Leze Qena dhe Adem Mikullovci është dyshja e aktorëve që e dëshmoi se dashuria për teatrin nuk zbehet kurrë. Aktrimit iu futën rastësisht dhe si të rinj kishin të tjera ëndrra. Karriera e tyre 50-vjeçare është ajo që shpalos historinë e teatrit. Në intervistën dhënë “Kohës Ditore” të Vitit të Ri 2015, ata do të rrëfenin për fillet e tyre në botën e teatrit, për të sotmen dhe magjinë e skenës
Ajo do të bëhej balerinë e ai shkrimtar. Bota e tyre ishte krijuar rreth ëndrrave krejt të ndryshme prej asaj që janë sot. Krejt rastësisht do ta gjenin veten në skenën e teatrit, ani pse dashuria për të do të lindte menjëherë. Aktorja e njohur kosovare Leze Qena do të niste karrierën e saj prej aktoreje para më shumë se 50 vjetësh. Ndërkaq Adem Mikullovci nisi karrierën e tij prej aktori 46 vjet më parë.
Eksperienca prej gjysmëshekulli në skenën e teatrit do t’iu sillte përjetime nga më të ndryshmet. Të tilla ishin edhe rolet e tyre. Disa më madhështore që vinin në pah aftësinë e tyre, e disa edhe më të thjeshta. Ani pse Qena ka nisur karrierën e saj disa vjet para Mikullovcit, këta të dy kanë bashkëpunuar në një numër të madh shfaqjesh.
Nuk i numërojnë dot të gjitha, nga frika se mund ta harrojnë ndonjë, por me nostalgji kujtojnë kohën e kaluar. Koha kur këto dy yje të teatrit shndritën nuk ishte edhe shumë e lehtë, dallonte shumë nga kjo e sotmja, por ata e pranojnë se po t’u jepej mundësia do të ktheheshin edhe një herë në skenën e teatrit.
As Qena, e as Mikullovci nuk pajtohen plotësisht me mënyrën se si funksionon teatri sot. Ata thonë se nuk ka të bëjë me luftën mes gjeneratave, por më shumë me dallimet në koncept dhe ide. Viti 2014, këta dy veteranë të skenës i bashkoi pas një pauze 20-vjeçare. “Dashnori i nënës sime” qe shfaqja që i ribashkoi, një rrëfim që mëton të kthejë kohët e vjetra, qoftë edhe vetëm nëpërmjet kujtimeve.
Rikthimi në sallën “A”
Salla “A” në katin e dytë të Teatrit Kombëtar të Kosovës së fundmi ka marrë një pamje tjetër. Tavolinat dhe karriget janë ndërruar. Në krye të sallës ka zënë vend një raft i madh librash, i cili dita-ditës po pasurohet. Duket krejt ndryshe prej asaj që ka qenë, por aty ruhen kujtimet.
Pikërisht në këtë sallë Qena mbajti audicionin e saj të parë. Më shumë se një gjysmëshekulli pas, nga i njëjti vend tregon se ku ishte ulur paneli.