Kulturë

Festivali i Teatrove në Ferizaj, tradita 52-vjeçare në kapitull të ri

Sikur Festivali i Teatrove në Ferizaj të ishte një shfaqje, ajo do t’i kishte plot 52 skena, shumë ngjarje, histori e traditë. Gjithë rrugëtimit kësaj radhe do t’i japin një kah krejtësisht tjetër. Edicioni i sivjetmë është gati për të rrugëtuar me më shumë risi. Përveç shfaqjeve të vendit e rajonit, “premierë” ka edhe “Retro Teatrin”, garën studentore e ndejat plot muzikë

Është prej festivaleve më të vjetra në vend. Madje edhe në rajon rrallë gjendet një organizim i tillë për teatrin, i cili i ka mbijetuar kohës. Vit pas viti ka bërë bashkë në një vend publik e artdashës.

I gjithë ky rrugëtim për 52 vjet vështirë se do të mund të imagjinohej në fillim, atëherë kur gjithçka nisi në vitin 1970. Nuk i ka dhënë nam veç Ferizajt si qytet. Mirëpo, është shtrirë shumë më gjerë se kaq dhe u ka bërë nikoqirllëk shfaqjeve nga vende të ndryshme jo vetëm vendore.

Këtë e ka bërë pikërisht në teatrin i cili bie në sy me ngjyrën e tij që qëndron mes rozës e një nuance deri tek e hirta në zemrën e qytetit. Pas kalimit të shkallëve në hyrje, në korridor syri zë mozaik fotografish bardhezi të aktorëve, shfaqjeve e gjithë historisë që kaluan në Teatrin, i cili praj pas luftës mban emrin e aktores Adriana Abdullahu, e vrarë nga forcat serbe në marsin e vitit 1999.

Vit pas viti në skenën e këtij institucioni për më shumë se një javë ndihet një lloj gjallërie. Është adresë shfaqjesh e debatesh për teatrin. E për çdo natë të organizimit, skenografitë ndërrohen dhe gjithçka bëhet gati për një temë tjetër. Kësaj radhe skenografia e shfaqjes së parë, e cila sonte (e shtunë) do ta bëjë prerjen e këtij edicioni, ka zënë vendin e vet. Në tri anët e skenës, të ngjitura njëra mbi tjetrën, qëndrojnë dyer shumëngjyrëshe të cilat krijojnë një energji vibrante. Janë paralajmërim për shfaqjen “Memorandumi”, nën regjinë e Agon Myftarit, me tekst të Vaclav Havelit. Si shfaqje e punuar nga vetë teatri “Adriana”, ajo do të shndërrohet në mikpritësen e shfaqjeve të tjera në kuadër të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Organizatorët janë aktivë më shumë se kurrë. Po përgatisin një edicion krejt ndryshe nga ata të mëhershmit. Synojnë risi, duke e bërë edhe më të gjallë festivalin tradicional. E teksa detajet e fundit po e kompletojnë mozaikun e organizimit, publikut në program qendror do t’u servohen gjithsej shtatë shfaqje. Një ditë pas hapjes të shtunën, në skenë do të paraqiten aktorët e teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, me shfaqjen “Deni dhe deti i thellë i kaltër”, nën regji të Ana Batevës.

Image
Skenografia e “Memorandumit” me tekst të Vaclav Havelit, nën regji të Agon Myftarit, shfaqjes së parë, e cila do ta bëjë prerjen e këtij edicioni, tashmë është gati

Netët e festivalit do të pasurohen edhe me shfaqjet “Ora e vdekjes” nga “Artpolis” dhe “Bokshi Teatër”, nën regjinë e Ilir Bokshit, “Babai dhe babai” si prodhim i “Integrës”, nën regji të Kushtrim Koliqit dhe “The Handke Project” nga “Qendra Multimedia” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regjinë e Blerta Nezirajt. E teatri i Gjilanit sivjet paraqitet me shfaqjen “Viganët”, me tekst të Visar Krushës, nën regji të Ilir Bokshit. Përtej teatrove vendore, nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut do të vijë shfaqja “Mjekimi” nga Teatri Ultra, nën regjinë e Qazmedin Nuredinit. Si shfaqje jashtë konkurrencës do të jepet “Koleksionisti i syve” nga Ben Apolloni. E juria që do t’i vlerësojë në fund përbëhet prej Sulejman Rushitit, Edona Berishës dhe Zymber Kelmendit

“Përgatitjet po shkojnë mirë. Këtë vit ka pasur një angazhim dukshëm më të madh, ka më shumë evente, më shumë punë”, thotë drejtori artistik i teatrit të Ferizajt, Besim Ugzmajli, të premten, një ditë para hapjes zyrtare.

Entuziazmi i lexohet në sy. Përkushtimi dallohet te i gjithë ekipi organizativ. Edhe nga prapaskenat e rrugëtimit të këtij edicioni kuptohet energjia e re që po mbizotëron në këtë vit.

“Sigurisht se është një festival me shumë traditë, mirëpo duke ruajtur traditën kemi një ribrendim të Festivalit, që fillon prej logos edhe përmbajtjes së përgjithshme të Festivalit”, thotë ai. “Kemi shtuar dukshëm numrin e aktiviteteve. Në bashkëpunim me teatrot e tjera qofshin publike apo private, që kanë prodhuar shfaqjet më të mira të këtij viti, kemi arritur të bëjmë marrëveshje dhe t’i kemi në festival”.

Por përtej shfaqjeve aktuale, të cilat kanë rrugëtuar kohëve të fundit, sivjet Festivali sjell edhe dromca kujtimesh historike.

“Retro teatër” quhet nisma e re të cilin po e nisin këtë vit e që nëpërmjet tri performancave të shtrira në tri lokacione po bëhet përpjekje për ringjallje të kujtesës kolektive.

Image
Duke ruajtur traditën, organizatorët kanë bërë një ribrendim të Festivalit, që fillon prej logos edhe përmbajtjes së përgjithshme të Festivalit

Destinacionet janë Stacioni i trenit, ish – gjimnazi e Kisha Katolike. Janë përzgjedhur për shkak të peshës historike që kanë. Ndërkaq në to do të luhen performancat “Agminepolis” nga Kreshnike Osmani, “Udha e shkronjave 1946” nga Kaltërim Balaj dhe “Premartyris” nga Kushtrim Mehmeti.

“Gjimnazi konsiderohet shkolla e parë në Ferizaj dhe ka ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur në të. Stacioni i trenit që konsiderohet një lloj themeli i krejt qytetit dhe Kisha Katolike (e cila) në kohën kur s’kanë funksionuar institucionet kulturore në kohën e okupimit ajo i ka hapur dyert dhe janë shfaqur shfaqjet në ato ambiente”, tregon Ugzmajli.

Me këtë nismë ai thotë se po tentojnë të sjellin në mendje se çfarë ka ndodhur dhe cila është rruga e zhvillimit kulturor në këtë qytet.

Edhe studentët janë pjesë përbërëse e organizimit. Atyre u jepet hapësira nëpërmjet kategorisë studentore, ku në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës do të shfaqen “Bardh” nga Krenare Berisha dhe “Komedia e keqkuptimeve” nga Erleta Rexhepi.

Ndërkaq panelet e diskutimit sivjet u bëjnë vend sfidave të teatrit në përgjithësi dhe të atyre në Kosovës.

“Shfaqja që nuk shfaqet” është paneli i parë i diskutimit me folës Aulonë Kadriu, Erson Zymberi, Albulena Kryeziu – Bokshi e Visar Krusha, në të cilën do të shtjellohet nëse teatri ngecet nga institucionet apo duhet të përjashtohet nga problematikat e funksionimit të tyre. Tematika e panelit tjetër është “Drama kosovare në letër” me Afrim Demirin, Jeton Nezirajn, Albana Mujën dhe Arben Marevcin synohet të nxirret në pah nëse është shkruar drama reale kosovare në letër ndonjëherë, çka është shkruar dhe çka jo.

E një risi tjetër sivjet janë edhe ndejat, ku publiku pas përfundimit të shfaqjes s’do largohet nga teatri, por do të vazhdojë të shijojë atmosferën me muzikë. “Don’t listen to your neighbors”, Semira Latifi dhe “Sheki and Friends”, grupi “7 me 7”, Dora Xhemajli dhe Gita e në fund Edona Reshitaj do të performojë në skenën e cila tashmë veçse është vendosur në oborrin e teatrit.

“Jemi koncentruar në bazë të ngjarjeve të tjera që shumica janë brenda, më pas këtë hapjen në përgjithësi duke marrë parasysh që interesimi është i madh për shfaqje e bëhet një mbledhim pas shfaqjeve, e pas shfaqjeve kemi menduar me festu bashkë teatrin”, thotë regjisori Sovran Nrecaj, teksa prapa tij në prapavijë skena po merr formë dalëngadalë.

Përderisa Festivali kurrë nuk ka pasur telashe me numër shikuesish – e që për disa prej tyre janë shitur shumica e biletave – po njësoj pritet të jenë edhe për ndejat.

“Kjo besojmë që do transferohet edhe te ndejat, ku nga edicionet e kaluara ka munguar një festë pas shfaqjeve”, thotë Nrecaj.

E sa u përket punëtorive për sivjet, ato do ta kenë temën “Lëvizja poetike si rezistencë” nga Uresa Ahmeti dhe “Forum Teatri si kundërpërgjigje ndaj bullizmit” nga Dardane Mehmeti. Ndërkaq edhe rreth 10 vullnetarë u janë përveshur punës që të ndihmojnë në organizim.

“Thirrja është hapur në korrik, ka pasur interesim të madh, janë përzgjedhur e angazhuar. Ata kanë filluar punën me promovim, janë kryesisht të rinj prej Ferizajt”, sqaron Nrecaj.

Rrugëtimi i 52-të do të mbyllet më 7 tetor, kur do të ndahet edhe Çmimi për shfaqjen më të mirë, Çmimi për aktorin/en më të mirë në rolin kryesor, Çmimi për aktorin/en më të mirë në rolin dytësor, Çmimi për kostumografinë më të mirë dhe Çmimi për skenografinë më të mirë.