EXPRESS

“Prishtinë, 2002” rikthen kujtime aty ku e gjeti rrëfimin

Pas sukseseve në skenën ndërkombëtare, “Prishtinë, 2002” është kthyer në vendin prej ku buron historia e krejt filmit. Shfaqja në kryeqytet ktheu audiencën dy dekada prapa. Stereotipat e kohës, veshja, gjuha e folur, veçmas ndjenja e lirisë, kanë qenë prej emocioneve që kanë rrugëtuar publikun në kujtesën kolektive e personale.

Ndonëse ishte dhënë premierë vendore në verën e sivjetme në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren, stacioni i fundit i filmit ka qenë përjetim unik dhe si artefakt për kohën e lulëzimit të një periudhe të re.

Në mbi 20 minuta, filmi që u shfaq të premten mbrëma në “Kino Armata” e fokusohet veçanërisht në ndjenjën e lirisë te rinia e kryeqytetit. Dy personazhe, Leti, që luhet nga Hana Limani dhe Dona nga Rrezarta Haziraj, janë të rrethuara nga shenjat e luftës. Janë grafite e objekte të braktisura që eksplorojnë derisa i përcjell krijimtaria artistike e kohës.

Filmi në një formë vjen si hapje e diskutimit për manifestimin e mënyrës se si fëmijët bartin sjelljet e tyre te brezat e ardhshëm. Pos për shoqërinë në Prishtinë, “Prishtinë, 2002” vjen edhe si kujtesë personale e regjisores Trëndelinë Halili mbi të cilin është bazuar rrëfimi në film.

Shfaqja në Prishtinë ka qenë emocion i veçantë për të, për të parë edhe reagimet e publikut.

“Pata një ndjenjë të jashtëzakonshme, një emocion të jashtëzakonshëm sa m’u duk se po shfaqet premierë botërore, për shkak se filmi ‘Prishtinë, 2002’ është në një mënyrë për Prishtinën e 2002-s. E dija se në film gjithçka është krijuar prej ngjarjeve reale, kostumografia është përshtatur, muzika, slangu, ndoshta kam përdorur edhe stereotipa për ta treguar 2002-n. E dija se nëse e shfaqim në Prishtinë, njerëzit janë shumë më të lidhur dhe reflektimi i tyre është shumë më i ndjeshëm sesa kudo në botë ku e shfaqim, sepse është i bazuar komplet për Prishtinën e pasluftës”.

Pas shfaqjes së filmit, si dhuratë për publikun kanë qenë pamjet nga prapaskenat dhe krejt hapat e realizimit.

Producenti i filmit Ermal Gërdovci ka thënë se shfaqja e krejt këtyre momenteve vjen si falënderim për përkrahjen e publikut.

“Prej momentit që vendosëm ta organizonim shfaqjen, nuk deshëm që publikut t’ia japim veç filmin, pasi që është i shkurtër, por edhe një bonus, si shenjë falënderimi për përkrahjen që na kanë dhënë gjatë gjithë rrugëtimit. Kjo ishte ideja më e mirë që më erdhi, të kapja disa skena për të prezantuar rrugëtimin tonë”.

Aktorja Hana Limani, që luan rolin e Letit, e ka vlerësuar realizimin e filmit si eksperiencë të paharruar.

“Ka qenë një prej filmave më të mirë që kam xhiruar, ka qenë një eksperiencë e paharrueshme, me krejt ekipin, aktorët kemi qenë të gjithë të kënaqur. Shpresoj se në të ardhmen të kem edhe më shumë xhirime me të njëjtin ekip”.

Protagonistja tjetër në film, Rrezarta Haziraj, që luan rolin e Donës, ka thënë se filmi do të mbetet kujtim i përjetshëm për të.

“’Prishtinë, 2002’ ka qenë filmi i parë për mua në të cilin kam marrë pjesë, edhe pse kam qenë në pjesë të shfaqjeve teatrale. Ka qenë një ndër xhirimet më të mira ndonjëherë për shkak të ekipit, Trëndelina dhe Ermali na kanë bërë të ndihemi shumë mirë. Kur e shoh tash është interesant, sepse është bërë një kohë dhe jemi rritur shumë shpejt. Do të mbetet një kujtim i përjetshëm që mund ta shohim edhe pas shumë viteve”.

Bashkëskenaristi i filmit, Yll Bylykbashi, ka thënë se filmi trajton një tematikë të ndjeshme për shoqërinë.

“Jam shumë i lumtur që është bërë ky film, që e trajton një temë shumë intime, goxha të ndjeshme që kemi kaluar të gjithë ne, që nuk është një problem, por që është trajtuar. Më vjen mirë që ka pasur kaq dashuri dhe sukses filmi. Dua ende të trajtoj këso temash dhe jo probleme të mëdha”.

Filmi “Prishtinë, 2002” e ka pasur premierën në festivalin prestigjioz të filmit të metrazhit të shkurtër në Clermont-Ferrand të Francës, që u mbajt prej 27 janarit deri më 4 shkurt. Aty është shpërblyer me çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar. Më pas është shfaqur edhe në Angli e në Zvicër.