Hapësira e ish-strehimores e kthyer në qendër kulturore “Defy Them” të dielën mbrëma është mbushur e tëra për të kujtuar me këngë artistin ikonik Muharrem Qena. Kryeveprat si “Oj Hanë” kanë bërë një publikun që të këndojë njëzëri. Ishte 25 shtatori i vitit 2006 kur vdiq artisti i skenës së teatrit, filmit dhe këngës argëtuese. Si aktor, regjisor, tekstshkrues e këngëtar ka lënë gjurmë me individualitetin e tij të pazakontë. 16 vjet pas, në Prishtinë janë interpretuar këngët e tij
Figura shumëdimensionale artistike e Muharrem Qenës është kujtuar në 16-vjetorin e vdekjes. Mbrëmja përkujtimore për aktorin, regjisorin, dramaturgun, këngëtarin e tekstshkruesin Qena ka sjellë në interpretim këngët e tij, ku njëzëri me interpretuesit kanë kënduar edhe të pranishmit në qendrën “Defy Them” në Prishtinë. Një pjesë e trashëgimisë së Qenës është përtërirë edhe njëherë tjetër të dielën si trashëgimi e pasur e skenës kulturore në vend.
Hapësira e ish-strehimores e kthyer në qendër kulturore “Defy Them” të dielën mbrëma është mbushur në gjithë hapësirën e mundshme për të kujtuar me këngë artistin ikonik Muharrem Qena. Kryeveprat si “Mallëngjimi” kanë bërë një publikun, që ka kënduar njëzëri me këngëtarin Florent Abrashi.
Ishte 25 shtatori i vitit 2006 kur vdiq artisti i skenës së teatrit, filmit dhe këngës argëtuese. Si aktor, regjisor, tekstshkrues e këngëtar ka lënë gjurmë me individualitetin e tij të pazakontë. 16 vjet pas, në Prishtinë janë sjellë këngët ikonike të tij.
Dritat e kuqe kishin veshur gjithë hapësirën si simbolikë e dashurisë së zotëruesit të artit. Arbër Salihu është ngjitur në skenë për të interpretuar “Këngën e Çobanit” dhe “Mustafa”. I gjithë publiku i ka kënduar këngët, përfshirë edhe ata nga më të rinjtë që ishin prezentë. Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin krijuesin Qena si një nga më të mirënjohurit ndër shqiptarë. Këngët e tij “Pa ty” dhe “Shokut” janë interpretuar nga Edona Vatoci dhe Tomor Kuçi.
Koncerti në kujtim të Muharrem Qenës e ka sjellë në skenë Dren Abazin në interpretim të këngëve “Shikimi yt” dhe “Lamtumirë”.
Secila këngë ose tekst i shkruar nga Muharrem Qena janë të lëna si testament, që do të përcillej ndër breza, pa marrë parasysh vitet që do të kalonin. Që në tingujt e parë merret vesh se për cilën këngë bëhet fjalë, siç ndodh me “Kaçurrelja” dhe “A thua ma mirë pa dhimbje”, që Alban Nimani i ka kënduar njëzëri me publikun.
Muharrem Qena ia kushtoi një jetë artit. Është një nga themeluesit e skenës teatrore dhe këngës argëtuese shqiptare. Shprehja e tij e guximshme dhe mesazhet e fuqishme e kanë bërë të veçantë veprimtarinë e tij.
Katër fotografi bardhezi të Qenës kanë qenë të vendosura në të dy anët e skenës.
Bashkëshortja e të ndjerit, aktorja Igballe Qena, është shprehur e lumtur kur sheh se rinia, madje edhe fëmijët, i adhurojnë këngët në të cilat Qena kishte dhënë shpirtin e tij krijues.
“Më gëzon fakti që shoh se rinia, edhe fëmijët e adhurojnë këngën në të cilën Muharrem Qena ka dhënë shpirtin në çdo varg të çdo kënge. Më ka kthyer në kohën kur pas luftës ndalej rryma dhe përveçqë ishte zhgënjim ishte edhe kënaqësi kur mblidheshim e gjithë familja bashkë dhe këndonim. Kështu i kalonim gjithë kohët e këqija”, ka thënë Qena.

E bija e Muharrem Qenës, aktorja Rebeka Qena, ka thënë se mënyra më e mirë për ta kujtuar atë është përmes këngës së tij.
“Për ne është shumë gjë e bukur të ndajmë kujtimin që e kemi me të gjithë që jeni këtu. Është mirë t’i kujtojmë krijuesit që të mos harrohen dhe të kenë të gjithë mundësinë të njohin artin e tyre, në mënyrë që të mos mbesin në mëshirën e kohës”, është shprehur ajo.
Koncerti i së dielës mbrëma në kujtim të Muharrem Qenës është organizuar nga Ministria e Kulturës. Liburn Jupolli, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka adresuar disa fjalë në emër të eprorit të tij.
“Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan dhe u falën kënaqësinë shumë brezave. Kënga, frazimi, tematika dhe struktura që buronin nga Muharrem Qena pasuruan vendin tonë me himne të qytetit që këndohen e kumbojnë në çdo aktivitet social”, ka thënë Jupolli para të pranishmëve.
Krejt në fund, bashkë me këngëtarët dhe publikun, familja Qena u ftua për të interpretuar një “Oj Hanë”, një nga më të njohurat e këngëtarit e tekstshkruesit Qena.
Muharrem Qena ia ka kushtuar një jetë artit. Është një nga themeluesit e skenës teatrore dhe këngës argëtuese shqiptare. Shprehja e tij e guximshme dhe mesazhet e fuqishme e kanë bërë çdoherë të veçantë veprimtarinë e tij. Si regjisor, aktor e skenarist kontributi i tij numëron rolet e realizimin e shumë filmave e shfaqjeve teatrale.
“Erveheja” e Muharrem Qenës e luajtur në vjeshtën e vitit 1966 vlerësohej si shfaqja më e mirë e vendosur ndonjëherë në skenën teatrore të Kosovës. Në vitin 2006, në numrin e parë të revistës për dramë dhe teatër “Loja”, regjisori i ndjerë Bekim Lumi kishte botuar një skicë për portret për Muharrem Qenën. Ky portret ishte përmbledhur nga të dhëna arkivore, shkrime gazetash e pllakate shfaqjesh
Muharrem Qena u lind në Mitrovicë në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Në vitin 1946 pranohet si student në Shkollën e Lartë të Filmit (Dega e Aktrimit Filmik) në Beograd. Si regjisor i rreth 200 shfaqjeve teatrale, Muharrem Qena ishte njeriu i lidhur deri në frymën e fundit me teatrin. Me “Ervehenë” mori 5 shpërblimet kryesore në Festivalin e Novi-Sadit më 1967, ashtu siç edhe shpërblime të tjera e rendisin ndër krijuesit më të suksesshëm shqiptarë. Në profilin e tij biografik radhiten edhe shfaqje të tjera ku ai ishte regjisor, si “Bashkëshortët”, “Zonja me Kamelie”, “Njerëzit me shpresa të thyera”, “Anmiku i popullit”, “Ambrozio shfaros kohën” e shumë të tjera.
Në fillim të shtatorit të vitit 1948 i bashkohet grupit të aktorëve themelues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, që atëherë ishte Teatri Popullor Krahinor. Pikërisht këtë kohë zë fill historia e krijimtarisë artistike e Muharrem Qenës, i cili më vonë, për më shumë se gjysmë shekulli, do të bënte emër, jo vetëm si aktor, por edhe regjisor, dramaturg e kantautor. Muharrem Qena vdiq më 25 shtator 2006, në Prishtinë, duke lënë pas vetes një krijimtari të pasur artistike, e cila e bën të jetë një nga personalitetet më të shquara të artit skenik shqiptar.