Kulturë

“Dy luanë drejt Venecias” me botën kontroverse edhe në Prishtinë

Është një dramë-komedi që vjen me një lloj përplasjeje botësh e mendësish. Filmi “Dy luanë drejt Venecias” me të cilin Shqipëria synonte “Oscarin”, por mbeti larg tij, tashmë ka mbërritur edhe në Prishtinë. Skena e parë është ajo e një kinemaje plot, por në kryeqytet ajo ka qenë krejt në kontrast me sallën e “Cineplexxit”, së paku në premierë

Gjithçka nis pikërisht nga një sallë kinemaje që s’ka ulëse të lirë për më shumë publik. Të pranishëm janë edhe ata që e kanë realizuar filmin. Vërehet një entuziazëm i premierës. Teksa ekipi e të pranishmit në film i kanë sytë tek ekrani ku shtjellohet një histori dashurie, regjisorit i hapet një shteg i ri. Pikërisht aty merr vesh se projekti i tij do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Venecie. Ky lajm ia realizon ëndrrën e kahershme regjisorit Veni, i cili është rreth të gjashtëdhjetave.

“Dy luanë drejt Venecias” titullohet filmi me skenar e regji të Jonid Jorgjit, që është shfaqur premierë në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë. Në mbrëmjen e parë është pritur pa interesim nga kosovarët. Në Tiranë kishte filluar të shfaqej gjatë verës në amfiteatrin e Tiranës. Filmi, i cili ishte kandidat i Shqipërisë për “Oscar”, u xhirua për rreth 20 ditë mes Shqipërisë dhe Venecias.

Regjisori Jonid Jorgji ia ka kushtuar këtë film mentorit të tij artistik dhe pedagogut të tij Gjergj Xhuvani, regjisor i shquar shqiptar, i cili vdiq në gusht të vitit 2019. Sipas Jorgjit, mënyra se si ndihej atëkohë ia përcaktoi përmbajtjen filmit, që i mori tre vjet kohë për ta realizuar. Punën ia ngadalësoi edhe pandemia COVID-19.

“Unë në përgjithësi i shkruaj vetë skenarët. Atëkohë kur e kam shkruar skenarin kam qenë në atë frymë. Ishte mënyra se si imagjinata ime shkoi drejt një komedie dramatike”, ka treguar regjisori në Jorgji, i ftuar të premten në emisionin “Express”.

Luanët e filmit personifikojnë dy miq, njëri regjisor dhe tjetri drejtor fotografie. Ndonëse ndajnë shumë vjet miqësi, të dy dallojnë si karaktere. Kjo bëhet edhe më e qartë gjatë rrugëtimit që marrin për në qytetin mbi ujë. Rrugën do ta bëjnë me makinë. Personazhet që luhen nga aktorët Vasjan Lami dhe Kastriot Çaushi s’janë vetëm në udhëtim. Një ndalesë rasti i takon me dy gra të veshura me rroba të murgeshave, por që në fakt janë dy aktore të filmave pornografikë. Rrugëtimi së bashku në veturën modeste zbulon historitë e jetëve të të katër personazheve: të një burri regjisor që ruan e nderon kujtimin për gruan e ndjerë dhe të drejtorit të fotografisë që i duhet ta gënjejë gruan e tij xheloze. Filmi i xhiruar në mbrëmje dhe gjatë ditës kombinohet me xhirime në veturë dhe nga lart që mbulon rrugën deri në Venecie. Xhiruesit nuk ia dalin që filmin në ekran ta nxjerrin pa lëkundje të pamjeve vende-vende. Për të punuar “Dy luanë drejt Venecies” regjisori ka zgjedhur një ekip me pjesëtarë moshash e vendesh të ndryshme. Por, sipas regjisorit, e përbashkëta e tyre është profesionalizmi. Luli Hoxha, Marjana Kondi, Albana Sançolli, Armand Xhuli, Alessandra Bonarotta, Dario Frappampina, Erjon Hodo, Grei Dajlanaj, Arjeta Dhima, Alfred Zeneli, Marjetina Gjoni, Alesia Xhemalaj, Luan Aliu, Kliti Roshi, Vilson Gjonçaj e Roerd Toçe janë pjesë e këtij projekti filmik.

“Duke bërë një grup profesionistësh bashkë është gjithmonë më e lehtë, sepse ata dinë të komunikojnë me njëri-tjetrin”, ka thënë regjisori i filmit.

Botëkuptimet e miqve shqiptarë me pasagjeret e tyre bëhen edhe më të qarta gjatë rrugës. Në fakt, botëkuptimet e dy burrave shqiptarë përplasen shpesh me mendësinë e dy grave që jetojnë në një botë të hapur seksuale. Një moment nervozizmi i mjafton gruas italiane që ta zbrazë hidhërimin për një regjisor shqiptar, për të jo dhe aq i denjë sa për të marrë pjesë në Festivalin më të vjetër të filmit në botë. Me gjithë sfidat dhe aventurat e rrugës, ekipi që kalon dy ditë bashkë arrin t’i lërë prapa mosmarrëveshjet. Regjisori Jorgji, që në fokus ka vazhdimisht familjen, në filmin e parë të metrazhit të gjatë e trajton këtë temë më tërthorazi.

“Më ka pëlqyer gjithmonë tema ku në qendër ka qenë familja, e vendosur në situata të ndryshme, nga më kontroverset me njëra-tjetrën”, ka shtuar tutje Jorgji.

Ky element bëhet i dukshëm veçmas në fund të filmit. Atëherë kur regjisori Veni përgatitet për fjalimin triumfues në Venecie, ngjarja merr një kthesë që lehtësisht e step regjisorin. Vajzën e tij, që mendonte se studionte në Itali, e takon aty ku e pret më së paku. Kjo e dërgon në spital regjisorin që në Venecie mendonte ta realizonte ëndrrën e tij.

“Synimi im ka qenë gjithmonë që filmi të shfaqet për publikun dhe publiku ta shohë sa më shumë dhe të marrë emocion dhe kënaqësi nga ai. Të gjitha të tjerat janë dytësore”, ka thënë ai në emisionin “Express”.

Por filmi në premierën në Prishtinë nuk ka arritur publikun. Vetëm shtatë persona kanë qenë në mesin e të interesuarve për ta parë atë. Tre prej tyre të pyetur nga KOHA nuk kanë dashur të japin mendim për filmin. Por, për regjisorin, me filmat e tij i ka gjithmonë synim kinematë e Kosovës.

“Një nga dëshirat e mia ka qenë gjithmonë që të shfaq punët e mia në Kosovë dhe sa herë kam pasur mundësi i kam sjellë në festivale këtu. Unë e shijoj shumë Kosovën”, ka thënë ai.

Sa dramë, aq edhe komedi, “Dy luanë drejt Venecias” nga e enjtja për çdo mbrëmje shfaqet në ekranin e “Cineplexx” në Prishtinë.