Trajtimi i temave sociale bashkëkohore është ndër kriteret kryesore për t’u bërë pjesë e Festivalit të filmit “Bergamo Film Meeting”. Kjo ngjarje e njohur në Itali është destinacioni i radhës për filmin “Okarina” nën regji të Alban Zogjanit, duke trajtuar tema si përkatësia, migrimi e vendimmarrja morale. “Narrativi i këtij filmi që përshkruan historinë e një çifti nga Kosova që ballafaqohen me sfida të rënda, ka potencialin të sjellë një kontribut të rëndësishëm në vetë festivalin. Përmes rrëfimit të tyre, ‘Okarina’ mund të nxjerrë në pah çështje të rëndësishme shoqërore dhe njerëzore”, ka thënë regjisori Zogjani
Dy subjektet protagoniste te filmi “Okarina” janë një çift i moshës së mesme. Gjenden para një vendimi që definon fatin e tyre, e për shikuesin, një fabul nga e cila lindin pyetje mbi identitetin dhe peripecitë e migrimit. Ata u larguan nga Kosova për t’u bashkuar me dy vajzat e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, në një përpjekje për të bërë një jetë më dinjitoze, ndryshe nga ajo në Kosovë. Pikë kthese është një letër që ata e pranojnë, e cila do të shkruante fatin e tyre. Planet e tyre për një të ardhme në një vend më të mirë dhe afër të bijave do të shkatërroheshin, kur nga Zyra e Emigracionit ata njoftohen se ripërtëritja e lejes së qëndrimit u refuzohet. Zhgënjimi nga një plan i dështuar i sfidon ata duke i vënë në pyetje vlerat e tyre morale të cilat shpien në pasoja të paparashikuara për të gjithë familjen.
Pas premierës botërore nëntorin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Goa të Indisë, “Okarina” me skenar të Albana Mujës nën regji të Alban Zogjanit, do të ndezë ekranet në Itali. Filmi 92-minutësh konkurron në edicionin e 42-të të “Bergamo Film Meeting”, që mbahet prej 9 deri më 17 mars.
Një tematikë e tillë e cila trajton tërthorazi disa elemente shënjuese të shoqërisë kosovare në të njëjtën kohë, sipas regjisorit të filmit, ka potencialin të ndërkombëtarizojë tema të cilat dalin nga kontekste të veçanta.
“Narrativi i këtij filmi që përshkruan historinë e një çifti nga Kosova që ballafaqohen me sfida të rënda, ka potencialin të sjellë një kontribut të rëndësishëm në vetë festivalin. Përmes rrëfimit të tyre, ‘Okarina’ mund të nxjerrë në pah çështje të rëndësishme shoqërore dhe njerëzore”, ka thënë regjisori, Zogjani.
Në “Bergamo Film Meeting” tok me shtatë filma ndërkombëtarë “Okarina” garon për çmimin “Bergamo Film Award” në kategorinë “Exhibition Competition”. Është kategori që u dedikohet filmbërësve të rinj e cila theksin e vë tek origjinaliteti në rrëfim dhe qasjen stilistike që e përmban filmi. Nga shtatë filmat konkurrues, tre prej tyre do të vlerësohen nga publiku si më të mirët, ndërkaq juria e përbërë nga Michelangelo Frammartino (regjisor), Vaida Kazlauskaitė (koordinatore e Forumit Evropian të Filmit Scanorama – Vilnius) dhe Paola Raiman (kritike e filmit), do të zgjedhë fituesin i cili do të mbështetet dhe me shpërblim monetar si mbështetje për produksionet që i japin hapësirë kinematografisë së pavarur. Publiku do të kenë mundësi që filmin “Okarina” ta shohë më datë 11 dhe 12 mars në kuadër të programit të festivalit në qytetin verilindor të Italisë.
Për rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë festival regjisori është shprehur se e konsideron si mundësi të mirë për ta bërë filmin të njohur. Ekipi është ambicioz dhe me pritshmëri për filmin dhe mënyrën se si do të trajtohet atje.
“Për mua, është shumë e rëndësishme që ky film të jetë pjesë e këtij festivali, pasi ‘Bergamo Film Meeting’ është një platformë e rëndësishme për të promovuar kinematografinë cilësore dhe për të eksploruar krijimtarinë e re ndërkombëtare”, ka thënë Zogjani, duke shtuar se ai pret që “Okarina” të shndërrohet në një pikë të diskutimit dhe të tërheqë vëmendjen e publikut dhe jurive me tematikën që e trajton dhe performancën e aktorëve.
Jehon Gorani dhe Shengyl Ismajli janë dy aktorët që jetësojnë rolet kryesore, ndërkaq Kastriot Shehi, Flaka Latifi, Rina Krasniqi dhe Arta Selimi janë po ashtu pjesë e kastës.
Filmi karakterizohet nga inkuadrimi minimal i elementeve audio, si tentim për të ruajtur me qetësi përcjelljen e tingujve të ambientit. Portretizimi i botës së Shaqës (Jehon Gorani) dhe Selvisë (Shengyl Ismajlit), në film realizohet nëpërmjet mbështetjes në këndvështrime te tyre personale, si një përpjekje e regjisorit që problematikat e trajtuara në film të ofrohen në mënyrë intime dhe të papërpunuar, përmes teknikave regjisoriale.
“Kjo situatë që trajtojmë në film është një problem universal i migrimit ku njerëzit përballen me probleme të ndryshme si dilema, dëshira, ndarja. Në situata të tilla, në lëvizje, humbet kujdesi dhe rrezikohet statusi familjar, kur hierarkia e krijuar ndër vite refuzohet nga ndryshimi i stilit të jetesës. Kur qëllimet e përbashkëta fillojnë të shkojnë në rrugë të ndara”, ka thënë regjisori.
“Bergamo Film Meeting” është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në kalendarin e festivaleve italiane. Për 42 vjet radhazi, mijëra entuziastë të kinemasë autoriale mblidhen së bashku, ndërkaq në këtë edicion për nëntë ditë shfaqen premiera të rreth 160 filma artistikë, dokumentarë dhe të shkurtër.
I lindur në Prishtinë, Alban Zogjani është themelues i kompanisë së shërbimeve grafike ASHA dhe ka studiuar për dizajn grafik dhe regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Filmi i tij i parë i shkurtër është “Dear Nita” i vitit 2015, i cili u shpërblye në FIF të Barcelonës. Si producent vazhdoi rrugëtimin e tij kinematografik edhe me filmin “EHO” nga Dren Zherka, i cili kishte fituar çmimin “Silver Zenith” në kategorinë e debutantëve në “Montreal World Film Festival”. “The Last Battle", “Three”, “Beyond Our Mountains”, “Silent”, janë katër filmat e tjerë të shkurtër në të cilët Zogjani ka kontribuuar si producent.
Në premierën botërore në Indi, “Okarina” përfaqësoi Shqipërinë, ndërkaq destinacioni i ardhshëm do të jetë “The Golden Linden” në Bullgari.