Një nga temat kontestuese në historiografinë shqiptare e serbe është prezenca e shqiptarëve në Kosovë në të kaluarën. Shumë historianë serbë pohojnë se në mesjetë nuk ka pasur shqiptarë në Kosovë “përpos në qytetet dhe sheshet më të mëdha”. Shkencëtarët shqiptarë e kontestojnë këtë pohim dhe theksojnë se shqiptarët në këtë hapësirë janë popull autokton, i cili më parë ka qenë nën sundimin bizantin. Etnologu shqiptar, Rrok Zojzi, thekson se fiset shqiptare që jetojnë në Dukagjin, në Shqipërinë Veriore, kanë ruajtur gjurmë të forta të kulturës agro-ekonomike në gjuhë e zakone, për dallim nga krahinat e tjera fqinje ku dominon kultura blegtorale. Gojëdhënat e tyre flasin se dikur kanë jetuar në rrafsh dhe se nëpër grykën e Drinit janë detyruar të tërhiqen në male, shkruan sot Koha Ditore.
Prifti Gaspër në vitin 1671 e ka njoftuar Romën se fisi i mirditasve është vendosur këtu rreth 180 vjet më parë (kjo do të thotë rreth vitit 1490). M. S. Filipoviq thotë se në luginën e Limit, përfundi Plavës, ekzistojnë shumë gojëdhëna për dëbimin e popullsisë së dikurshme shqiptare; mbase në ditët e para të Turqisë në këto troje e kështu do të ketë ndodhur edhe në Rrafshin e Dukagjinit dhe në rrethin e Prizrenit, ku shqiptarët më vonë janë përhapur shumë”.
Historiografia serbe shpeshherë e thekson faktin se në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit janë shumë kisha e manastire ortodokse serbe, dhe se emërtimet e vendeve në këtë rajon të shumtën janë emërtime sllave. Historiani shqiptar, Muhamet Tërnava, në revistën “Kosova” (Prishtinë, 1976) vëren se shumë toponime emërtohen “Gradishte”, “Gradac”, “Cërkvishte”, “Cërkvina”, “Selishtë”, “Kuqishtë” etj., si i quanin sllavët vendbanimet e braktisura më parë, pasi nuk u është ditur emri. Arkeologu dhe etnografi Qiro Truhelka, në vitin 1893, shkruan se “emërtimi ‘gradina’ tregon për rrënojat parahistorike; ‘cërkvina’ dhe ‘gradac’ për rrënojat romake, për ndryshim nga emërimet ‘grad’ (qytet) dhe ‘stari grad’ (qytet i vjetër) që tregojnë për vendbanimet mesjetare dhe turke”. /Shkroi Petrit Imami
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)