shoqatë’ nuk do të thotë vetëm anëtarësim në një organizatë me kaq shumë vlerë dhe histori kaq të jashtëzakonshme. Unë gjithashtu dua të përqendrohem në kuptimin e dytë të fjalës. Shoqata, si në shoqëri, solifaritet, bashkim. Më duket shumë e rëndësishme sepse jetojmë në një botë çdoherë e më të trazuar dhe të ashpër ku shumë njerëz në fushën e artit ndihen shumë të vetmuar”, ka thënë ajo. 

Ka “shumë sfida” me të cilat përballen shkrimtarët, bibliotekarët dhe ata që ia kanë kushtuar jetën “dashurisë për letërsinë”. 

Autorja ka shpjeguar se edhe pse ka ide dhe plane për kohën e saj si presidente, ajo “para së gjithash do të donte të dëgjonte të gjithë, të kishte mendimet dhe sugjerimet e kolegëve shkrimtarë dhe poetë”. 

Evaristo, mandati i së cilës përfundoi në këtë institucion, ka thënë se Shafak është një “zgjedhje jashtëzakonisht frymëzuese” për presidente dhe se emërimi i saj shënon “një moment emocionues” për shoqatën. 

“Një ‘bestseller’ global me një reputacion të njohur si shkrimtare, intelektuale dhe folëse publike, ajo është avokuese e hershme e letërsisë dhe fuqisë së tregimit për të kapërcyer dallimet dhe për të ndriçuar perspektiva të shumta”, ka thënë ajo. 

Shafak ka qenë nënkryetare e Shoqatës që nga viti 2020. Ajo është autore e 21 librave, duke përfshirë 13 romane. Veprat e saj janë përkthyer në 58 gjuhë. Ajo po ashtu ka kryer doktoratën në shkenca politike.

Romani i Shafak i vitit 2019 “10 minuta e 38 sekonda në këtë botë të çuditshme”, për një prostitutë në Stamboll, u rendit në listën e ngushtë për çmimin “Booker” dhe çmimin “RSL Ondaatje”. Romani i saj i vitit 2021, “Ishulli i pemëve të zhdukura” – një histori e një dashurie të ndaluar midis Kostas, një i krishterë grek, dhe Defnes një mysliman turke, në Qipron e viteve ‘70 – u rendit në listën e ngushtë për çmimin e romanit “Costa”, çmimin e grave për letërsi, çmimet britanike të librit dhe çmimin “RSL Ondaatje”.